mpcsh

logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Ministri i Punës në Konferencën Kombëtare për Strategjinë Kombëtare të PAK Print E-mail
Tuesday, 09 March 2010 19:34
Ksera: Konkuzionet e Raportit në vëmendjen e Ministrisë për të përmirësuar politikat

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, mori pjesë në Konferencën Kombëtare “Zbatimi i Strategjisë Kombetare të Personave me Aftësi Të Kufizuar” organizuar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, në të cilin u prezantua Raporti i monitorimit të Strategjisë. Në këtë akivitet merrnin pjesë edhe Ambasadori i Delegacionit të BE në Shqipëri – Helmut Lohan, Ministri i Shëndetësisë – Petrit Vasili, Drejtorja Ekzekutive e Fondacionit te Femijeve Shqiptarë – znj Liri Berisha, përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar si dhe shoqërisë civile.

Ministri i Punës Ksera vlerësoi punën e bërë për përgatitjen e Raportit dhe u shpreh se përmirësimi i jetesës së shtresave në nevojë vazhdon të jetë prioritet i programit të Qeverisë dhe se MPÇSShB ka intensifikuar punën dhe përpjekjet e saj për hartimin dhe zbatimin e politikave sociale me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së personave me aftësi të kufizuara.  

Fjala e Ministrit të Punës:
“Kam kënaqësinë të marr pjesë sot në këtë aktivitet të rëndësishëm, të prezantimit të raportit të monitorimit të implementimit të Strategjisë Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në të cilin promovohet dhe vlerësohet puna e tyre në ndihmë të përmirësimit të kushteve të jetesës rehabilitimit, integrimit përfshirjes, arsimimit, punësimit dhe shërbimeve shoqërore për personat me aftësi të kufizuara.
Ky raport identifikon arritjet dhe problematikat, duke nxjerrë në dukje situatën e personave me aftësi të kufizuara dhe ndikimin e politikave të ndërmarra deri më tani. Gjithashtu ai ka një vlerë tjetër të veçantë për vetë faktin se vjen nga organizatat e fushës së aftësisë së kufizuar dhe na jep mundësinë e ballafaqimit me raportet e strukturave shtetërore.
Më lejoni të falënderoj organizatorët e kësaj Konference, Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, i cili me mbështetjen e Bashkimit Evropian bëri të mundur mbledhjen e të dhënave dhe hartimin e këtij raporti monitorimi.
Përmirësimi i jetesës së shtresave në nevojë vazhdon të jetë prioritet i programit të Qeverisë. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka intensifikuar punën dhe përpjekjet e saj për hartimin dhe zbatimin e politikave sociale me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së personave me aftësi të kufizuara; gjithë përfshirjen e tyre për një jetë të plotë dhe aktive; përmirësimin e mënyrës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar nga modeli mjekësor drejt atij social, duke përfshirë profesionistë socialë në vlerësim; rritjen e informimit për personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre; përmirësimin e ofrimit të shërbimeve në komunitet për personat me aftësi të kufizuar, etj.

Qeveria, që nga viti 2005, ka rritur mbështetjen financiare me mbi 50% për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar. Për vitin 2009 me fondet buxhetore u trajtuan 128.876 persona të paaftë dhe kujdestarët e tyre dhe për vitin 2010, është programuar një fond prej 11.442 miliard lekë, ose 24% më shumë se në vitin 2009.

Është në qendër të prioriteteve tona rritja e numrit dhe llojshmërisë së shërbimeve komunitare me standarde të garantuara për këtë kategori, nëpërmjet rritjes së fondeve buxhetore.
Për integrimin e personave me aftësi të kufizuar, Qeveria ka ndërmarrë masa për mbështetjen me programe aktive në fushën e punësimit dhe të formimit professional.
Shoqëria civile do të vazhdojë të jetë pjesë dhe të japë kontributin e saj në proçeset e hartimit të legjislacionit që prek kryesisht fushën sociale. Unë garantoj që në të ardhmen ky bashkëpunim do të njohë nivele të reja.
Një arritje e rëndësishme e fundvitit 2009 ishte nënshkrimi nga Qeveria Shqiptare e Konventës “Për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara” me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila i hap rrugë Ratifikimit të saj, si dhe hartimit e zbatimit të një plani veprimi ndërinstitucional, që do të shërbejë për të përmbushur detyrimet e Konventës. Kjo Konventë përfaqëson dokumentin e parë në të cilin aftësia e kufizuar njihet si çështje e të drejtave të njeriut dhe synon që përfitimi i të drejtave ekzistuese të zgjerohet dhe të garantohet, duke detyruar vendet anëtare të krijojnë një shoqëri ku personat me aftësi të kufizuar të intergohen lehtësisht.
Me ratifikimin e Konventës, Shqipëria përmbush një nga rekomandimet e Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian dhe plotëson një nga detyrimet për liberalizmin e vizave dhe integrimin europian të vendit.
Qeveria është e vendosur që në kuadrin e përmbushjes së detyrimeve të Konventës, drejt Ratifikimit të saj, të hartojë një kuadër ligjor që të mbulojë të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar dhe që rrit mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar në bazë të rëndesës së gjendjes së tyre, duke garantuar parandalimin e aftësisë së kufizuar dhe evidentimin e hershëm të saj si dhe rehabilitimin dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore.”
Duke përfunduar, ju falënderoj edhe një herë për inisiativën tuaj për hartimin e këtij raporti monitorues dhe ju siguroj se konkuzionet e tij do të jenë në vëmendjen e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për të përmirësuar politikat dhe punën e saj në të ardhmen.”
 

Kontakti

kontakt-mpcsshb

FLASH

Kerkoni ne website