|
Ministria e Punës prezanton Planin e Veprimit për Fëmijë 2012-2015 |
|
|
|
Wednesday, 25 April 2012 18:27 |
Ministri Ksera: Pilotim i skemës së ndihmës për fëmijët që ndjekin arsimin e detyrueshëm
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Agjensia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe UNICEF prezantuan sot Planin e Veprimit për Fëmijë 2012-2015. "Plani i Veprimit për Fëmijë 2012- 2015 synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm qeveritarë - qendrorë e lokalë, donatorëve, shoqërisë civile dhe komunitetit, për të marrë vendime të orientuara për të garantuar respektimin e të drejtave të fëmijëve", theksoi Ministri Ksera. Duke u ndalur tek risitë e Planit të Veprimit Ministri i Punës theksoi se, "Plani synon të kontribuojë në arritjen e rezultateve strategjike, si rritja e rolit të njësive të qeverisjes vendore në vlerësimin e nevojave të fëmijëve në raport me realizimin e të drejtave të tyre dhe zbutjen e varfërisë; reformimi i sistemit të shërbimeve sociale për fëmijë, ku parashikohet kalimi nga qendra rezidenciale në qendra të tipit “shtëpi familje”; harmonizimi i politikave per të drejtat e fëmijëve nëpërmjet funksionimit të mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në nivel qendror dhe vendor." “Për herë të parë, vuri në dukje Ministri Ksera, Plani i Veprimit parashikon pilotimin në disa njësi vendore të një skeme të re të ndihmës për fëmijët që ndjekin arsimin e detyrueshëm dhe që vijnë nga familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike.” Në prezantim merrni pjesë edhe Zv/përfaqësuesja e UNICEF znj.Vera Gavrilova, Kryetarja e Angjesisë për të Drejtat e Fëmijeve, Miranda Pasha, përfaqësues të insitucioneve përgjegjëse për realizmin e planit, të pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe donatorëve.
Fjala e plotë e Ministrit Spiro Ksera: Hartimi dhe miratimi i Planit të Veprimit për Fëmijë 2012-2015, përmbush një nga detyrimet e rekomandimit 11 të BE-së, në kuadër të detyrimeve të shtetit shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Në programin e Qeverisë së Shqipërisë 2009-2013, nënvizohet angazhimi për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, si një nga objektivat e rëndësisë së veçantë, e shprehur me thellimin e reformës legjislative dhe institucionale për të krijuar një mjedis mbrojtës dhe gjithëpërfshirës për fëmijët.
Kjo reformë ka kulmuar me miratimin e Ligjit “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, si edhe me krijimin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, institucion që monitoron respektimin e të drejtave të fëmijëve në vend.
Plani i Veprimit për Fëmijë 2012- 2015 synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm qeveritarë (qendrorë e lokalë), donatorëve, shoqërisë civile dhe komunitetit, për të marrë vendime të orientuara për të garantuar respektimin e të drejtave të fëmijëve.
Plani i Veprimit për Fëmijë tërheq vëmendjen në dy drejtime kryesore:
- Forcimin e strukturave institucionale të krijuara për të monitoruar dhe raportuar mbi zbatimin e të drejtave të fëmijëve në nivel kombëtar e rajonal
- Nxitjen e hartimit të politikave gjithëpërshirëse, të koordinuara e harmonizuara të mbrojtjes dhe përfshirjes sociale të fëmijëve.
Në përgjigje të nevojave në rritje për shërbime gjithëpërfshirëse cilësore sociale si edhe në përputhje me angazhimet e marra në kuadrin e proçesit të integrimit në BE, Plani i Veprimit për Fëmijë 2012-2015 nënvizon domosdoshmërinë e një vëmendje të veçantë mbi nevojat e fëmijëve në programin e ndihmës ekonomike. Për herë të parë, Plani i Veprimit parashikon pilotimin në disa njësi vendore të një skeme të re të ndihmës për fëmijët që ndjekin arsimin e detyrueshëm dhe që vijnë nga familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike. Plani parashikon përmirësimin e kuadrit ligjor për regjistrimin e fëmijëve dhe evidentimin e fëmijëve të paregjistruar. Plani synon të kontribuojë në arritjen e rezultateve strategjike: rritje e rolit te njësive te qeverisjes vendore, ne vlerësimin e nevojave te fëmijëve në raport me realizimin e të drejtave të tyre dhe zbutjen e varfërisë; reformimi i sistemit të shërbimeve sociale për fëmijë, ku parashikohet kalimi nga qendra rezidenciale në qendra të tipit “shtëpi familje”; harmonizimi i politikave per të drejtat e fëmijëve nëpërmjet funksionimit të mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në nivel qendror dhe vendor.
Plani i Veprimit për Fëmijë 2012- 2015 synon jo vetëm të mbrojë fëmijët, por të parandalojë e sigurojë përgjigje efektive ndaj formave të ndryshme të dhunës apo shfrytëzimit të fëmijëve.
E drejta e fëmijëve për zhvillim, duke filluar që nga grupmosha 0-3 vjeç, trajtohet për herë të parë në një Plan Kombëtar Veprimi për Fëmijë. Politikat e reja të ndërmarra në kuadër të reformës në arsim synojnë përmirësimin e kurrikulës, ndryshimet e nevojshme në infrastrukturën shkollore, si dhe përgatitjen e stafit pedagogjik në përshtatje me kurrikulat dhe mënyrat e reja të mësimdhënies.
Rritja e pjesmarrjes së fëmijëve në proçeset vendimmmarëse mbetet objektiv edhe i këtij Plan Veprimi. Për këtë çështje janë parashikuar masa konkrete, që synojnë përfshirjen e fëmijëve në procesin e hartimit të programeve mësimore vjetore, rishikimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore, shtrirjen e mëtejshme të veprimtarisë së qeverisë së nxënësve edhe në komunitet.
Toleranca zero ndaj braktisjes shkollore, është një objektiv i cili do të arrihet me anë të programeve intregruese në shkolla dhe programeve sociale në komunitet. Theksi i veçantë i vihet rritjes së numrit të regjistrimit në arsimin e detyruar të fëmijëve romë, egjyptianë në nivelin 4.5% dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara në nivelin 2%.
Masa konkrete parashikon Plan Veprimi edhe për kujdesin shëndetësor, mbrojtjen ligjore të fëmijë etj. |