


| Barka Promovon Panairin e Punes në Berat |
|
|
| Monday, 29 September 2008 17:41 |
|
Ministri Barka, duke e marrë fjalën, u shpreh se Ministria e Punës është e angazhuar të hartojë politika dhe programe që i vijnë në ndihmë zhvillimit të tregut të punës në vend, duke mbështetur bizneset si dhe asistuar punëkërkuesit e papunë që të arrijnë të gjejnë një punë në përputhje me kërkesat e tregut, por edhe aftësitë e tyre profesionale. Panairet e Punës, të cilat këtë vit, për herë të parë po zhvillohen në të gjitha qendrat e qarqeve të vendit, sipas Barkës, janë aktivitete më të mira dhe më efikase të cilat i vijnë në ndihmë në mënyrë të drejtëpërdrejtë punëkërkuesve të papunë. Sipas Drejtores së Zyrës Rajonale të Punësimit, Berat, Ilda Sylari, Panairi i Punës i ka zhvendosur zyrat e punës për disa ditë në godinën më të njohur të qytetit, ku intervistimi i punëkërkuesve të papunë nuk bëhet nëpërmjet specialistëve të zyrës së punës, të cilët ndërmjetësojnë me bizneset për sigurimin e vendeve të punës, por direkt me punëdhënësit të cilët prezantojnë në stendat e Panairit vendet e lira të punës. Kryetari i Bashkisë, Nasufi, përshëndeti miratimin nga ana e Qeverisë të Ligjit të ri për Ndihmën Ekonomike, e cila sipas tij, nëpërmjet kushtëzimit të shpërndarjes së kësaj ndihme kesh nëpërmjet punëve në komunitet, jo vetëm që krijon mundësi për rritjen e punësimit, por, nga ana tjetër, i jep fund parazitizmit. Kemi mbështetur dhe në vazhdimësi do të mbështesim politikat e Ministrisë së Punës, të cilat nxisin dhe mbështesin punësimin e kategorive në nevojë, përfundoi Nasufi. Prefekti Rumnici falenderoi bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Qarkun e Beratit, të cilat kanë zbutur ndjeshëm problemin e papunësisë në këtë Rajon dhe i ftoi ato që të rrisin bashkëpunimin me strukturat përkatëse të pushtetit qendror dhe vendor, me qëllim që rritja e investimit të tyre të përkthehet në vende të reja pune, të cilat do të *ojnë jo vetëm në rritjen e mirëqënies së qytetarëve, por edhe në vetë zhvillimin e rajonit dhe rritjen e përfitimit të vetë bizneseve. Me qindra beratës të të gjitha moshave po vizitojnë stendat e panairit për t’u njohur me ofertat e prezantuara nga biznesi, në kërkim të një vendi pune që u përshtatet aftësive të tyre profesionale për ata që kanë një profesion, ose në kërkim të një kursi profesional për ata që janë pa profesion. Pas përurimit të Panairit, Ministri Barka zhvilloi edhe një vizitë në një nga bizneset më të mëdha që ushtron aktivitetin në qytetin e Beratit dhe që ka punësuar mbi 750 punëtorë, të gjithë të kontraktuar nëpërmjet zyrës së punës. |
| Last Updated ( Monday, 29 September 2008 18:06 ) |