|
Tuesday, 27 July 2010 22:16 |
Ministria e Punës akomodon fëmijët e familjes Mustafa në fshatin SOS
Dy prej fëmijëve të familjes Mustafa, që i mbijetuan aksidentit të rëndë të 17 korrikut në Gjegjan të Pukës, vëllezërit Mirsed dhe Armando Mustafa, përkatësisht 4 dhe 8 vjeç, nga sot do të jenë pjesë e familjes së madhe të fëmijëve jetimë në fshatin SOS, qendra e shërbimeve sociale Bethani. Vendimi është marrë nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në bashkëpunim me familjarët e fëmijëve, të cilët humbën prindërit dhe një motër 13 vjeçe ditën kur autobusi me të cilin ktheheshin nga pushimet në Durrës, ra në humnerë. Drejtoresha e Politikave të Shërbimeve Sociale në Ministrinë e Punës, Denada Seferi, tha për mediat se pas dy vëllezërve, pritet akomodimi në fshatin SOS edhe i dy motrave të familjes Mustafa, Anisës 10 vjeçe dhe Miraldës 14 vjeçe. Aktualisht dy motrat Mustafa po trajtohen ende në spitalin Ushtarak. Mjekët specialistë janë shprehur optimistë për përmirësimin e gjendjes së tyre. Familja Mustafa është familja që u dëmtua më shumë nga aksidenti i rëndë i 17 korrikut, pasi humbi tre persona. |