|
MARRI – Tryezë për lëvizjen e lirë, pa viza, pa tarifa ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor |
|
|
|
Tuesday, 22 June 2010 14:42 |
Ksera: Bashkëpunimi rajonal siguron lëvizjen e lirë të shtetasve brenda Rajonit dhe përmbushjen e standarteve europiane
MARRI – Nisma Rajonale për Migracionin, Azilin, Refugjatët (MARRI), anëtare të së cilës janë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, organizoi sot në Tiranë tryezën ”Përmirësimi dhe intensifikimi në shkëmbimin e informacionit dhe të dhënave mbi migracionin e refugjatët midis vendeve anëtare të MARRI-t. Lëvizja e lirë, pa viza, pa tarifa, ndërmjet vendeve anëtare të MARRI-t”. Në takim morën pjesë Ministri i Brendshëm - Lulëzim Basha, Ministri i Punës - Spiro Ksera, Ambasadori i BE në Shqipëri – Helmut Lohan, Drejtori i Qendrës Rajonale të MARRI-t – Trpe Stojanovski, Presidenti i radhës së MARRI – Mal Berisha, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Nismës. Ministri Basha vlerësoi Nismën dhe në emër të Qeverisë shqiptare kërkoi prej saj dhe vendeve anëtare që, pavarësisht nga qëndrimet e tyre për pavarësinë e Kosovës, ta rimarrin në konsideratë përfshirjen në këtë nismë edhe të këtij vendi, pasi kjo do të ishte në të mirë të gjithëpërfshirjes dhe integrimit të Rajonit. Minisri Ksera theksoi se MARRI merr një rëndësi të madhe për vendet anëtare, pasi nxit bashkëpunimin e ngushtë rajonal mes qeverive dhe strukturave përgjegjëse për menaxhimin më të mirë të kufijve, harmonizimin e politikave të vizave, bashkëpunimin konsullor, duke kontribuar në lehtësimin e lëvizjes së shtetasve brenda Rajonit si dhe në përmbushjen e standarteve ndërkombëtare dhe europiane. Duke u ndalur në politikat e Qeverisë shqiptare për menaxhimin e fenomenit të migracionit, Ksera vuri në dukje se “vëmendja e Qeverisë është e fokusuar jo vetëm në hartimin e zbatimin e legjislacionit që siguron mbështetje për emigrantët në vendet pritëse, por edhe për mbështetjen e shtetasve të cilët vendosin të rikthehen në vend, për të jetuar, punuar dhe investuar”. “Strategjia ‘Për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer 2010-2015’ si dhe Plani i saj i Veprimit, miratuar pak ditë më parë, konsiston në sigurimin e një kthimi të qëndrueshëm për shtetasit shqiptarë, përmes lehtësimit të procesit të riintegrimit, duke synuar minimizimin e kostove të migracionit, maksimizimin e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të emigrantëve për zhvillimin ekonomik të vendit”, deklaroi Ksera. Tryeza i vazhdoi punimet me diskutimet e përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe ekspertët evropianë që sollën eksperiëncën e BE. Bashkangjitur keni fjalën e plotë të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera në Tryezë. |