mpcsh

logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Këshilli i Ministrave miraton Standartet e Shërbimit të Kujdestarisë për Fëmijët në Nevojë Print E-mail
Wednesday, 08 September 2010 20:31
Sigurohet vazhdimësia e mirërritjes së fëmijëve në ambient familjar

logo-mpcsshb-newsKujdestaria është shërbim alternativ i që ofrohet për mbrojtjen e fëmijëve të mitur, kur prindërit e tyre janë në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore për shkak se të dy prindërit kanë vdekur ose nuk njihen, ose janë shpallur të pagjetur, ose u është hequr zotësia për të vepruar si dhe për çdo shkak tjetër të pranuar nga gjykata. Ky shërbim është futur për herë të parë në dokumentin politik për mbrojtjen sociale në vitin 2007. 

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në zbatim të ligjit “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, Strategjisë Sektoriale të Mbrojtjes Sociale 2007-2013, dhe të politikave për kujdestarinë për fëmijët në nevojë, hartoi Standardet e Shërbimit të Kujdestarisë për fëmijët në nevojë, të cilat u miratuan në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

Kujdestaria siguron vazhdimësinë e mirërritjes së fëmijëve në vështirësi në ambient familjar, nëpërmjet familjes zëvendësuese, ku fëmijët ndjehen të rrethuar me vëmendje dhe kujdes familjar. Po ashtu, kujdestaria siguron kujdes dhe zhvillim për fëmijët në vështirësi në përputhje me moshën, nevojat individuale dhe standartet e sherbimit te kujdestarise, socializim dhe riintegrim të fëmijës me familjen biologjike tek të afërmit, familjen adoptive dhe në komunitet. Strukturat përkatëse gjatë periudhes së kujdestarisë monitorojnë situatën e fëmijës gjatë qëndrimit në familjen kujdestare.

Shërbimi i kujdestarisë realizohet duke respektuar parimet themelore në interes të fëmijës si, të drejtën e fëmijës për t’u mirërritur dhe edukuar në mjedis familjar, identitetin e fëmijës, ruajtjen e marrëdhënieve të fëmijës me familjen biologjike, sistemimin e motrave/vëllezërve në të njëjtën familje kujdestare, respektimin e mendimit të fëmijës, shmangien e diskriminimit, etj.

Afati i qëndrimit në kujdestari të fëmijës përcaktohet në varësi të specifikave dhe nevojave të tij. Kujdestaria konsiderohet afatshkurtër kur qëndrimi në familjen kujdestare nuk i kalon 12 muaj. Kujdestaria afatgjate konsiderohet mbi 12 muaj dhe zgjat deri në momentin kur fëmija arrin moshën e pjekurisë, 18 vjeç.

Për vendosjen e fëmijës në kujdestari përfshihen disa institucione, publike dhe operatorë të tjerë privatë të cilët ofrojnë informacion për rastet në nevojë dhe angazhohen për sistemimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdestarisë. Standartet parashikojnë garantimin e mbështetjes sociale, akomodimin, informimin, ndihmën mjekësore, psikologjike dhe materiale, edukimin, punësimin, mundësinë për trajnim, masat për mbrojtje për femijët e vënë në kujdestari.

Standartet e kujdestarisë detajojnë në mënyrë të hollësishme vlerësimin e nevojave të fëmijës dhe realizimin e shërbimeve gjatë gjithë periudhës që fëmija qëndron në kujdestari.

Paketa e shërbimeve të kujdestarisë përmban 24 Standarte, të cilat mbulojnë tre fusha: jetën e fëmijëve, familjes kujdestare dhe të institucioneve për organizimin e këtij shërbimi.

Në fushën Fëmijët dhe të rinjtë zhvillohen 13 standarte bazë, të cilat lidhen me të drejtat e fëmijëve, vlerësimin e nevojave, vendosjen në kujdestari, programimin e shërbimeve dhe garantimin e gjendjes shëndetësore, edukative e deri tek masat kur fëmija do të largohet nga shërbimi i kujdestarisë.

Për Prindërit kujdestarë janë përcaktuar 4 Standarde që lidhen me vlerësimin e familjes kujdestare, miratimin nga bordi dhe gjykata si ofrues shërbimesh, monitorimin e shërbimeve të ofruara prej saj dhe mbështetjen, trainimin dhe rivlerësimin e familjes kujdestare gjatë procesit të kujdestarisë.

Për institucionet dhe Strukturat e Shërbimit të kujdestarisë janë formuluar 7 Standarde, të cilat gjithashtu zbërthehen me paketa kriteresh që vendosin rregulla për veprimtarinë e këtyre aktorëve për realizimin e kujdestarisë për fëmijët.

Standartet kombëtare përbëjnë kushtin e parë në procesin e licensimit, inspektimit dhe të vlerësimit të shërbimeve shoqërore, që ofrohen nga OJF-të dhe operatorët e tjerë publikë e privatë. Ato janë të detyrueshme të zbatohen nga të gjithë ofruesit publikë e privatë të shërbimeve shoqërore.

Në proçesin e hartimit të standardeve, përveç strukturave të MPÇSSHB dhe SHSSH janë angazhuar ekspertë të Ministrisë së Brendshme, përfaqësues nga pushteti vendor, organizata aktive “EveryChild”, organizata ndërkombëtare si UNICEF etj. Drafti është konsultuar me të gjithë ofruesit e shërbimeve dhe aktorë të tjerë të interesuar.
 

Kontakti

kontakt-mpcsshb

FLASH

Kerkoni ne website