Ksera: Kuotat ushqimore në qendrat sociale publike për fëmijë janë rritur 25% në krahasim me vitin 2008
“Ministria e Punës ka ndërmarrë përmirësime të rëndësishme në fushën ligjore, strukturore dhe organizative për sigurimin e kushteve të përshtatshme për mirërritjen e fëmijëve në nevojë” u shpreh Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, në takimin Kombëtar për zbatimin e programit “Për zvogëlimin e kequshqyerjes së fëmijëve shqiptarë dhe rritjen e aksesit për ushqim”, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit & Mbrojtjes së Konsumatorit, agjensitë e OKB dhe Fondi i Zhvillimit (MDG Achievement Fund).
“Aktualisht Ministria po punon për përmirësimin e legjislacionit dhe përafrimin e tij me atë evropian, ngritjen e institucionit të Komisionerit, si dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore dhe jo vetëm, për integrimin e vendit në familjen evropiane”, vazhdoi më tej Ksera.
Ministri i Punës theksoi se, “reformimi i sistemit të mbrojtjes sociale synon të ndikojë drejtpërsëdrejti në reduktimin e varfërisë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për familjet dhe grupet në nevojë, ku përfshihen edhe fëmijët” dhe, duke u ndalur në programin e ndihmës ekonomike për vitin 2010, Ksera bëri me dije se “96 mijë familjet në skemë mbështeten me një fond prej 5 miliard lekë, nga 3.5 miliard lekë në 2008, ose me 66% më shumë fonde për mbulimin e varfërisë, duke arritur kështu dyfishim të masës mesatare për familje.
Duke u ndalur tek vëmendja në rritje e shtetit për garantimin e standarteve në ushqyerje të fëmijëve që trajtohen në qendrat publike sociale, Ministri Ksera vuri në dukje se “kuotat ushqimore për institucionet rezidenciale dhe komunitare rriten nga viti në vit dhe se konkretisht kuotat ushqimore janë rritur nga 20% deri në 25 % në krahasim me vitin 2008”.
Fjala e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera Promovimi, garantimi dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përbën një ndër prioritet e programeve dhe analizave legjislative dhe institucionale të ndërmarra dhe të realizuara deri më sot nga institucionet politikbërëse shqiptare.
Politikat e Qeverisë shqiptare dhe të MPÇSSHB kanë synuar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe instrumentet ligjorë ndërkombëtarë të ratifikuar, në përputhje edhe me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Fëmijëve e drejta për kujdes shëndetësor, e drejta për mbrojtje, e drejta për zhvillim dhe e drejta për pjesmarrje. Në këtë frymë, Ministria e Punës ka ndërmarrë përmirësime të rëndësishme në fushën ligjore, strukturore dhe organizative për sigurimin e kushteve të përshtatshme për mirërritjen e fëmijëve në nevojë.
Aktualisht Ministria po punon për përmirësmin e legjislacionit dhe përafrimin e tij me atë evropian, ngritjen e institucionit të Komisionerit, si dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore dhe jo vetëm, për integrimin e vendit ne familjen evropiane. Në këtë kuadër, takimi i sotëm është për t’u përshëndetur, pasi sjell në një tryezë të gjithë faktorët politikbërës, zbatues, si dhe donatorët, për të diskutuar dhe vendosur një bashkëpunim më të ngushtë institucional në fushën e garantimit të të drejtave të fëmijëve.
Reformimi i sistemit të mbrojtjes sociale synon të ndikojë drejtpërsëdrejti në reduktimin e varfërisë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për familjet dhe grupet në nevojë, ku përfshihen edhe fëmijët.
Sot trajtohen me Ndihmë ekonomike 96 mijë familje dhe nga buxheti i shtetit për programin e asistencës sociale për vitin 2010 janë programuar rreth 5 miliard Lek nga 3.5 miliard lekë që ishin më 2008, pra 66 % më shumë fonde për mbulimin e varfërisë. Masa mesatare e ndihmës ekonomike për familje në vitin 2010 është dyfishuar në krahasim me vitin 2008.
Në vitin 2010 trajtohen rreth 18 000 fëmijë me Aftësi të Kufizuar me Pagesën e Aftësisë së Kufizuar, nga të cilët afro 1 400 fëmijë me AK, që ndjekin arsimin e mesëm trajtohen me 200 % të pagesës për shkak të Aftësisë së Kufizuar. Në Institucionet publike dhe jopublike (rezidencial dhe ditore) të përkujdesit shoqëror për fëmijët në nevojë trajtohen 90 fëmijë me Aftësi të Kufizuar. Në Institucionet publike dhe jopublike (rezidencial dhe ditore) të përkujdesit shoqëror për Personat me Aftësi të Kufizuar trajtohen rreth 400 fëmijë me AK, të moshës deri në 16 vjeç
Krahas përmirësimit të niveli të pagesave janë bërë ndërhyrje të rëndësishme për rritjen e numrit të shërbimeve sociale dhe përmirësimin e cilësisë së tyre. Për rritjen e cilësisë së shërbimeve, janë hartuar, miratuar dhe po implementohen standardet e shërbimeve sociale për të gjitha kategoritë në nevojë.
Kuotat ushqimore për institucionet rezidenciale dhe komunitare rriten nga viti ne vit, duke patur parasysh strukturën dhe dallimet që kanë institucionet ku ofrohen shërbime për fëmijët, personat me AK. Konkretisht kuotat ushqimore janë rritur nga 20% deri në 25 % në krahasim me vitin 2008.
Qeveria ka miratuar tashmë një Strategji për kujdestarinë për fëmijët, si shërbim i ri alternativ, i cili po pilotohet në dy bashki (Tiranë, Shkodër). Deri në vitin 2013 synohet shtrirja e këtij shërbimi edhe në njësitë e tjera vendore në përputhje me nevojat dhe mundësitë e buxhetit.
Duke e konsideruar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, një detyrim kushtetues, ligjor dhe moral Ministria e Punës ndërmorri iniciativën për hartimin e një akti ligjor kuadër për të drejtat e fëmijëve, i cili përfshin të gjitha të drejtat e fëmijëve referuar Konventës për të Drejtat e Fëmijëve së OKB si dhe mekanizmat në nivel qendror dhe vendor që garantojnë respektimin e të drejtave të fëmijëve. |