|
Gjirokastër: Kurs profesional për të rinjtë dhe pajisje shëndetësore për të moshuarit |
|
|
|
Tuesday, 31 July 2012 14:13 |
Ministri Ksera dhe Ambasadori Turk Asan në ceremoninë e inagurimit
Agjensia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim - TIKA, tashmë është një partner serioz i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për realizimin e projekteve në mbështetje të politikave të saj në fushën e mbrojtjes sociale dhe të tregut të punës.
Kështu ka deklaruar Ministri i Punës, z. Spiro Ksera, gjatë ceremonisë së inagurimit të kursit profesional për instalime hidraulike në Qendrën publike të Formimit Profesional në Gjirokastër dhe pas vizitës në shtëpinë e të moshuarve në këtë qytet, e pajisur së fundi me mobilje, pajisje elektronike dhe mjekësore – të dyja investime të TIKA.
Në këto ceremoni merrnin pjesë edhe Ambasadori turk – z.Hasan Asan, koordinatori i TIKA-s - z. Jahja Gylseven, Kryetari i Bashkisë Gjirokastër – z.Flamur Bime, etj.
Ministri Ksera falenderoi TIKA-n për bashkëpunimin dhe vuri në dukje se investimi në Qendrën e Formimit Profesional do t’i shërbejë kualifikimit të të rinjve dhe rritjes së nivelit të vetëpunësimit në zonën e Gjirokastrës. Sipas Ministrit të Punës, “së shpejti në këtë qendër do të hapet edhe një kurs për gurëgdhendës, një profesion shumë i nevojshëm për mbrojtjen dhe zhvillimin e traditës së këtij qyteti.”
Pas vizitës në qendrën e të moshurave, Ministri Ksera theksoi se ofrimi i shërbimeve sociale cilësore dhe të standarteve më të larta për të gjitha kategoritë është në qendër të punës së Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. “Fondet e Qeverisë për përmirësimin e shërbimeve kanë ardhur në rritje nga viti në vit, theksoi Ministri, dhe në këtë kuadër ndihma dhe mbështetja e donatorëve është e mirëpritur.”
“Në të njëjtën kohë ne nxisim dhe mbështesim gjithashtu inisiativat e njësive vendore për të kontribuar me buxhete lokale për rritjen e cilësisë së shërbimit në këto qendra si dhe në ngritjen e qendrave të reja”, vuri në dukje Ministri i Punës.
TIKA - strukturë nën varësinë e Qeverisë turke, ka investura në Gjirokastër në dy projektet e finalizuara një vlerë prej 105,000 euro.
Çelja e një kursi profesional për instalime hidraulike pranë Qendrës Rajonale të Formimit Profesional në Gjirokastër është kryer pas vlerësimit paraprak të tregut si një prej profesioneve më të kërkuara. Projekti i TIKA-s ka siguruar të gjitha paisjet hidraulike për realizimin e kursit, ndërsa pritet që regjistrimet e para të nisin në Shtator.
Ndërkaq një pjesë e këtij fondi ka shkuar për sigurimin e pajisjeve për Shtëpinë e të moshuarve në Gjirokastër. Institucioni më i rëndësishëm në jug të vendit për kujdesin ndaj të moshuarve ku janë strehuar rreth 60 vetë është pajisuar me mobilje, pajisje elektronike dhe pajisje mjekësore. |