|
Ministria e Punës mbledh përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse |
|
|
|
Monday, 06 September 2010 00:00 |
Zbatimi i masave të Strategjisë së Riintegrimit prioritet i Ministrisë
Zbatimi në kohë i të gjitha masave të parashikuara në Planin e Veprimit të Strategjisë për Riintegrimin e Shtetasve Shqiptarë të Kthyer, 2010-2015, ka mbledhur sot në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta grupin e punës, që përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve përgjegjëse për zbatimin e strategjisë së miratuar tri muaj më parë.
Strategjia dhe Plani i saj i Veprimit janë dokumenta të rëndësishëm politikë dhe zbatimi i tyre përbën një detyrim të përmbushur në kuadër të integrimit të vendit në familjen evropiane dhe në procesin e liberalizmit të vizave. Zbatimi i masave të Strategjisë do të lehtësojë procesin e riintegrimit të shtetasve të kthyer në vend, nëpërmjet ofrimit në një kohë sa më të shpejtë dhe në cilësinë më të lartë të të gjithë informacionit të nevojshëm dhe domosdoshëm rreth institucioneve, shërbimeve dhe përfitimeve, si dhe do të krijojë lehtësira dhe mbështetje për riintegrimin e tyre në tregun e punës dhe në shoqëri.
Ministria e Punës, si institucioni lider në procesin e zbatimit dhe monitorimit të Strategjisë, thirri sot takimin e parë të grupit monitorues, i cili përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë e Punëve të Jashtme, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës.
Në takim u diskutua dhe raportua mbi nivelin e zbatimit të masave të Planit të Veprimit të Strategjisë për Riintegrimin e Shtetasve të Kthyer nga të gjitha strukturat përgjegjëse, mbi nevojën e ngritjes së një mekanizmi shtetëror për të ndjekur riintegrimin e shtetasve shqiptarë pas kthimit si dhe institucionalizmin e detyrimit për raportim të institucioneve pranë Sekretariatit Teknik për zbatimin e masave të planit të veprimit.
Në takim u vendos gjithashtu që çdo muaj institucionet të koordinojë dhe shkëmbejnë informacionin rreth numrit të të kthyerve, informacionit dhe shërbimeve që u janë ofruar atyre dhe problemeve të dala në këtë proces.
Grupi i Punës për monitorimin dhe zbatimin e Strategjisë për Riintegrimin do të mblidhet periodikisht për të raportuar rreth hapat të ndërmarra për zbatimin e Masave të Veprimit nga institucionet përgjegjëse si dhe për të koordinuar punën mes institucioneve.
Komisioni faktmbledhës i KE që vizitoi Shqipërinë para pak kohësh e vlerësoi si një kusht të përmbushur për liveralizimin e vizave hartimin dhe miratimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Riintegrimin si dhe vlerësoi pozitivisht pasat e marra nga institucionet për zbatimin e tyre.
|