


| Parlamenti miraton projektligjin “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” |
|
|
|
Ksera: Ligji jo deklarativ, por garantues i të drejtave të fëmijëve U miratua sot në seancën plenare të Parlamentit Projektligji "Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve", i pari akt në të cilin gjejnë shprehje të gjitha drejtat e fëmijve, duke parashikuar ngritjen dhe funksionimin e strukturave që do të garantojnë këto të drejta. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta, Spiro Ksera, duke e marrë fjalën në seancë prezantoi edhe risitë e Projektligjit, duke i ftuar deputetët që ta miratojnë atë. Fjala e Ministrit Spiro Ksera në Seancën Parlamentare: “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përbën detyrim kushtetues dhe promovimi e garantimi i këtyre të drejtave përbën prioritet në programet e ndërmarra dhe të realizuara deri më sot nga institucionet politikbërëse shqiptare. Rritja e ndërgjegjësimit të familjes, shtetit, shoqërisë civile dhe parandalimi dhe eleminimi i fenomeneve që dëmtojnë shëndetin dhe mirëqënien e fëmijëve përbëjnë objektiv madhor në fushën e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, në kuadër të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Projektligji “Për të Drejtat e Fëmijëve” që paraqesim sot për miratim në përmbajtje të tij ka patur në konsideratë Nenin 4 të Konventës së OKB “Për të drejtat e fëmijëve”, Raportin e Progresit të BE për vitin 2009, Rekomandimet e Komitetit të Gjenevës për të Drejtat e Fëmijëve, në të cilat përcaktohet shprehimisht detyrimi i Shqipërisë për të siguruar koordinimin efektiv të zbatimit të Konventës ndërmjet ministrive, autoriteteve vendore, përfaqësuesve të organizatave jofitimprurëse dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në zbatimin e saj. Gjithashtu, Komiteti ka rekomanduar që Shteti palë të qartësojë rolin e rëndësishëm dhe përgjegjësitë e pushtetit vendor në këtë drejtim. Në përmbajtje të Projektligjit është marrë në konsideratë edhe Rekomandimi nr.1934 i vitit 2010, i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës “Për mbrojtjen e fëmijëve në institucione dhe për të siguruar një mbrojtje të plotë të tyre”, në të cilin, ndër të tjera, kërkohet marrja e masave për ndalimin e ndëshkimit trupor të fëmijëve. Strategjia Kombëtare për Fëmijët dhe Plani i Veprimit të saj parashikojnë si masë legjislative edhe hartimin e një ligji për të drejtat e fëmijëve. Projektligji plotëson kuadrin ligjor në fuqi dhe, për herë të parë, në një akt ligjor janë përmbledhur të gjitha të drejtat e fëmijëve si dhe mekanizmat institucionalë të cilët garantojnë përmbushjen e tyre. Ai është hartuar nga ekspertë përfaqësues të ministrive të cilat mbulojnë të drejtat e fëmijëve dhe i është nënshtruar një konsultimi të gjerë me përfaqësues të shoqërisë civile, shoqatave të qeverisjes vendore dhe autoriteteve shtetërore përgjegjëse. Projekligji “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” është konceptuar në dy pjesë, në të cilat trajtohen të drejtat dhe masat mbrojtëse për fëmijët si dhe mekanizmat institucionalë, të cilët do të jenë përgjegjës për hartimin dhe koordinimin e politikave dhe legjislacionit për fëmijët, si dhe zbatimin e tyre. Dispozitat ligjore lidhur me të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre gjejnë rregullim në ligje të veçanta në fushën e drejtësisë për të miturit, në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, mbrojtjes sociale etj. Projekligji kuadër merr përsipër përcaktimin e të drejtës së mbrojtur, ndërkohë që ligji specifik në fushat e sipërpërmendura rregullon në mënyrë konkrete procedurën e përfitimit të të drejtës, si dhe institucionin përgjegjës që do të garantojë këtë të drejtë. Eksperienca e deritanishme ka treguar se mungesa e koordinimit të veprimtarisë së institucioneve dhe strukturave shtetërore ndërmjet tyre, me shoqërinë civile, si dhe mungesa e kapaciteteve institucionale dhe administrative, ka bërë që të drejtat e fëmijëve të mos jenë të monitorueshme nga mekanizma konkretë. Projektligji merr përsipër ngritjen e këtyre mekanizmave institucionale si dhe koordinimin e tyre për t’iu përgjigjur më mirë interesit më të lartë të fëmijëve, si dhe garantimit të të drejtave të tyre. Projektligji nuk synon vetëm përcaktimin e të drejtave, por edhe garantimin e zbatimit të tyre, duke parashikuar në dispozita konkrete mekanizmat institucionale në nivel qendror e vendor që do të përcaktojnë dhe konsultojnë politikat, legjislacionin dhe masat për të drejtat e fëmijëve; do të garantojnë e koordinojnë me aurotitetet shtetërore përgjegjëse mbrojtjen konkrete të një fëmije në rrezik (të dhunuar, fëmijët e rrugës etj); do të ndëshkojnë shkelësit e ligjit. Dua të ndalem në këtë aspekt tejet të rëndësishëm. Projektligji përcakton se fëmijë në rrezik konsiderohet fëmija të cilit i mohohen ose i cënohen të drejtat, ku përfshihen edhe fëmijët ndaj të cilëve ushtrohet dhunë në familje, institucione arsimore, institucione ku trajtohet apo mbahet i ndaluar, si dhe ata që shfrytëzohen për lypje nga prindërit/përfaqësuesit e tyre ligjor (fëmijët e rrugës). Nëse konstatohet që ndaj një fëmije janë ushtruar forma të dhunës apo keqtrajtimit të sipërcituar, kushdo ka të drejtë që të referojë rastin konkret në Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili do të funksionojë pranë njësive të qeverisjes vendore. Njësia e referon rastin në grupin multidisplinar, që do të ngrihet pranë saj, për të vlerësuar e analizuar rastin konkret, nevojat urgjente për mbështetje, duke njoftuar njëkohësisht organet kompetente të policisë e sistemit të drejtësisë. Përfaqësuesit e organeve të policisë dhe drejtësisë (në atë njësi vendore) do të jenë pjesë e mekanizmit, i cili do të bashkërendojë punën ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse për referimin e rasteve të fëmijëve në rrezik në nivel vendor. Nëse konstatohet që ndaj një fëmije është ushtruar dhunë në familje apo është shfrytëzuar nga familja për të kryer punë, për të lypur etj., atëherë personi ligjërisht përgjegjës për fëmijën (që mund të jetë mësuesi në shkollë, edukatori etj.) si dhe organet e policisë/prokurorisë, bazuar edhe në Ligjin për Dhunën në Marrëdhëniet Familjare, kanë të drejtën që të kërkojnë drejtpërdrejt në gjykatë nxjerrjen e një urdhri të menjëhershëm mbrojtje për fëmijën. Gjykata brenda 24 orëve jep vendim, duke u shprehur edhe lidhur me sistemin e fëmijës në përkujdesje alternative - pranë një familjeje kujdestare apo institucioni të përkujdesit shoqëror. Gjithashtu, organet e policisë e prokurorisë mund të fillojnë ndjekjen penale ndaj prindërve/përfaqësuesit ligjor të fëmijës, bazuar në nenin 124 të Kodit Penal “Keqtrajtimi fizik dhe shfrytëzimi i fëmijës” dhe në Kodin e Familjes, duke kërkuar deri edhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, ndaj prindit dhunues apo shfrytëzues. Pra, këta elementë bëjnë që ligji të mos jetë thjesht përcaktues apo deklarues i të drejtave të fëmijëve, por edhe garantues i zbatimit të tyre. Nga ana tjetër, projektligji ka trajtuar në mënyrë më të hollësishme të drejtat për të cilat legjislacioni i fushës përkatëse nuk ka rregullime të detajuara për masat konkrete që duhet të ndërmerren për garantimin e tyre, ndërkohë që të drejtat për të cilat legjislacioni në fuqi i ka trajtuar hollësisht, projektligji ka përcaktuar thjesht të drejtën, duke ia lënë rregullimin ligjit të veçantë. P.sh. e drejta për kujdes shëndetësor (neni 19 i projekligjit) ka gjetur rregullim të veçantë lidhur me masat që duhet të ndërmerren për garantimin e kësaj të drejte. Me hartimin dhe miratimin e këtij projektligji Shqipëria përmbush një tjetër angazhim të sajin dhe detyrim në kuadrin e integrimit të vendit në BE si dhe institucionet e saj marrin përgjegjësi konkrete për mbrojtjen reale të drejtave të fëmijëve. Për këtë arsye, ne kërkojmë miratimin e projektligjit nga ana juaj si dhe, në vazhdimësi, do të kërkojmë angazhim të të gjitha institucioneve përgjegjëse të listuara në këtë projektligj për zbatimin e të gjitha detyrimeve në mënyrë që fëmijëve t’u garantohet çdo e drejtë. Ju faleminderit! |
| Last Updated on Thursday, 04 November 2010 17:24 |