mpcsh

logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Tryezë e rrumbullakët, ”Përmirësimi dhe intensifikimi në shkëmbimin e informacionit dhe të dhënave mbi migracionin e refugjatët midis vendeve anëtare të MARRI-t. Lëvizja e lirë, pa viza, pa tarifa, ndërmjet vendeve anëtare të MARRI-t” Print E-mail
Tuesday, 22 June 2010 14:29
tryeze-rrumbullaket-22-6I nderuar Ministër Basha,
I nderuar zoti Stojanovski,
I nderuar zoti Lohan,
Të nderuar ekspertë dhe përfaqësues të vendeve të Rajonit,
Të nderuar pjesëmarrës
,

Emigracioni dhe azili përbëjnë një nga temat qendrore në marrëdhëniet aktuale ndërkombëtare dhe debatin e sotëm politik global. Më e madhe bëhet rëndësia e këtij debati kur bëhet fjalë për marrëdhënie rajonale në një zonë si Ballkani, i prekur në mënyrë të ndjeshme nga fenomene të migrimit, veçanërisht pas ndryshimeve gjeopolitike të ndodhura këto 20 vitet e fundit.
Nisma Rajonale për Migracionin, Azilin, Refugjatët (e njohur si MARRI), e cila ka në fokus të vet menaxhimin e migracionit në Ballkanin Perëndimor, merr një rëndësi të madhe për vendet tona, pasi nxit bashkëpunimin e ngushtë rajonal mes qeverive dhe strukturave përgjegjëse për menaxhimin më të mirë të kufijve, harmonizimin e politikave të vizave, bashkëpunimin konsullor, duke kontribuar kështu në lehtësimin e lëvizjes së shtetasve të vendeve tona brenda Rajonit si dhe në përmbushjen e standarteve ndërkombëtare dhe europiane.
Shqipëria, si një nga vendet me përqindjen më të lartë të shtetasve të vet emigrantë në Evropë, është pjesë e proçeseve globale dhe rajonale për menaxhimin e migracionit.
Gjej rastin të përshëndes dhe falenderoj organizatorët, Presidencën shqiptare të Nismës Rajonale për Migracionin, Azilin, Refugjatët, si dhe Qendrën Rajonale të saj, për organizimin në Shqipëri të kësaj tryeze, e cila merr përsipër të diskutojë mes palëve rrugët për krijimin e hapësirave për lëvizjen e lirë, pa viza e pa tarifa të shtetasve të vendeve tona, intensifikimin dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit e të dhënave mbi migracionin e refugjatët. Është koha që tanimë ne të krijojmë Shengenin Rajonal ku shtetasit tanë të udhëtojë të lirë pa pengesa në të gjitha vendet e Rajonit.
Vendet anëtare të Nismës: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia do të sjellin këtu sot eksperiencat më të mira në menaxhimin e kufijve, luftën ndaj migracionit ilegal, prodhimin dhe përdorimin e dokumentave të identifikimit të personit me elementë sigurie të nivelit më të lartë, etj.
Menaxhimi i flukseve migratore ka qenë dhe mbetet një ndër detyrat më të vështira të të gjitha qeverive shqiptare pasi, gjatë tranzicionit vendi u gjet i papërgatitur për të përballuar proçesin migrator, për arsye të karakterit masiv të fluksit migrator si dhe mungesës së politikave, legjislacionit dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e tij. Vitet e fundit situata ka ndyshuar dhe Shqipëria tashmë ka hartuar dhe zbaton politika efikase për menaxhimin e këtij fenomeni.
Ministria e Punës në bashkëpunim me ministritë e linjës po punon për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Migracionit si dhe Planin e Veprimit. Aktorët e përfshirë në procesin e hartimit dhe zbatimit të politikave dhe legjislacionit në fushën e migracionit nuk janë thjesht dhe vetëm strukturat shtetërore qendrore, por edhe ato vendore, shoqëria civile dhe shoqatat e emigrantëve, gjë që ka ndikuar edhe në përgjigjen më të mirë ndaj këtij fenomeni.
Është siguruar një bashkëpunim shumë i mirë midis të gjithë aktorëve të fokusuara në politikat dhe menaxhimin e emigrimit: Delegacionin e Komisionit Evropian në Tiranë, Misionin e IOM-it, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Brendshme, të cilët kanë kontribuar në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe realizimin e ndërhyrjeve në fusha të veçanta të menaxhimit të migracionit.
Tashmë vëmendja e Qeverisë nuk është e fokusuar vetëm në hartimin dhe zbatimin e legjislacionit që siguron mbështetje për emigrantët në vendet pritëse, për integrimin e tyre social-ekonomike në këto vende, por edhe për mbështetjen e shtetasve të cilët vendosin të rikthehen në vend, për të jetuar, punuar dhe investuar. Vetëm pak ditë më parë Qeveria shqiptare miratoi Strategjinë “Për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer 2010-2015” si dhe Planin e saj të Veprimit, e cila konsiston në sigurimin e një kthimi të qëndrueshëm për shtetasit shqiptarë, përmes lehtësimit të procesit të riintegrimit, duke synuar minimizimin e kostove të migracionit, maksimizimin e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të emigrantëve për zhvillimin ekonomik të vendit.
Miratimi i këtij dokumenti kontribuon në riintegrimin e shtetasve të rikthyer dhe përmbush detyrimet tona në procesin e stabilizim asociimit, marrëveshjen e ripranimit dhe procesin e liberalizimit të vizave me BE-në.
Strategjia dhe Plani i Veprimit kanë në fokus migrantët e kthyer në kuadër të marrëveshjes së ripranimit KE-Shqipëri, marrëveshjeve dypalëshe, ose përmes kthimit të detyruar, si dhe migrantët e kthyer vullnetarisht.
Masat e parashikuara në Planin e Veprimit synojnë krijimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore dhe institucionale për të ofruar shërbime punësimi, formimi profesional, strehimi, arsimimi, shërbime sociale, informimi e referimi për migrantët e kthyer.
Përshpejtimi i proçeseve integruese të vendeve të Rajonit në familjen evropiane dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e këtyre vendeve, e vendos menaxhimin e dukurisë migratore në një kontekst të ri dhe Qeveritë tona duhet të punojnë intensivisht për t’i paraprirë këtij procesi. Bashkëpunimi mes vendeve tona tanimë nuk mund të konsiderohet vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm, pasi integrimi rajonal është hapi i parë drejt integrimit të sigurt dhe të merituar në familjen europiane.
I uroj Nismës Rajonale për Migracionin, Azilin, Refugjatët dhe kësaj Tryeze suksese dhe rezultate konkrete në të mirë të vendeve tona dhe shtetasve tanë.

Faleminderit!
 

Kontakti

kontakt-mpcsshb

FLASH

Kerkoni ne website