


| Seance plenare 25.02.2010 |
|
|
|
Fjala e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në Sencën Plenare të Kuvendit. 25 shkurt 2010 “Qeveria ka bërë progres domethënës në hartimin dhe zbatimin e strategjive që trajtojnë nivelet e larta të dhunës në familje”, konstatoi tri ditë më parë Raportuesi i Posaçëm i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Philip Alston, në konferencën për shtyp që dha pas vizitës dhe takimeve disaditore me të gjitha institucionet qeveritare dhe shoqërinë civile. Në takimin që pata me z. Alston, ai u shpreh se nismat e ndërmarra nga Qeveria në vitet e fundit janë mbresëlënëse. Raportuesi i Kombeve të Bashkuara vuri në dukje, gjithashtu, se përpjekjet e Qeverisë nuk janë të dukshme vetëm në hartimin e dokumentave politikë dhe ligjore të një niveli të lartë, por edhe në masën e implementimit të tyre. Duke iu referuar ekspertëve që punojnë në fushën e barazisë gjinore dhe dhunës në familje, z. Alston theksoi se “ata, ekspertët, vërejnë se kanë parë ndryshime të rëndësishme në shkallë të gjerë në qendrimin e zyrtarëve ndaj dhunës në familje”. Ky vlerësim i Raportuesit të OKB për hapat e ndërmarrë nga Qeveria është domethënës. Tashmë strukturat tona po punojnë me intensitet për përmirësimin dhe plotësimin e legjislacionit në të gjitha fushat, me qëllim përafrimin e tij me atë të vendeve të BE, një nga kushtet për integrimin evropian të Shqipërisë. Por, angazhimi ynë nuk është përqendruar thjesht dhe vetëm në hartime ligjesh dhe bërje politikash, paralelisht po punojmë për implementimin e këtij legjislacioni në mënyrë që efektet të jenë të ndjeshme dhe të prekshme nga çdo grup, kategori shoqërore apo individ të cilit i drejtohet dhe të cilët mbron. Një tregues tjetër i punës që është bërë dhe po bëhet nga strukturat tona është edhe përmbushja në kohë e detyrimeve për liberalizmin e vizave. Këtë javë Ministria e Punës mori një vlerësim pozitiv edhe nga ekspertët e Bashkimit Evropian, në kuadër të komisionit faktmbledhës, i cili po verifikon në terren përmbushjen e detyrimeve të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Ekspertët vizituan Drejtorinë e Politikave të Migracionit, Kthimit dhe Reintegrimit, në Ministri, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit si dhe Zyrën Rajonale të Punësimit Tiranë, në datat 22–23 Shkurt . Gjatë këtyre ditëve ekspertët e BE u informuan rreth monitorimit të fluksit migrator, zbatimit dhe përdorimit efikas të sistemit TIMS me të dhënat për migracionin, sistem që u inspektua prej tyre. Ekspertët u njohën gjithashtu me funksionimin e Regjistrit Kombëtar për të Huajt, një regjistër elektronik ky, i cili mundëson hedhjen e informacionit mbi të huajt online nga të gjitha strukturat, jo vetëm të Ministrisë së Punës, por edhe Ministrisë së Brendshme, konsultimin e këtij informacioni në interes të punës, prodhimin e raporteve dhe statistikave, si dhe informimin automatik të shkeljeve të afateve të lejeve të punës. Ekpsertët u informuan edhe për nivelin e implementimit të Planit të Veprimit për zbatimin e Ligjit për të Huajt, përfshirë këtu politikat integruese te migranteve te huaj si dhe mbështetjen e qëndrueshme financiare dhe sociale të tyre. Ekspertët e BE vlerësuan politikat e hartuara dhe masat e marra nga institucionet për riintegrimin e të kthyerve, duke përfshirë mbështetjen e qëndrueshme financiare dhe sociale. Në fund të vizitës dhe inspektimit, ekspertët e BE vlerësuan pozitivisht punën e bërë nga strukturat e Ministrisë së Punës, e cila ka realizuar 100% detyrimet e planifikuara në Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe unë personalisht jam i angazhuar në plotësimin e të gjitha objektivave dhe detyrimeve në kuadër të integrimit evropian të vendit, duke punuar në paraqitjen në kohë të ndryshimeve dhe përmirësimeve ligjore, si dhe marrjen e masave të nevojshme institucionale në zbatim të tyre. Kështu, nga shtatori i vitit 2009, Ministria e Punës ka përgatitur dhe paraqitur për miratim një sërë Projektligjesh shumë të rëndëssishme, ku do të vecoja ndryshimet më të fundit në Ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore“, në të cilin, për herë të parë, parashikohet mbështetja me ndihmë ekonomike të viktimave të trafikut pas daljes nga qendrat e pritjes, dhe po për herë të parë, nëpërmjet përmirësimit që iu bë ligjit, Qeveria merr përsipër të mbështesë me fonde nga buxheti i shtetit qendrat jopublike të pritjes së viktimave të trafikut. Pas përfundimit të procedurave të miratimit, legjislacioni shqiptar është plotësuar tashmë me një ligj të ri, atë “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, ku parashikohen të drejtat dhe detyrimet e punëdhënësve e punëmarrësve për garantimin e shëndetit dhe jetës së punëmarrësve në ambientet e punës. Në këtë mënyrë, për herë të parë, shëndeti dhe jeta e punëmarrësit shqiptar në mënyrë ligjore mbrohet dhe sigurohet nga një ligj i nivelit të vendeve evropiane, i cili është përshëndetur dhe vlerësuar si nga partnerët socialë, ashtu edhe nga faktori ndërkomëbëtar. Po gjatë kësaj periudhe u miratua nga Këshilli i Ministrave Ligji “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve“, i cili pritet të kalojë së shpejti për miratim në Kuvend. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka përfunduar draft- projektligjin “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, i cili është në procedurën e marrjes së mendimeve nga ministrite e linjës, përpara se të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave, e më pas në Kuvend. Në këtë mënyrë, do të kemi të përmbledhura në një dokument të gjitha të drejtat e fëmijëve si dhe detyrimet e çdo institucioni për përmbushjen e tyre. Në muajt e fundit të vitit që lamë pas, Këshilli i Ministrave miratoi në parim Konventën e OKB-së, “Për personat me aftësi të kufizuar”, e cila do të pasohet nga një plan Veprimi i detajuar në zbatim të saj. Pas përfshirjes së Shqipërisë në nismën e Dekadës Rome dhe në zbatim të agazhimeve të marrë me këtë aderim, u hartua dhe miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave “Plani Kombëtar i Veprimit për Dekaden e Përfshirjes së Romëve 2010-2013”, një plan i detajuar ky në cilin institucionet përkatëse angazhohen të hartojnë e zbatojnë politika dhe të planifikojnë fondët e nevojshme për integrimin e këtij komuniteti në jetën ekonomiko-sociale të vendit. Gjatë vitit 2010 Ministria e Punës është në proces për të paraqitur përmirësime ligjore edhe në ligjin bazë të punës, Kodin e Punës, së bashku me Ministrinë e Arsimit po përgatimet përmirësimet ligjore në Ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, etj.. Në kuadër dhe zbatim të ndryshimeve ligjore të miratuaara tashmë de në proces miratimi, Ministria e Punës ka punuar dhe po punon edhe për nxjerrjen e akteve të tjera nënligjore për dhe në zbatim të tyre, në mënyrë që legjislacioni të implementohet në afate të arsyeshme kohore. |