|
Gumi “braktis” kolltukun e Ministrit për karrigen e specialistit të shërbimeve |
|
|
|
Friday, 29 May 2009 13:58 |
Ministri i Punës: Një ditë në muaj, në shërbim të publikut
Ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi, “braktisi” sot karrigen dhe zyrën e Ministrit për të nisur një ditë ndryshe, në shërbim të punëkërkuesve të papunë të Kryeqytetit. Që në orët e para të mëngjesit Ministri Gumi u ul në sportelet e shërbimit, në Zyrën Rajonale të Punësimit Tiranë, dhe bashkë me specialistët priti për rreth tri orë qytetarët që drejtohen në këtë zyrë për të kërkuar dhe marrë shërbime punësimi.
Ministri, në rolin e specialistit të zyrës së punës, dëgjoi problematikën e secilit prej klientëve, u informua rreth arsyes dhe kohëzgjatjes së gjendjes së papunësisë, u plotësoi kartelat individuale, kërkoi dhe gjeti në sistemin e të dhënave të Zyrës për ofertat më të përshtatshme për secilin prej tyre, në bazë të nivelit të edukimit, profesionit, moshës, dhe ndërmjetësoi për pozicione të ndryshme pune. “Kjo nuk do të jetë hera e parë që e shihni Ministrin e Punës të marrë rolin e specialistit të shërbimeve dhe të jetë në dispozicion të publikut, të zgjidhjes së halleve dhe problemeve të tyre”, u shpreh Ministri Gumi. “Një ditë në muaj unë do të kem nderin dhe detyrimin që t’i shërbej publikut, të dëgjoj hallet dhe problemet e tyre, duke kërkuar dhe ofruar zgjidhjet më të shpejta dhe të mira për çdo rast. Dhe, këtë shërbim nuk do ta ofroj vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin ku Ministria e Punës ka zyra dhe sportele shërbimi.” Ministri, në funksionin e punonjësit të shërbimeve në zyrën e punës, priti dhe u ofroi shërbim shtatë klientëve, kryesisht punëkërkues të papunë. Një pjesë e tyre sqaruan se trokisnin për herë të parë në zyrat publike të punësimit, për të kërkuar shërbimin e tyre, pas një kalvari të gjatë në kërkim të një pune. “Qëllimi ynë do të jetë vendosja e standarteve të reja në shërbim, si në strukturë ashtu edhe në cilësi dhe shtrirja e tyre në të gjithë vendin. Po ashtu, shtrirja e informatizimit të shërbimeve dhe kalimi online i tyre në një kohë sa më të shpejtë është një nga prioritetet tona madhore mbi të cilat po punojmë.” Sipas Ministrit të Punës, Zyra Rajonale e Punësimit Tiranë është një nga zyrat me nivelin më të lartë të shërbimit të ofruar për klientët dhe ky model shumë shpejt do të shtrihet në të gjithë vendin. “Sfida jonë do të jetë: ngritja e një shërbimi publik që të jetë shembull edhe për agjesitë private që veprojnë në fusha të tilla si punësimi”, u shpreh Ministri i Punës.
Zyra Rajonale e Punësimit Tiranë, ku ndodhej sot Ministri i Punës, Viktor Gumi, është një strukturë publike që ofron shërbim punësimi për qytetarët e Tiranës. Shërbimet që ofrohen nga ky institucion janë informimi, orientimi, këshillimi, ndërmjetësimi për punësim i punëkërkuesve të papunë, atyre që janë në kërkim të një pune më të mirë, ofrim i formimit profesional, etj. çdo ditë në sportelet e kësaj zyre u ofrohet shërbim rreth 60 punëkërkuesve, nga të cilët rreth 20 ndërmjetësohen për punë nga specialistët. Në këto momente Zyra Rajonale e Punësimit Tiranë po implementon strukturën e re, nëpërmjet të cilës i ka dhënë më shumë rëndësi forcimit dhe zgjerimit të sektorit të shërbimeve, me qëllim rritjen e cilësisë dhe sasisë së shërbimit, me qëllim rritjen e punësimit dhe uljen e nivelit të papunësisë.
|
|
Last Updated on Friday, 29 May 2009 14:03 |