


| Intervistë Ministrit Spiro Ksera, në gazetën “Sot”, dt.23/09/2009 |
|
|
|
Z. Ksera, si e gjykoni drejtimin e ketij dikasteri qeveritar perseri nga nje minoritar. A eshte rastesi apo pjese e profilit politik te Qeverise se re? Emërimi në krye të një Ministrie është, së pari, vendim i Kryeministrit dhe gjykoj se Kryeministri Berisha, duke vlerësuar kontributin dhe veprimtarinë time politike në Jug të vendit, më propozoi të bëhem pjesë e këtij Kabineti. Shfrytëzoj rastin që ta falenderoj publikisht Kryeministrin për besimin e shprehur ndaj figurës sime. Mendoj se drejtimi i Ministrisë së Punës nga një përfaqësues i minoritetit etnik grek nuk është rastësi, pasi për katër vjet ky institucion është drejtuar nga anëtarë të këtij minoriteti. Në këtë Ministri tashmë punojnë shumë anëtarë të komunitetit grek dhe vllah në Shqipëri dhe dua të siguroj se do të jem garant i vazhdimësisë së tyre këtë institucion. Së dyti, Qeveria Berisha ka që në vitin 2005 që tregon një kujdes të veçantë për përfaqësimin e minoritetit etnik grek në Qeveri duke vlerësuar rolin konstruktiv të këtij komuniteti në të gjitha fushat. Mospranimi i ftesës së Kryeminstrit nga ana e PBDNJ për të marrë pjesë në këtë Qeveri si dhe fakti që unë jam deputeti me numrin më të madh të votave të marra nga minoriteti, bëri që Kryeministri të më propozonte të bëhesha pjesë e Kabinetit të tij. Unë e pranova propozimin i bindur se minoriteti ka nevojë të përfaqësohet nga një anëtar i tij, të cilin e ka mbështetur dhe votuar dhe, që padyshim, do të jetë garantuesi i çdo kërkese të ardhur nga minoritarët. Cili do te jete profili i MPÇSSHB ne 4 vitet e ardhshme, cilat jane objektivat dhe aspektet prioritare? Konsolidimi i një administrate profesionale dhe me efektivitet të lartë në kryerjen e detyrave, organizim më i përshtatshëm, forcimit të kapaciteteve, rritjes së cilësisë së burimit njerëzor, përdorimit në rritje të teknologjisë së informacionit, rritjes së shkallës së informimit, konsultimit e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit në proçeset administrative e politikëbërëse. Ministria e Punës do të jetë në pararojë të angazhimit të Qeverisë për reforma organizative në administratën qëndrore bazuar në një administratë të vogël dhe efiçiente. Objektivi i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta do të jetë hartimi dhe zbatimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe të pranueshëm të programeve sociale duke synuar eliminimin e mbivendosjeve të skemave sociale. Qëllimi madhor në reformën sociale do të jetë reformimi i institucioneve ligjore dhe përmirësimi i plotë dhe i dukshëm procedurave dhe standarteve të ofrimit të shërbimeve të ndryshme në sistemin social. Mbrojtja dhe mbështetja e shtresave në nevojë do të mbeten në fokusin qendror të aksionit katërvjeçar të këtij institucioni. Z. Ksera, a eshte drejtimi i kesaj ministrie fryt i kontributit tuaj ne PD gjate zgjedhjeve te fundit elektorale? Gjithnjë kam besuar në prioritet e Qeverisë dhe në seriozitetin e realizimit të reformave kurajoze në të gjithë sektorët, të ndërmarra që nga 2005. Si prefekt i Qarkut të Gjirokastrës, për katër vitet e shkuara, kam pasur nderin të jem pjesë e kësaj sipërmarrjeje të madhe dhe jo të lehtë. Rezultatet e kësaj pune dhe këtyre përpjekjeve shqiptarët do t’i shohin të konkretizuara në integrimin e shpejtë të vendit në BE. Po ashtu, në detyrën e Prefektit në çdo moment kam qenë avokat i të drejtave të komunitetit etnik grek dhe mbrojtës i tyre. Besoj se pikërisht Kryeministri ka vlerësuar në figurën time impenjimin për realizimin e objektivave ambiciozë të Qeverisë dhe si përfaqësues të minoritetit më ftoi për të qenë pjesë e kabinetit të tij. Qeveria e re ka premtuar 160.000 vende te reja pune, cili do te jete roli i MPCSSHB ne kete drejtim? Hapja e vendeve të reja të punës kryesisht do të realizohet nëpërmjet zhvillimit ekonomik në tërësi të vendit dhe programi ekonomik i Qeverisë orienton një tipar të fortë punësues si pasojë e zhvillimeve të pritshme ekonomike. Reformat e parashikuara në sistemin fiskal, në përmirësimin e mjedisit për biznesin, investimet e mëdha në infrastrukturë e në përdorimin e burimeve energjetike, minerare e mjedisore, prioritet për zhvillimin e turizmit, por edhe bujqësisë dhe agroindustrisë, si dhe nxitja e investimeve të huaja, do të jenë faktorët kryesorë që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe, rrjedhimisht, edhe krijimin e vendeve të reja të punës. Në Programin e Qeverisë parashikohet që mbi 90% e vendeve të reja të punës të krijohen pikërisht nga këta faktorë. Edhe roli i Ministrisë së Punës dhe strukturave të saj në rritjen e punësimit do të jetë domethënës. Kjo do të arrihet nëpërmjet përdorimit të programeve efiçiente të nxitjes së punësimit dhe fuqizimin e instrumentave të ndërmjetësimit në tregun e punës. Vetëm nëpërmjet zbatimit të programeve të nxitjes dhe ndërmjetësimit nga zyrat e punës, për këtë mandat parashikojmë të punësojmë 40 mijë vetë. Kalimi së shpejti on-line i kërkesë-ofertave në tregun e punës në mbarë vendin, do të rrisi eficensën e zyrave të Punës, duke rritur edhe interesin si të punëdhënësve ashtu edhe të punëmarrësve për shërbimet e ofruara prej tyre. Një tjetër prioritet yni në këtë mandat do të jetë realizimi i një reforme të plotë në sistemin e formimit profesional. Një ekonomi dhe industri e zhvilluar ka nevojë për krah pune të kualifikuar. Qeveria parashikon dyfishimin e buxhetit për shkollimin, trajnimin, kualifikimin, përshtatjen e aftësive të të papunëve dhe atyre që humbasin vendin e punës me kërkesat e tregut. Po ashtu, kushtëzimi i ndihmës ekonomike me punë në komunitet do të jetë një nga programet aktive në realizmin e të cilave Ministria do të kërkojë bashkëpunimin e qeverisjes vendore. Cili do te jete aksesi i personave me "Aftesi te Kufizuar" ne sherbimet e ndryshme publike dhe sa do te perfitojne ata nga keto vende te reja pune? Përmirësimi i jetesës së shtresave në nevojë do të vazhdojë të jetë prioritet i programit të kësaj Qeverie. Dhe, në këtë kategori një vend të veçantë do të zenë edhe personat me aftësi të kufizuara. Është pikërisht kjo kategori e cila është mbështetur më fort nga Qeveria Berisha në mandatin e parë, nëpërmjet vendimeve që kanë rritur në mënyrë të ndjeshme të ardhurat e tyre. Duke iu përgjigjur kërkesës së përsëritur të kësaj kategorie për përmirësimin e vlerësimit të aftësisë së kufizuar, tanimë ky vlerësim do të bazohet në modelin social, përfshirjen e profesionistëve social në vlerësim, si dhe në rritjen e informimit për personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre. Rritja e numrit dhe llojshmërisë së shërbimeve komunitare me standarte për këtë kategori, nëpërmjet rritjes së fondeve buxhetore, do të jetë në qendër të prioriteteve tona. Përveç këtyre masave, ne do të ndërtojmë programe konkrete për nxitjen e punësimit për këtë kategori si dhe do të zbatojmë forma të tjera për integrimin e tyre në shoqëri. Çfarë do te ndryshoje ne luften kunder dhunes ne familje, a ka kjo ministri, mekanizmat e duhur per te parandaluar dhe krimet brenda familjeve shqiptare? Prej dy vjetësh ka hyrë në fuqi Ligji për Parandalimin e Dhunës në Familje, i cili ka dhënë edhe rezultatet e para. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e Ligjit kanë ngritur strukturat përkatëse dhe po punojnë seriozisht për zbatimin e tij. Gjatë mandatit katërvjeçar parandalimi i dhunës në familje, mbrojtja e viktimave dhe aksesi i tyre në skemat e mbrojtes ligjore dhe psikosociale do të jetë një nga drejtimet kryesore të politikave të posaçme që Ministria do të ndërmarrë për të garantuar dhe mbrojtur dinjitetin e gruas, duke i kushtuar njëherazi rëndësi edhe fëmijëve dhe të moshuarve. Së shpejti do të kemi edhe Qendrën e parë Kombëtare për pritjen dhe trajtimin e viktimave të dhunës në familje. Kjo kategori, në vazhdimësi, do të jetë të qendër të politikave tona për mbështetje ekonomiko-sociale dhe punësim, nëpërmjet programeve të posacme të nxitjes së punësimit, realizuar me fonde të buxhetit të shtetit Sa ka ndryshuar situata e minoritareve ne Shqiperi, duke marre ne konsiderate faktin qe kjo ministri eshte drejtuar 4 vitet e fundit nga minoritare? Bashkëpunimi shumë i ngushtë në Kabinetin e kaluar të ministrit të vetëm minoritar me Kryeministrin Berisha ka bërë që të zgjidhen shumë nga çështjet e bllokuara, të cilat shqetësonin minoritetin. Po ashtu, gjatë katër viteve të shkuara është rritur ndjeshëm përfaqësimi i anëtarëve të minoritetit në administratën publike dhe janë rritur ndjeshëm edhe investimet publike në zonat e banuara nga minoriteti. Sigurisht, nuk mund të thuhet se është bërë gjithshka e mundshme, por angazhimi i Qevrisë ka qenë serioz dhe konkret në marrjen parasysh dhe plotësimin e disa prej kërkesave më të rëndësishme të komunitetit etnik grek. Për mandatin e dytë, Qeveria është angazhuar të vazhdojë të realizojë në shkallë gjithnjë e më të lartë të drejtat e minoriteteve. Z. Ksera cilat jane praktikat mbeshtetese te ministrise qe Ju drejtoni, ne fuqizimin e rolit te femres ne shoqerine shqiptare? Njohja dhe garantimi i barazisë gjinore në të gjitha fushat ka qenë dhe mbetet prioritet i politikave të Qeverisë Berisha. Tashmë kemi një bazë ligjore dhe dokumenta strategjike mbështetës, që sanksionojnë barazinë gjinore në shoqëri. Ka filluar ngritja e mekanizmit gjinor në të gjitha nivelet e qeverisjes, nga ai qendror në atë vendor, mekanizëm i cili do të kontribuojë në realizmin konkret të përfaqësimit gjinor nëtë gjitha nivelet. Edhe në këtë mandat, Qeveria angazhohet për promovimin e parimeve të barazisë gjinore dhe forcimin e instrumenteve ligjore dhe institucionale mbrojtës. Ministria e Punës, nga ana e saj, do të iniciojë programe konkrete për të siguruar trajnimin dhe kualifikimin profesional falas dhe skema punësimi për gratë kryefamiljare dhe ato të komuniteteve të margjinalizuara. Programet sociale do të kenë në fokus rritjen e shërbimeve sociale për gratë kryefamiljare, nënat me shumë fëmijë, vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara, gratë e komunitetit rom dhe ato që janë viktima të trafikimit apo rrezikohen të jenë viktima. Sa vëmendje do t'i kushtohet bashkepunimit me Shoqerine Civile? Nga informacioni që kam, në këto vite, Ministria e Punës ka qenë shembull i bashkëpunimit të ngushtë, periodik dhe serioz me shoqërinë civile. Organizatat joqeveritare janë ftuar të jenë pjesë në proçeset e hartimit të legjislacionit që prek kryesisht fushën sociale dhe në mashkëpunim me shoqërinë civile janë ndërmarrë reforma ambicioze në këtë fushë. Unë garantoj që në të ardhmen ky bashkëpunim do të njohë nivele të reja. |