Ksera: Qeveria shqiptare prioritet fuqizimin e gruas dhe rritjen e pjesëmarrjes së saj në vendimmarrjen politike e publike
Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në bashkëpunim me Delegacionin Europian në Tiranë dhe Ambasadën Spanjolle kanë organizuar një sërë aktivitetesh gjatë ditës së sotme. Me këtë rast, në ambientet e Hotel Tirana u organizua një konferencë shtypi e Ministrit të Punës - Z.Spiro Ksera, Ministres së Integrimit - Znj.Majlinda Bregu, Ambasadorit të Mbretërisë së Spanjës - Z. Emanuel Montobbio si dhe Ambasadorit të Delegacionit të Komisionit Europian - Z.Helmut Lohan. Ministri Ksera vuri në dukje se “Qeveria shqiptare ka në prioritet të axhendës së vet fuqizimin e gruas dhe se rritja e pjesëmarrjes së saj në vendimmarrjen politike e publike është konsideruar si një nga arteriet kryesore të këtij fuqizimi, së bashku me rritjen e aksesit për punë, për formim profesional dhe përmirësim të infrastrukturës sociale”. Duke u ndalur në plotësimin e kuadrit ligjor në fushën e barazisë gjinore dhe implementimin e tij, Ksera vuri në dukje se “falë përpjekjeve të bëra në këtë drejtim dhe veçanërisht hartimit të Ligjit Për Barazinë Gjinore në Shoqëri dhe Kodit Zgjedhor, lidhur me kuotën gjinore, u arrit që në zgjedhjet e fundit parlamentare përfaqësimi i gruas të rritet nga 7% në 16%, duke shënuar progresin e parë në këtë drejtim”. Megjithatë, sipas Ministrit të Punës, “barazia gjinore dhe garantimi i të drejtave të grave nuk mund të arrihet në mënyrë të izoluar dhe as menjëhere, as vetëm me hartimin e strategjive, dokumenteve politike të zhvillimit apo një legjislacioni modern dhe bashkëkohor, në këtë sfidë, roli i të gjithë aktorëve qofshin shtetërorë, ndërkombëtarë, të botës akademike, shoqërisë civile, medias, etj., është shumë i rëndësishëm, ndaj edhe jemi jo vetëm të hapur, por edhe kërkojmë bashkëpunimin e tyre”.
Me tej e morën fjalën Ministrja Majlinda Bregu, e cila theksoi se Qeveria dhe politika nuk mund të bëjnë gjithshka vetëm, pasi politikat gjinore kanë nevojë për mbështetje nga të gjithë akorët dhe se në partneritet me organizatat ndërkombatare do të arrihen standartet edhe në këtë fushë, me synim final integrimin evropian të vendit.
Ambasadorët Montobbio dhe Lohan, përshëndetën hapat e hedhur nga institucionet shqiptare për përmirësimin dhe plotësimin e legjislacionit në fushën e barazisë gjinore, antidiskriminimit si dhe dhunës në familje si dhe përpjekjet për implementimin e tyre, duke shprehur gadishmërinë për të vazhduar mbështetjen në realizmin e objektivit për arritjen e barazisë gjinore në shoqëri.
Fjala e Ministrit të Punës, Spiro Ksera, në Konferencën për shtyp. “8 Marsi vjen në ditët tona nga memoria e përpjekjeve më shumë se shekullore, e grave dhe vajzave në mbrojtje të të drejtave tyre, si dita simbol kur jo vetëm gratë dhe vajzat por e gjithë shoqëria duhet të bëjë bilancin e punës së bërë dhe masës së garantimit të të drejtave të grave, si pjesë e të drejtave të njeriut. Qeveria shqiptare ka në prioritet të axhendës së vet fuqizimin e gruas. Rritja e pjesëmarrjes së saj në vendimmarrjen politike dhe publike është konsideruar si një nga arteriet kryesore të këtij fuqizimi, së bashku me rritjen e aksesit për punë, për formim profesional dhe përmirësim të infrastrukturës sociale. Aksioni kombëtar për garantimin gjithnjë e më të mirë të të drejtave të grave është përqendruar në hartimin dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm politiko-ligjor, atij institucional, ngritjes së kapaciteteve, ndërmarrjes së fushatave sensibilizuese-ndërgjegjësuese, si dhe monitorimin në vijimësi të procesit. Falë përpjekjeve të bëra në këtë drejtim dhe veçanërisht hartimit dhe implementimit të Ligjit “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri” dhe Kodit Zgjedhor lidhur me kuotën gjinore u arrit që në zgjedhjet e fundit parlamentare përfaqësimi i gruas të rritet nga 7% në 16%, duke shënuar progresin e parë në këtë drejtim. Qeveria dhe Ministria e Punës ka vendosur në qendër të politikave të saj për zbutjen e varfërisë familjen, sidomos familjet më shumë anëtarë, ato me gra kryefamiljare, kategori të vështira punëkërkuesish të papunë, ku një vend të rëndësishëm zënë gratë, familjet me prindër dhe fëmijë me aftësi të kufizuara, të komunitetit rom e egjiptian, etj. Ministria e Punës programin e nxitjes së punësimit të grave e konceptoi prioritar ndaj programeve të tjera, për vetë specifikën që kanë punëkërkueset e kësaj kategorie, të cilat janë gra në nevojë dhe që e kanë shumë të vështirë të integrohen në tregun e punës. Çdo vit buxheti i shtetit vë në dispozicion të këtyre programeve mesatarisht 200 milion lekë të reja, që përkthehen në punësim të rreth 2 500 personash vetëm nga këto programe, nga të cilët 80% janë gra. Ligji “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri” dhe “Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje” përcaktojnë masa të qarta dhe sanksione konkrete për përmirësimin e statusit të gruas: nxitjen e aksesit ne punësim dhe trajnim, përmirësimin e kushteve të punës, të edukimit dhe shërbimeve sociale, ekonomike e shëndetësore; zbatimit në praktike të të drejtave politike, ekonomike e sociale, konsolidimit të familjes, jetës profesionale dhe karrierës. Objektivi i tyre është zhvillimi i një shoqërie funksionale, e cila vendos theksin në mënyrë të veçantë në eleminimin e barrierave për gruan, nëpërmjet politikave të zhvillimit dhe atyre sociale. Por, megjithatë, barazia gjinore dhe garantimi i të drejtave të grave nuk mund të arrihet në mënyrë të izoluar dhe as menjëhere, as vetëm me hartimin e strategjive, dokumenteve politike të zhvillimit apo një legjislacioni modern dhe bashkëkohor. Ajo është e lidhur dhe në korrelacion me kohezionin social dhe mundësitë e barabarta në rang shoqërie. Një shoqëri nuk mund të jetë kohezive, nëse nuk garanton barazinë gjinore dhe të shanseve dhe po kështu, barazia gjinore dhe e shanseve nuk mund të jenë të garantuara në një shoqëri me handikap zhvillimor e social. Është për këtë arsye që në Programin e Qeverisë, zhvillimi social dhe njerëzor përbëjnë një prioritet të padiskutueshëm afatgjatë. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është e vetëdijshme për përgjegjësitë e saj në adresimin e problematikave të barazisë gjinore dhe të të drejtave të grave. Kjo është dhe do të jetë një nga sfidat kryesore të së sotmes dhe të ardhmes. Dhe, në këtë sfidë, roli i të gjithë aktorëve qofshin shtetërorë, ndërkombëtarë, të botës akademike, shoqërisë civile, medias, etj., është shumë i rëndësishëm. Përfitoj nga ky moment për të falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim, veçanërisht Ambasadorin e Delegacionit të Këshillit të Evropës, z.Lohan dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, z. Montobio, për mbështetjen që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin në realizmin e projekteve në fushën e barazisë gjinore, dhe u bëj thirrje që t’i bashkohen veprimeve dhe aksioneve tona, ashtu si sot, nën moton “Të drejta të barabarta, mundësi të barabarta, progres për të gjithë”. Pas konferencës për shtyp, në ambientet e Hotel Tiranës u zhvillua aktiviteti “Të drejta të barabarta, mundësi të barabarta, progres për të gjithë” në të cilin e morën fjalën Znj. Liri Berisha - Presidente “Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë”, Znj. Afërdita Alite - Kryetare e Bashkisë Shijak, Znj. Antoneta MALJA – Zv/Drejtore e ATSH, etj. Më tej, të pranishmit ndoqën një leksion të veçantë mbi problemet gjinore, të mbajtur nga Znj. Rosa Cobo Bedia - eksperte spanjolle dhe profesore në Universitetin La Coruña.
Gjatë ditës u vijua me aktivitete të tjera me rastin e 8 Marsit, në ambjentet e Delegacionit Europian dhe Ambasadës Spanjolle. |