logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Intervistë e Ministrit Ksera dhënë për të përditshmen “SHQIP”, 12 Nëntor 2009 Print E-mail
Kohët e fundit brenda OMONIA-s është përhapur një debat që e ndan këtë organizatë në dy kampe. Njëra palë kërkon që OMONIA të shndërrohet në parti etnike me bazë greke, ndërsa pala tjetër kërkon krijimin e OMONIA-s 2. Në këndvështrimin tuaj, si e gjykoni këtë debat?

Jam një ndër aktivistët e parë të organizatës OMONIA dhe e kam filluar karrierën time politike në këtë organizatë në vitin 1996, duke filluar si kryetar i degës së Derviçanit, më pas, i Gjirokastrës dhe prej disa kohësh edhe nënkryetar i përgjithshëm Organizatës së minoritetit, post të cilin e mbaj akoma sot. Por, ç’po ndodh me OMONIA-n sot? Një organizatë e njohur për mënyrën e saj demokratike të organizmit dhe funksionimit, gjatë vitit të fundit ka nuk e ka zbatuar statutin e saj. Është e rëndë për një organizatë me përvojë pozitive organizmi demokratik që të mbaj të bllokuara procedurat e funksionimit të brendshëm. Pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, Këshilli i Përgjithshëm i OMONIA-s nuk është mbledhur për të bërë analizën e rezultateve të këtyre zgjedhjeve, nuk është mbledhur për të analizuar se përse lidershipi i PBDNJ dhe kryetari i OMONIA-s vazhdojnë të mbështesin opozitën, madje ende nuk analizuar arsyet pse unë kandidova nën siglën e PD, ndërkohë që Këshilli i Përgjithshëm i OMONIA-s më kishte përzgjedhur nëpërmjet votës si emrin e parë në listën e kandidatëve në zonën zgjedhore të Gjirokastrës. Analiza e rezultateve dhe marrja e përgjegjësive është sot dimensioni më i dukshëm i demokracisë së brendshmë të një organizimi politik. Po t’i referohemi zgjedhjeve të fundit në Greqi, humbja e të djathtës u pasua nga dorëheqja e kryetarit të partisë, edhe në Shqipëri, pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, Partia Socialiste iu nënshtrua procedurave zgjedhore për lidershipin e saj. Tani ndodhemi në situatën kur kryetari aktual i OMONIA-s e ka mbyllur ciklin e vet në drejtimin e organizatës. Zoti Bollano duhet të japë dorëheqje dhe të lejojë vazhdimin e procedurave për zgjedhjet e brendshme në OMONIA. E vetmja mënyrë për të çliruar OMONIA-n nga ngërçi në të cilin ndodhet është organizmi sa më shpejt i Konferencës së Përgjithshme zgjedhore, e cila do të nxjerrë kryetarin e saj të ri. Të gjitha kërkesat që vijnë nga radhët e minoritetit për riorganizmin e OMONIA-s janë rrjedhojë e shtrembërimit dhe moszbatimit të Statutit të saj. Dëgjohen zëra që kërkojnë që OMONIA të shndërrohet në Parti e cila do të përfaqësojë minoritetin etnik grek, por ne nuk e dimë ende nëse në zgjedhjet e ardhshme vendi do të hyjë me të njëjtin Kod Zgjedhor, apo jo, për të vlerësuar nëse organizmi I ri do të mundësojë përfaqësimin e minoritet etnik grek në parlament. Së fundi, kreu i PBDNJ ndërhyri forcërisht në organizmin e brendhsmë të OMONIA-s dhe organizoi dy takime false, një në Gjirokastër dhe tjetrin në Sarandë, ku me një të rënë të shkopit ia delegoi kompetencat e kryatrëve të degës së organizatës dy personave që nuk ishin të zgjedhur nga strukturat përkatëse. Kjo ishte një shkelje e hapur e Statutit të OMONOIA-s. Pra, problematika e lindur brenda radhëve të PBDNJ u transmetua në strukturat e organizatës së minoritetit dhe kjo krijoi një mjegull politike, pasuar nga akuza se militantët e kësaj partie me daljen e saj në opozitë filluan të ndëshkohen duke u larguar nga puna. Të jemi të hapur dhe të pranojmë se PBDNJ ka pasur një marrëveshje bashkëqeverisjeje me PD për katër vite, në të cilën përcaktohen edhe ndarja e posteve të larta politike. Me prishjen e kësaj marrëveshjeje, është e kuptueshme se përfaqësuesit e subjektit në postet politike duhet t’I lënë ato. Kjo nuk duhet të keqinterpretohet dhe të trajtohet si fushatë për të larguar nga puna të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e thjeshtë të partisë, të cilët, në fund të fundit nuk mbajnë poste politike.
Kam dëgjuar edhe akuza të tipit se pjesëmarrja ime në Qeveri është thjesht një element dekorativ. Unë jam një përfaqësues i minoritetit dhe i zgjedhur me vota për ta përfaqësuar atë në Parlament. Puna ime është e përqendruar në bashkimin e minoritetit grek. Veprimatria ime politike në çdo fushatë elektorale ka qenë e fokusuar në konsolidimin e OMONIA-s dhe rritjen e përfaqësimit të saj në Parlament. Veprimtaria ime do të synojë arritjen e bashkimit të minoritetit grek, që tashmë është i ndarë jo më në dy, por në tre pjesë.

Pse vendosët të përfshiheshit në listën e PD-së për zgjedhjet e 28 Qershorit dhe si u përgjigjeni akuzave që eksponentë të PBDNJ-së kanë bërë në adresën tuaj?
Kam ardhur në postin e Ministrit dhe kam marrë mandatin e deputetit me mbështetjen e shumicës së minoritarëve. Elektorati i minoritetit është një elektorat i matur, që di për kë voton dhe gjykon se kush do ta përfaqësojë. Në zgjedhjet e fundit votat e minoritarëve ishin për Spiro Kserën dhe unë mbaj portofolin e ministrit në Qeveri falë mbështetjes që mora nga minoriteti etnik grek. Përsa i përket debatit rreth krijimit të një OMONIA 2 unë mendoj se ne OMONIA-n e kemi. Organizata e minoritetit u krijua në vitin 1991 dhe Zoti Dule, Bollano dhe dy-tri përkrahësit e tyre brenda OMONIA-s duhet të pranojnë gabimet politike të tyre. Sepse, të gabosh në drejtimin e një organizate politike me përvojë tetëmbëdhjetëvjeçare demokratike organizmi, konsiderohet gabim i rëndë. Ne duhet të ulemi të gjithë bashkë dhe të vendosim se çfarë duhet të bëjmë për të forcuar OMONIA-n. Ajo nuk do të shuhet, pasi është një organizatë shumë e fuqishme dhe nuk duhet të lejojmë dobësimin e saj dhe drejtimin në mënyrë arbitrare nga këta njerëz. Ka shumë emra intelektualësh të denjë për të drejtuar këtë organizatë. Nëse deri më sot nuk u jam përgjigjur akuzave që më janë bërë nga disa individë kjo ka ndodhur sepse nuk kam dashur dhe nuk dua të bëhem faktor konflikti dhe përçarjeje në minoruitet, sepse dua të jem faktor bashkimi.

Kjo përcarje që është krijuar brenda OMONIA-s ka ardhur si influencë e dy partive kryesore PD dhe PS, apo është një përçarje e brendshme për karrigen e kryetarit të ardhshëm të OMONIA-s?
Janë hedhur akuza se PD po ndërhyn në strukturat e OMONIA-s dhe në organizmin e minoritetit. Këto akuza nuk janë të vërteta. Duhet ta dini se PD nuk ka ngritur struktura politike në zonat e minoritetin etnik grek. Kjo forcë politike nuk ka kandiduar në zgjedhjet vendore me kandidatë të saj nga radhët e minoritetit. Ndërsa strukturat e PS janë ngritur dhe funksionojnë kudo dhe në të gjitha zgjedhjet, qofshin ato vendore apo të përgjithshme, në zonat minoritare Partia Socialiste është përfaqësuar me kandidatë minoritarë. Në zgjedhjet e fundit unë kandidova në zonën e minoritetit nën siglën e Partisë Demokratike, i detyruar nga dëbimi antistatuor që iu bë kandidaturës sime nga lidershipi i OMONIA-s dhe PBDNJ. Kandidimi im ishte rrjedhojë logjike e kontributit tim politik në vazhdimësi si përfaqësues i minoritetit etnik grek. Por, unë jam i vendosur të vazhdoj të jem anëtar i OMONIA-s, si organizata e vetme e minoritetit etnik grek, dhe të kontribuoj për minoritetin, tashmë si deputet i PD.

Ka shumë interes mbi mënyrën sesi do të ndahet skema e re ekonomike. Kryeministri Berisha ka akuzuar këshilltarët bashkiak dhe të komunave se po abuzojnë me skemën ekonomike. Cili është roli i ministrisë së PUnës dhe si do ndahet kjo ndihmë?

Buxheti i Ministrisë së Punës për vitin e ardhshëm është rritur në masën 25% për programet sociale. Qeveria është e vendosur të mbështesë çdo familje dhe individ që jeton në varfëri apo varfëri ekstreme. Por, të jemi të sinqertë, që ditën e parë në krye të kësaj Ministrie u përballa me një problematikë jo të vogël, ekzistencën e abuzimit me skemën e ndihmës ekonomike. Edhe pse buxheti që i akordohet për këtë zë pushtetit vendor është 100% i buxhetit qendror, skema rezultonte e pakontrolluar nga Ministria dhe me menaxhim të plotë nga organet e pushtetit vendor.  Kjo është arsyeja që ne po punojmë për ndryshimin e skemës, për ta bërë atë më eficente dhe më të kontrollueshme. Jemi të vendosur që të ndërmarrim të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë që skema e ndihmës ekonomike të bëhet efektive dhe ndihma të shkojë për familjet në nevojë, duke reduktuar në maksimum abuzimet. Brenda një periudhe një mujore mendojmë të përfundojmë të gjitha procedurat për ndryshimet ligjore të nevojshme për reformimin e skemës.

Konkretisht, do të ketë një paketë për të ndihmuar familjet në nevojë?
Po. Është diskutuar që mbështetja për familjet në nevojë të mos jetë vetëm nëpërmjet pagesave kesh, por edhe me paketa të veçanta ushqimore, veçanërisht për ato në varfëri ekstereme. Paketa ushqimore që do të jetë nëpërmjet tollonave mujore do të përmbajë një liste ushqimesh bazë si mielli, vaji, detergjentët, etj. Ende nuk është konkretizuar mënyra e organizmit dhe shpërndarjes së kësaj ndihme. Grupi i punës po punon.

PD premtoi gjatë zgjedhjeve se do të hap 160 mijë vende pune. Si do të realizohet kjo?
Ne po ndërmarrim hapa për fuqizimin e tregut të punës me synim rritjen e punësimit, i cili do të jetë një nga prioritet tona kryesore për 2010. Tashmë Qeveria ka miratuar një buxhet për tregun e punës 30% më të lartë se ai i viti 2009 dhe ne parashikojmë që gjatë viti 2010 të realizojmë 13 mijë ndërmjetësime për punë, ndërsa përsa i përket formimit profesional synojmë formimin e 7 mijë persona, vetëm në qendrat publike. Me masat që ka parashikuar Qeveria të ndërmarrë në fushën e investimeve, turizmit, lehtësimit të biznesit, etj. jemi të sigurt se në katër vitet e ardhshme do të realizohet objekti për hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës, ku kontributi i Ministrisë do të jetë në realizimin e 60 mijë punësimeve.
 

Kontakti

kontakt-3-2012

Klikoni për "Shërbimet Sociale Në Shqipëri"

infosherbime2-2012


Harta e "Shërbimeve Sociale në Shqipëri"

harta-sherbime2-2012


Nëse nuk e keni të instaluar programin , klikoni imazhin e mëposhtëm :google_earth




FLASH

Kerkoni ne website