


| Për herë të parë shërbim kujdestarie për fëmijët në nevojë |
|
|
| Monday, 04 August 2008 05:26 |
|
Dokumenti mbështetet në Strategjinë Kombëtare për Fëmijët, Kodin e Familjes dhe përpjekjet e Qeverisë për të reformuar sistemin e shërbimit social në Shqipëri. Dokumenti i politikave për “Kujdestarinë e fëmijëve në nevojë” përbën një platformë të rëndësishëm, një sfidë për promovimin dhe aplikimin e shërbimeve të reja alternative për fëmijet në nevojë, me bazë shërbimet në familje, që ofron zgjidhje në interes të fëmijës. Shërbimet alternative me bazë familjen, konkretisht, kujdestaria për fëmijë në nevojë, bazohet në proçesin e decentralizimit dhe ngritjes së shërbimeve komunitare, ku fëmija mbështetet dhe ndihmohet në mjedis familjar, duke respektuar kështu te drejtat themelore të tij që burojnë nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës. Grupet që do të përfshihen – janë grupet e fëmijëve në situatë kritike ekonomike dhe shoqërore, që u mohohen apo nuk u respektohen të drejtat: fëmijët e familjeve më të varfëra, të cilët jetojnë me ndihmë ekonomike, fëmijët që u mungon kujdesi prindëror, fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijët që detyrohen të punojnë, fëmijët e trafikuar dhe që kanë migruar, fëmijët e ngujuar për shkak të gjakmarrjes, fëmijët romë dhe egjyptianë, fëmijët e paregjistruar në lindje •Vendosja në familje që i mirëpresin këta fëmijë dhe kanë dëshirë të jetojnë me ta për aq kohë sa familjet dhe prindërit e tyre të zgjidhin problemet është e përshtatshme dhe ndihmon për t’iu rikthyer fëmijëve atmosferën e jetesës në një familje normale. Kështu, këta fëmijë do t’i shmangen institucionalizimit dhe do të riintegrohen në jetën familjare nëpërmjet shërbimit të kujdestarisë duke ndjekur hapat e kësaj strategjie. Shërbimi i Kujdestarisë është ofrimi i një mbrojtje të veçante nga shteti për fëmijët e mitur, kur prindërit e tyre janë në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore për shkak se të dy prindërit kanë vdekur ose nuk njihen, janë shpallur të pagjetur, u është hequr zotësia për të vepruar si dhe për çdo shkak tjetër të pranuar nga gjykata. Gjykata vendos për kujdestarinë e fëmijës, për sistemimin e tij në një institucion të përkujdesjes apo në një familje alternative, me qëllim që t’i ofrohet fëmijës një mjedis familjar, kushte për mirërritje, përkujdesje fizike dhe mbështetje emocionale. Institucionet e përfshira në Shërbimin e Kujdestarisë dhe ofruesit e këtij shërbimi: Zyra e Ndihmës dhe Shërbimeve Sociale e Bashkisë/Komunës; Qendrat sociale në nivel komunitar, organizata/agjensi të liçensuara/kontraktuara për ofrimin e këtij shërbimi, Gjykata e rrethit ku banon fëmija, Inspektoriati Shtetëror i Shërbimeve Sociale, Ministria e Financës dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Kohëzgjatja: Shërbimi i kujdestarisë ofron sistemimin e fëmijës në familje kujdestare sipas specifikës dhe nevojës së rastit në periudha: Afatshkurtër – jo më të gjatë se 12 muaj; Afatgjatë – nga 12 muaj deri kur fëmija arrin moshën e pjekurisë; Sistemim emergjent i fëmijës – Ky sistemim do të bëhet në përputhje me përcaktimet ligjore për proçedurat që ndiqen për kujdestarinë duke synuar dhe respektuar afatet minimale në fuqi nga Gjykatat (në bazë të nenit 281 dhe 300 – Masa urgjente) në rastet kur kjo është vlerësuar në interesin më të lartë të fëmijës nga organet e Prokurorisë dhe të punonjësve përkatës të cilët kanë identifikuar problemet. Po ashtu dokumneti përcakton edhe kushte dhe kriteret për përzgjedhja e prindërve kujdestarë/familjes kujdestare, proces që kalon në disa faza të cilat synojnë gjetjen e një familje të përshtatshme në interesin më të mirë të fëmijës. Gjatë kohës që fëmija do të përfitojë shërbimin e kujdestarisë parashikohet edhe monitorimi ikëtij shërbimi, qëllimi kryesor i të cilit është vëzhgimi i nivelit të përmbushjes së nevojave të fëmijës dhe se si prindi kujdestar menaxhon proçesin e kujdesit ndaj fëmijës në kujdestari. Monitorimi do të ktyhet nga punonjësit social/ekipi multidisiplinar që ndjek familjen kujdestare dhe fëmijën. Përgatitja e fëmijës për tu larguar nga shërbimi i kujdestarisë është përcaktuar të vijë edhe si rrjedhojë e planit individual të fëmijës sipas proçedurave dhe akteve të përcaktuara nga gjykata. Riintegrimi i fëmijës në familjen biologjike, familjen adoptive apo jetë të pavarur varet shumë nga përgatitja paraprake e fëmijës për këtë lloj jete. Dokumenti parashikon Pilotimin e Shërbimit të Kujdestarisë për Fëmijët në nevojë në qytetet Tiranë dhe Shkodër në vitet 2008-2010 Bazuar në statistikat aktuale, këto janë dy nga qytetet me një numër të madh fëmijësh në prag të institucionalizimit dhe, nga ana tjetër, në këto zona ka një eksperiencë paraprake të demonstruar nga organizata “EveryChild” me dy qendra komunitare. Parashikohet të trajtohen gjithsej 80 fëmijë nga të cilët 60 fëmijë që rrezikojnë të institucionalizohen dhe 20 raste të fëmijëve që mund të deinstitucionalizohen. |
| Last Updated ( Monday, 04 August 2008 05:28 ) |