|
Program për punësimin në tre vite të 48 mijë të rinjve |
|
|
|
Thursday, 01 July 2010 13:52 |
Zv/Ministri Sulka: Përfitojnë të rinjtë në qarkun e Shkodrës dhe të Kukësit
Brenda tre viteve do të punësohen 48 mijë të rinj, nga zbatimi i projektin “Migrimi i Rinisë - Vjelja e përfitimeve dhe zbutja e risqeve”, pjesë e programit “Një OKB”, me vlerë 3.3 milionë dollarë, akorduar nga fondi spanjoll. Për realizmin e këtij projekti një vit më parë nisi ndërtimi i Planit të Veprimit, “zbatimi i të cilit do të nis nesër me çeljen në Shkodër të qendrës së re të Shërbimit të Punësimin të të Rinjve (SHPR), pranë Zyrës Rajonale të Punësimit”, tha zv/ministri Kastriot Sulka, në seminarin “Punësimi i të rinjve në Shqipëri: Qasje të reja dhe mekanizmat financues”, ku u diskutuan masat që do të merren mbi tregun e punës. Sipas Sulkës, të parët që do të përfitojnë nga ky program janë të rinjtë në qarkun verior të Shkodrës dhe atë verilindor të Kukësit, të cilët konsiderohen ndër më të prekurit nga punësimi informal dhe emigrimi. Grupmosha 16-24 vjeç në Shkodër dhe Kukës përbën rreth 40 përqind të numrit të përgjithshëm të të regjistruarve si të papunë në këto qarqe. Shqipëria është një ndër 7 vendet europiane të përzgjedhura për pilotimin e kësaj nisme për reformimin e Kombeve të Bashkuara, “një nismë që synon nxitjen e punësimit të të rinjve në zonat veriore, për të minimizuar rreziqet e përfshirjes në migracionin e parregullt, përmes përmirësimit të prodhimtarisë, shndërrimit të ndërmarrjeve informale dhe kushteve më të mira të punës”, tha Drejtori i zyrës së UNDP, Norimasa Shimomura, i cili theksoi se punësimi i të rinjve është kyç për uljen e varfërisë dhe zhvillimin e vazhdueshëm. Kryetari i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi, vlerësoi se ngritja e Zyrës Rajonale të Punësimit do të forcojë aksesin e fondeve të qeverisjes rajonale nga instrumentat europian dhe do të aktivizojë bashkëpunimin edhe me bizneset. “Kjo mënyrë punësimi është primare për përfshirjen sociale”, tha Presidentja e Asamblesë së Rajoneve të Europës, Michele Sabban, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve publik dhe privat në dobi të qytetarëve. Programi i përbashkët për Rininë, Punësimin dhe Migrimin do të zbatohet nga ILO, IOM, PNUD dhe UNICEF, në bashkëpunim Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai synon të mbështesë përpjekjet e Qeverisë shqiptare për të integruar përparësitë e politikave të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI 2007-2013) për punësimin e të rinjve dhe migrimin me strategjitë e punësimit dhe trajnimit profesional. Rezultatet e pritshme në fund të programit, tha Ambasadori i Spanjës, Manuel Montobbio, “përfshijnë përmirësimin e kapaciteteve të Qeverisë shqiptare për të monitoruar treguesit e tregut të punës për të rinjtë, përmirësimin e njohurive dhe të kuptuarit të politikave të integruara dhe masave për të trajtuar ekonominë informale dhe ndikimin e saj në migrim, etj”. |