


| Ministria e Punës organizon Konferencën Vjetore për Fëmijët |
|
|
| Monday, 01 June 2009 15:09 |
|
Gumi: Përmirësim i legjislacionit që asnjë fëmijë të mos mbetet nën nivelin e varfërisë Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta organizoi sot, me rastin e 1 Qershorit, Konferencën për Realizimin e Objektivave të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët në të cilin u prezantua Raporti Vjetor i monitorimit të Strategjisë. Duke e marrë fjalën, Ministri i Punës, Viktor Gumi, theksoi se Strategjia Kombëtare për Fëmijët, e miratuar në vitin 2005, është një strategji ambicioze, që synon respektimin e të drejtave për të gjithë fëmijët dhe se, në zbatim të saj dhe të programit të Qeverisë, Ministria ka ndërmarrë përmirësime të rëndësishme në fushën ligjore, strukturore dhe organizative për të siguruar kushte të përshtatshme për mirërritjen e fëmijëve. Duke iu referuar Raportit, Ministri Gumi theksoi se procesi për ngritjen e mekanizmit institucional për monitorimin dhe realizmin e politikave kombëtare dhe rajonale për të drejtat e fëmijëve ka përfunduar në nivel qendror dhe janë hedhur hapa për shtrirjen e tij në nivel rajonal ku, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe mbështetjen e donatorëve, janë ngritur Njësitë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. “Këto Njësi funksionojnë në 4 qarqe e 11 bashki”, u shpreh Ministri, “dhe kanë asistuar mbi 700 fëmijë në nevojë dhe familjet e tyre.” Sipas Ministrit të Punës, “shtrirja e njësive në të gjitha vendin dhe konsolidimi i tyre do të rrisë numrin e fëmijëve të asistuar dhe riintegruar”. Më tej, Ministri Gumi u ndal në inisiativën e Kryeministrit Berisha për rishikimin e skemës së mbështetjes me ndihmë ekonomike, që sipas tij është tregues domethënës se “mbrojtja e fëmijëve nga varfëria dhe përjashtimi social është në qendër të politikave të kësaj Qeverie”. “Përmirësimi i ligjit ‘Për Ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore’ ka për qëllim përfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike edhe të grupeve të tjera në nevojë, kryesisht fëmijë jetimë, fëmijë kryefamiljarë, etj. që aktualisht mbeten të pambuluar nga skema aktuale”, u shpreh Gumi. Në fjalën e tij, Ministri e vuri theksin në rëndësinë e aplikimit për herë të parë në Shqipëri të Shërbimit të Kujdestarisë për Fëmijët. Sipas tij, “fëmijët që do të përfitojnë nga ky shërbim do të dalin nga vija e varfërisë, pasi do të mbështeten me 3$ në ditë, ose 50% më shumë se vija e varfërisë.” Në Konferencë merrnin pjesë dhe diskutuan edhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Fëmijët si, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit e Shëndetësisë, si dhe përfaqësues të organizatave partnere dhe donatorëve. Në Konferencë u promovua Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë, nëpërmjet të cilit nevojat e fëmijëve nga i gjithë vendi do të vijnë në vëmendje të profesionistëve përmes numrit telefonik 116, inisiativë kjo e UNICEF dhe CRCA. Më tej Konferenca vijoi me diskutime rreth Raportit, problematikës së identifikuar nga ai në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe rekomandimeve për përmirësimin e politikave në të ardhmen. Konferencën e përshëndeti Zonja Topi. |
| Last Updated on Monday, 01 June 2009 15:11 |