


| Intervista dhënë në të përditshmen “55”, 9 nëntor 2009 |
|
|
|
1.Zoti Ksera, ende keni mbushur një muaj në krye të MPÇSSHB. A mund të na rrëfeni ditën e parë të punës si ministër? Prezantimi i parë ishte me administratën e Ministrisë, të cilën e ftova për të punuar bashkërisht në realizimin e programit ambicioz të Qeverisë, duke bërë me dije se secili e ka të garantuar vendin e punës për aq kohë sa i përgjigjet ritmit dhe realizon detyrimet e tij në sfidën tonë të përbashkët. Pastaj, orët në vazhdim i kalova me paraardhësin tim Gumi dhe dy zv/Ministrat, të cilët më njohën në mënyrë të përmbledhur me fushat që mbulon Ministria, strukturën e saj, hapat e hedhur për përmirësimin e legjislacionit dhe politikave si dhe pikën në të cilën ndodheshin projektet ambicioze të saj, në kuadër të zbërthimit dhe zbatimit të Programit katërvjeçar të Qeverisë. Gjatë pasdites, puna ime si Ministër vazhdoi me shfletimin e informacionit më të detajuar që ndodhej në zyrën time, bazës ligjore në fuqi dhe asaj që ende është draft. 2.Cilat mendoni se janë sfidat me të cilat duhet të përballeni në krye të këtij institucioni? Konsolidimi i një administrate profesionale dhe me efektivitet të lartë në kryerjen e detyrave, organizim më i përshtatshëm i saj, forcim i kapaciteteve, rritja e cilësisë së burimeve njerëzore, futja e teknologjisë së informacionit në çdo shërbim, rritja e shkallës së informimit të publikut, konsultimi i pjesëmarrjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit në proçeset administrative e politikëbërëse dhe, kryesorja, çdo reformë dhe politikë e zbatuar prej nesh të ketë impakt të drejtëpërdrejtë tek kategoritë të cilave u drejtohet. E thënë më thjesht: politikat tona për uljen e varfërisë të ndjehen nga çdo familje dhe individ që i përket kësaj kategorie, nëpërmjet rritjes ndjeshëm të të ardhurave në buxhetin e familjes. Ministria e Punës do të jetë në pararojë të angazhimit të Qeverisë për reforma organizative në administratën qendrore, bazuar në një administratë të vogël dhe efiçiente. Objektivi i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta do të jetë hartimi dhe zbatimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe të pranueshëm të programeve sociale, duke synuar eliminimin e mbivendosjeve të skemave sociale. Qëllimi madhor në reformën sociale do të jetë reformimi i institucioneve ligjore dhe përmirësimi i plotë dhe i dukshëm i procedurave dhe standarteve të ofrimit të shërbimeve të ndryshme në sistemin social. Mbrojtja dhe mbështetja e shtresave në nevojë do të mbeten në fokusin qendror të aksionit katërvjeçar të këtij institucioni. 3.Le të ndalemi pak te problemi më i prekshëm siç është punësimi dhe ulja e varfërisë. Kryeministri Berisha ka premtuar krijimin e 160 mijë vendeve të punës në mandatin e dytë qeverisës fal politikave qeverisëse që stimulojnë uljen e papunësisë. Cili do të jetë roli i institucionit që ju drejtoni për mbajtjen e një premtimi të tillë? Objektivat per rritjen e punësimit në katër vitet e ardhshme janë ambicioze. Hapja e vendeve të reja të punës, kryesisht, do të realizohet nëpërmjet zhvillimit ekonomik të vendit dhe programi ekonomik i Qeverisë orienton një tipar të fortë punësues. Reformat e parashikuara në sistemin fiskal, përmirësimin e mjedisit për biznesin, investimet e mëdha në infrastrukturë e në përdorimin e burimeve energjetike, prioritet për zhvillimin e turizmit, etj. do të jenë faktorët kryesorë që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe, rrjedhimisht, edhe krijimin e vendeve të reja të punës. Në Programin e Qeverisë parashikohet që mbi 90% e vendeve të reja të punës të krijohen pikërisht nga këta faktorë. Edhe roli i Ministrisë së Punës dhe strukturave të saj në rritjen e punësimit do të jetë domethënës. Kjo do të arrihet nëpërmjet përdorimit të programeve efiçiente të nxitjes së punësimit dhe fuqizimin e instrumentave të ndërmjetësimit në tregun e punës. Vetëm nëpërmjet zbatimit të programeve të nxitjes dhe ndërmjetësimit nga zyrat e punës, për këtë mandat parashikojmë të punësojmë 60 mijë vetë. 4.Meqë jemi te punësimi, Inspektorati Shtetëror i Punës, ka si qëllim të sigurojë zbatimin e legjislacionit të punës nga subjektet, mbi të cilat vepron ky ligj, në përputhje me procedurat e kryerjes së inspektimit në punë. A mund të themi që në fund të këtij mandati nuk do të gjejmë më shqiptarë në të zezë dhe të cilët punojnë jashtë kushteve teknike? Në qendër të politikave tona dhe të punës së Inspektoriatit do të jetë sigurimi i njohjes dhe zbatimit të Kodit të Punës nga të gjithë punëdhësit dhe punëmarrësit. Synimi ynë kryesor është krijimi i një baze ligjore të plotë dhe të standarteve evriopiane, veçanërisht, në fushën e sigurisë dhe të shëndetit në punë. Përsa i përket punës së zezë, por edhe asaj gri, tashmë ka filluar një bashkëpunim i frytshëm mes Inspektoriatit të Punës, Tatim-Taksave dhe Institutit të Sigurimeve për evidentimin e rasteve dhe zbardhjen e punës së zezë. Jemi duke e rishikuar nivelin e këtij bashkëpunimi dhe jemi të vendosur që gjatë këtij mandati rezultatet në këtë fushë të jenë më domethënëse. Ta eleminosh punën e zezë nuk është e lehtë dhe nuk mjafton një mandat, as dy. Puna e zezë është një fenomen që ekziston edhe në vendet dhe ekonomitë më të zhvilluara dhe me institucione të konsoliduara. Ajo për të cilën ne jemi të vendosur është minimizimi i këtij fenomeni në nivelet e vendeve më të zhvilluara. 5.Duke qenë në këtë pikë. A mund të na thoni cili do të jetë roli i Shërbimi Kombëtar të Punësimit në lidhje me punësimin, formimin e kualifikimin profesional si një institucion i cili do të ndikojë në zbutjen e fenomenit papunësi? Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Zyrat e Punësimit dhe Qendrat e Formimit Profesional zbatojnë politikat aktive dhe pasive të tregut të punës, hartuar nga Ministria, nëpërmjet të cilave synohet integrimi dhe riintegrimi i të papunëve në tregun e punës. Në politikat aktive përfshihen shërbimet e punësimit si dhe programet e nxitjes së punësimit dhe formimi profesional. Gjatë katërvjeçarit të ardhshëm ne synojmë rritjen e performancës së shërbimeve të punësimit dhe sidomos ndërmjetësimit për punësim, duke përshtatur më mirë kërkesat dhe ofertat për punë. Në qendër të punës së strukturave të punësimit do të jenë zbatimi i politikave dhe programeve që kanë në fokus të rinjtë dhe personat nga grupet e veçanta me probleme, që e kanë të vështirë integrimin në tregun e punës. Kështu, vetëm nepërmjet ndërmjetësimit nga zyrat e punës, në katër vitet e ardhshme parashikojmë punësimin e 49 mijë personave. Ndërsa nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit, që mbështeten nga buxheti i shtetit, parashikojmë 11 mijë punësime nga grupi i të papunëve afatgjatë apo që i përkasin grupeve të veçanta me probleme. Edhe formimi profesional është një komponent mjaft i rëndësishëm që ndikon drejtëpërdrejtë në përshatjen e kërkesave me ofertat në tregun e punës. Për këtë arsye, gjatë katër viteve të ardhshëm, modernizimi i modelit kurrikular te AFP, për ta afruar me kërkesat e botës së punës dhe për të rritur shkallën e fleksibilitetit, do të jetë një nga prioritet tona. Përsa i përket numrit të të kualifikuarve në kurset e profesionale, ne parashikojmë që vetëm në qendrat publike në katër vitet e ardhshme të kualifikohen 27 mijë persona, pa përmendur këtu edhe ata që ndjekin kurset profesionale në qendrat jopublike, që janë me dhjetra dhe shtrihen në të gjithë vendin. 6.Gjatë mandatit të parë qeverisës është bërë një punë e madhe sa i përket shtresave në nevojë si një nga sfidat e qeverisë, por dhe si kusht për integrimin në BE. Sa do të jetë i preokupuar z.Ksera që të zbatohet me përpikmëri legjislacioni që i favorizon politikat e reja konkrete për integrimin e tyre sa më mirë në shoqëri? Zbutja ndjeshëm e nivelit të varfërisë dhe zhdukja e varfërisë absolute janë prioritet e shpallura tashmë të Qeverisë, të artikuluara mëse një herë nga Kryeministri Berisha. Unë dhe institucioni që drejtoj, jemi të angazhuar maksimalisht për hartimin dhe zbatimin e politikave të tilla që e bëjnë të realizueshëm këtë objektiv. Tashmë jemi duke përfunduar rishikimin e legjislacionit përkatës, me synim kryesor identifikim më të mirë jo vetëm të numrit të popullsisë dhe të familjeve nën vijën e varfërisë, por edhe të çdo individi apo familjeje që e përfiton në mënyrë të padrejtë pagesën. Strukturat tona të inspektimit janë udhëzuar t’i shkojnë deri në fund zbatimit të masave të lëna në rastet e konstatuar të shkeljeve. Përgjegjësit për abuzimet do të përgjigjen për shkeljet dhe sanksionet do të përshkallëzohen deri në ngritje të padive penale për ta. Jemi duke e monitoruar me kujdes procesin. Mbështetja për shtresat në nevojë, nëpërmjet programeve aktive dhe pasive, do të vijë në rritje dhe kjo do të jetë pasojë jo vetëm e rritjes së kontrollit, por edhe rritjes së fondeve përkatëse, vit pas viti në mënyrë progresive. 7.Vini në krye të këtij institucioni si përfaqësues i minoritetit grek në Shqipëri, ndonëse politikisht përfaqësoni PD duke pasuar në karrigen që mbani, z. Gumi. Para jush kanë qenë dhe përfaqësues të tjerë të minoritetit grek në Shqipëri, si z.Kosta Barka dhe Anastas Duro. Në postin që mbani përfaqësoni politikat qeverisëse duke qenë ministër i të gjithë shqiptarëve, por sa do ta gjejë veten minoriteti i përfaqësuar nga juve në postin që mbani? Drejtimi i një Ministrie nga një përfaqësues i minoritetit etnik grek nuk është më një rastësi, por tregues i bashkëjetsës harmonike mes të gjitha komuniteteve në vend si dhe i politikave të gjithpërfshirjes dhe përfaqësimit, të vëna në jetë nga kryeministri Berisha. Duke respektuar ministrat parardhës, të cilët kanë mbështetur shumë anëtarët e komunitetit etnik grek, komunitet vllah dhe komunteteve të tjera, unë dua të garantoj vazhdimësinë e tyre në këtë institucion dhe kushti I vetëm për të gjithë do të jetë rritja e performancës me qëllim arritjen e objektivave të përbashkët. 8.Në detyrën që mbanit më parë si prefekt i Gjirokastrës përfaqësonit ekzekutivin. Cilat kanë qenë marrëdhëniet e z.Ksera me komunitetin, të zgjedhurit vendor në shkallë prefekture si dhe kryeministrin Berisha? Si prefekt i Qarkut të Gjirokastrës, për katër vitet e shkuara, kam pasur nderin të jem pjesë e sipërmarrjes së madhe dhe jo të lehtë të Qeverisë së djathtë për realizmin e reformave kurajoze në të gjithë sektorët. Gjatë ushtrimit të detyrës së Prefektit në çdo moment kam qenë avokat i të drejtave të komunitetit në përgjithësi dhe atij etnik grek në veçanti. Besoj se pikërisht Kryeministri ka vlerësuar në figurën time impenjimin për realizimin e objektivave ambiciozë të Qeverisë dhe si përfaqësues të minoritetit më ftoi për të qenë pjesë e kabinetit të tij. 9.Jo vetëm si ministër por edhe në kuvend përfaqësoheni me siglën PD. Pse z.Ksera zgjodhi të kandidojë për këtë forcë politike kur më parë ishte pjesë e PBDNJ-së, por në koalicion me Partinë Demokratike? Gjithnjë kam besuar në prioritet e Qeverisë së djathtë dhe në seriozitetin e realizimit të reformave kurajoze, të ndërmarra që nga 2005 në të gjithë sektorët. Bashkëpunimi im me Kryeministrin Berisha, por edhe të gjithë strukturën shtetërore, gjatë ushtrimit të detyrës së Prefektit ka në shkallën më të lartë. Pas shpalljes nga ana e drejtuesve të PBDNJ së vendimit për daljen në koalicion parazgjedhor me PS, ndërkohë që bashkëqeveriste me të djathtën, ishte jo vetëm një vendim i moralshëm, por edhe i natyrshëm kandidimi im nën siglën e PD. 10.Duke qenë një njohës i mirë i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, si i vlerësoni marrëdhëniet mes dy vendeve dhe pas zgjedhjeve të tetorit kur tanimë në pushtet vjen e majta? Nga Qeveritë e të dyja vendeve qofshin ato të majta apo të djathta, në vazhdimësi, marrëdhëniet dypalësh janë konsideruar të një rëndësie të veçantë dhe për konsolidimin e tyre është investuar shumë nga të dyja palët. Këto marrëdhënie kanë ardhur duke u focuar dhe bashkëpunimi dypalësh në të gjitha fushat duke u forcuar. Pra, nuk kam sesi si t’i vlerësoj ndyshe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, veçse të shkëlqyera. Si qytetar, ish-prefekt dhe aktualisht ministër cili është perceptimi juaj për Postën Shqiptare sot dhe para disa viteve? Ndryshim është i dukshëm për të gjithë. Posta Shqiptare është ndër të parat që ia ka dalë të vihet realisht në shërbim të publikut dhe t’i përgjigjet kërkesave të tij. Së fundi vihet re që Shërbimi Postar ka rritur jo vetëm numrin e shërbimeve që ofron, por edhe cilësinë e tyre. Dhe për të dalluar këtë hop nuk ka nevojë të jesh Ministër, pasi ai është i prekshëm për çdo qytetar. |