mpcsh

logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Mblidhet Këshilli Kombëtar i Punës Print E-mail
Tuesday, 27 July 2010 22:11
Diskutohet projektligji për profesionet e vështira

mbledhje-kkp-korrik-2010Sot u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Punës (KKP), e drejtuar nga Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barbarta, Spiro Ksera, në funksionin e tij si kryetar i këtij Këshilli. KKP është organi më i lartë konsultativ tripalësh në vend, në përbërje të të cilit në funksionin e anëtarit bëjnë pjesë shtatë ministra si dhe njëzet përfaqësues të partnerëve socialë, nga të cilët dhjetë përfaqësues të organizatave të punëdhënësve dhe dhjetë përfaqësues të organizatave sindikale.

Me kërkesë të përfaqësuesve të sindikatave, tema e parë që u disktutua në mbledhjen e sotme ishte projektligji “Për trajtimin e veçantë të punonjësve të profesioneve të veshtira dhe të rrezikshme”.
Drejtori i Drejtorisë së Politikave për Pagat dhe Pensionet në Ministrinë e Punës, Astrit Kuka, prezantoi risitë e projektligjit. Sipas drejtorit Kuka “kërkesat e vazhdueshme të sindikatave për trajtimin e  punonjesve te  profesioneve te veshtira, u vleresuan nga Kryeministri, i cili me Urdherin nr. nr.28, datë 5.2.2010, ngriti grupin e punës për trajtimin e këtyre kërkesave me qëllim propozimin e projekt-akteve të nevojshme ligjore”.

Kuka sqaroi se drafti është konsultuar me grupet e interesit dhe është bazuar në një studim paraprak të legjislacionit të vendeve të tjera.

Kuka sqaroi se “Projektligji parashikon mbështetje financiare për punonjësit që kanë punuar në punë të vështirë, të kategorisë së parë në moshën 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë, me kusht që të ketë periudhë sigurimi:
a) 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet në punë të  kategorisë së parë  në nëntoke; ose
b) 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 22 vjet e 6 muaj në punë të kategorisë së parë.

Nga ky projektligj parashikohet që të përfitojnë rreth 3000 persona.

Këshilli miratoi Projekligjin dhe u kërkua kalimi i tij sa më shpejt për miratim në Këshillin e Ministrave dhe në Parlament.

Një tjetër tematikë e rëndësishme dhe që zgjoi debate në mbledhjen e sotme ishte edhe diskutimi rreth propozimeve të industrise fasoniste mbi disa ndryshime ligjore për mbështetjen e kësaj industrie. Sipas Ministrit Ksera industria fasoniste ka një peshë të madhe në tregun vendas dhe konsiderohet si punëdhënësi më i madh në sektorin e manifakturimit në vend, për këtë arsye, diskutimi në Këshillin Kombëtar të Punës rreth shqetësimeve dhe propozimeve të tyre vlerësohet shumë i rëndësishëm.

Propozimet e industrisë fasoniste u prezantuan nga Bardhi Sejdarasi. “Sektori i fasonit, në vazhdën e partneritetit të realizuar me Qeverinë, ka kërkuar e kërkon mbështetje ligjore, incentiva e vëmendje për t’i mbijetuar efekteve të krizës, e cila ka sjellë një impakt negativ në tërë ecurinë e sektorit”, deklaroi Sejdarasi, i cili më pas renditi kërkesat e paraqitura nga ky sektor, ndër të cilat: heqja e taksës së tatim-fitimit për këtë sektor për një periudhë 3-5vjeçare, përjashtimi i punonjësve të rinj nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore për 1-3 vjet, heqjen e TVSH dhe te taksës doganore, etj.

Me ndërhyrjen e Z. Avenir Kika, përfaqësues i punëdhënësve në Këshill, kërkesat u grupuan në tri kryesore:
-    Mbështetja nëpërmjet fondeve të Ministrisë së Punës për formimin profesional dhe nxitjen e punësimit për mbështetjen e formimit profesional nëpërmjet punës në këtë sektor;
-    Mbështetja nga Ministria e Financave nëpërmjet aplikimit të lehtësirave fiskale për ato biznese fasonistësh që kalojnë nga prodhimi me material porositësi, në prodhime Made in Albania;
-    Fillimi i një dialogu me sigurimet shoqërore për rillogaritjen e bazës së vlerësueshme.

Ministri Ksera, njëherësh edhe kryetar i Këshillit, propozoi që të gjitha palët të reflektojnë rreth diskutimeve të bëra në mbledhjen e KKP dhe brenda dhjetë ditësh të paraqesin pranë Ministrisë së punës propozimet për mbështetejn e këtij sektori. “Pas mbledhjes së propozimeve, në funksionin tim si Kryetar i këshillit, do t’ia bëj ato me dije Këshillit të Ministrave, me qëllim diskutimin e tyre nga institucionet përgjegjëse”, u shpreh Ksera, propozim që u pranua dhe u miratua nga anëtarët e tjerë të Këshillit.

Po ashtu, në mbledhje u siktua edhe rreth Konventave të ILO të ratifikuara nga Shqipëria dhe u miratua fillimi i procedurave për ratifikimin e Konventës nr.167 “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë në Ndërtim”.
 

Kontakti

kontakt-mpcsshb

FLASH

Kerkoni ne website