


| Ne komisonin parlamentar te punes per Pligjin per Sigurine dhe Shendetin ne Pune-11-02-2010 |
|
|
|
PËR PROJEKTIGJIN "PËR SIGURINË DHE SHËNDETIT NË PUNË” Tiranë më, 11 shkurt 2010 Komisioni Parlamentar i Punës Promocioni i sigurisë dhe shëndetit në punë, mbrojtja e punëmarrësve, mbrojtja e shoqërisë dhe e mjedisit kundrejt efekteve të pafavorshme të punës, është pjesë integrale e politikës shtetërore nën përgjegjësinë e Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (MPÇSShB), dhe autoriteteve të tjera shtetërore. Së pari, është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila përmban dispozita që theksojnë detyrimin për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë në vendin e punës, në kreun IV “Të drejtat dhe lirite ekonomike, sociale e kulturore” (punësim i ligjshëm, mbrojtje e sigurim social dhe shëndetësor), Se dyti, Shqipëria ka ratifikuar, Konventën Nr. 155 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës “Për sigurinë në punë, shëndetin dhe mjedisin e punës” (1981) dhe Protokollin i saj i vitit 2002. Konventa parashikon detyrimin për hartimin e politikave për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit në punë dhe detyron marrjen e masave nga ana e qeverive të shteteve ratifikues për përmirësimin e kushteve të punës në të gjithë sektorët. Të dy këto dokumenta, janë pjesë përbërëse e legjislacionit shqiptar dhe në zenë vendin më të lartë në hierarkinë normave. Deri më sot, Siguria dhe Shëndeti në punë në legjislacionin kombëtar ka gjetur zbatim në Kodin e Punës, përkatësisht në Kreun VIII “Siguria dhe shëndeti në punë”, në nenet 39 deri 75, ku parashikohen përgjegjësitë e punëdhënësve, masa të përgjithshme të mbrojtjes ndaj rreziqeve që mund të shkaktojnë përdorimi i substancave të rrezikshme dhe agjentëve kimikë, që duhet të marrë punëdhënësi në konsultim me punëmarrësin. Në nene të veçanta të Kodit të Punës jepen rregulla që duhet të plotësohen nga punëdhënësi para dhe gjatë kryerjes së punës, si dhe nga ana e punëmarrësit. Në zbatim të Kodit të Punës dhe të Ligjit per Inspektoriatin Shtetëror të Punës, janë miratuar Vendime nga Këshillit të Ministrave, që synojnë zbatimin e masave mbrojtëse në sektorë të veçantë. Në legjislacionin kombëtar shqiptar gjejnë zbatim, në mënyrë të pjesshme, pjesa më e madhe e normave të përmbajtura në Direktivat kryesore Evropiane. Pavarësisht të gjithë këtyre akteve ligjore ekzistuese, për të plotësuar kuadrin ligjor, Shqipëria mori iniciativën e shkrimit të Dokumentit të politikave për sigurinë dhe shëndetin në punë, miratuar me VKM nr. 500, date 6.5.2009 “Për disa shtesa në Vendimin nr. 751,”Për miratimin e strategjisë sektoriale të punësimit dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj”. Në Strategjinë Sektoriale të Punesimit, pas kapitullit 5 shtohet një kapitull i ri 6, me titull “Dokumenti i politikave për sigurinë dhe shëndetin në punë”. Në kuadrin e implementimit të këtij dokumenti politikash, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka ndërmarrë nismën, për herë të parë, të hartimit të ligjit “Për sigurinë dhe shëndetit në punë”, i cili ka kaluar në Këshill të Ministrave, dhjetor 2009, dhe qe sot po diskutohet ne komisionin Parlamentar. Në Nenin 3 dhe 22-të të Kartës Sociale Evropiane (të Rishikuar), “E drejta për kushte pune të sigurta dhe të shëndetshme”,“E drejta për të marrë pjesë në përcaktimin e kushteve të punës dhe mjedisin e punës”, instrument ky i rëndësishëm i ratifikuar edhe nga Republika e Shqipërisë, përcaktohen ushtrimi efektiv i së drejtës për kushte të sigurta dhe të shëndetshme në punë. Plotësimi i këtyre standardeve bën të domosdoshëm edhe hartimin e këtij projektligji. Po ashtu, Projektligji, në nene të veçanta, synon përfshirjen dhe zbatimin e angazhimeve të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë në kuadrin e Planit Kombëtar të Përafrimit të Legjislacionit dhe të Zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Në Projektligjin e paraqitur janë pasqyruar edhe dispozita të acquis communautaires në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, rekomandime të fundit të BE-së, sidomos të Direktivës Kuadër të Komisionit Evropian (89/391/EEC) “Lidhur me zbatimin e masave që synojnë të nxisin përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit në punë “, plotëson angazhimet ndaj Organizatës Ndërkombëtare të Punës me ratifikimin e Konventës nr 155 “Mbi Sigurinë dhe Shëndetin e Punonjësve dhe Mjedisin në Punë”, por edhe përvojat pozitive të legjislacionit të disa shteteve europiane, si, Maqedonia, Rumania, Spanja. Projektligji ka për objekt garantimin e sigurisë dhe shëndetit në punë të punëmarrësve dhe përgjegjësive të punëdhënësve për të arritur një nivel të përshtatshëm të mbrojtjes së shëndetit të punonjësve ndaj rreziqeve në punë, duke hartuar masa koherente, të koordinuara dhe efikase për parandalimin e rreziqeve në punë. Fusha e zbatimit te ligjit shtrihet si tek punonësit që kanë një marrëdhënie pune në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, ashtu edhe tek personeli civil që ka marrëdhënie pune me karakter administrativ. Për herë të parë, me anë të këtij ligji, futet nocioni i detyrimit të punëdhënësit për vlerësimin e rreziqeve që burojnë nga ushtrimi i aktivitetit që në fazën e hartimit të projektit të ndërmarjes dhe marrjen e masave parandaluese në përshtatje me natyrën e rreziqeve të lindura gjatë punës, si dhe kontrollin e efektivitetit të këtyre masave. Risi e këtij ligji është detyrimi i punëdhënësve për të hartuar dokumentin e vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, i cili përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjeno-sanitare, të cilat do të zbatohen sipas kushteve specifike të vendeve të punës të aktivitetit. Gjithashtu, është parashikuar ngritja dhe funksionimi i shërbimeve të mbrojtjes dhe parandalimit si dhe Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në nivel ndermarrje, shërbime të cilat nuk kanë ekzistuar as si nocion deri më sot ne legjislacionin shqiptar. Këto struktura, që përbëjnë dhe dialogun social dypalësh në nivel ndërmarrje, do të shërbejnë për zbatimin e masave parandaluese dhe sigurojnë pjesëmarrjen e balancuar të punëmarrësve në hartimin e dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rreziqeve që burojnë nga puna. Risi tjetër e projektligjit është futja e nocionit të shërbimeve të specializuara jashtë ndërmarrjes, të kualifikuara për të kryer shërbime mbrojtjeje dhe parandalimi në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, të cilave iu drejtohet punëdhënësi sa herë që kapacitet e ndërmarrjes janë të pamjaftueshme për të organizuar aktivitete mbrojteje dhe parandalimi. Dhe është pikërisht Ministri përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe shendetit ne pune , autoriteti pergjegjes per licensimin e ketyre sherbimeve te specializuara. Por, gjithashtu, në një kre të veçantë, në Kreun III, projektligji përcakton detyrimet e punëmarrësve, tërësinë e të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin ose që lidhen me të drejtën themelore të punonjësve për mbrojtje, duke rregulluar në mënyrë specifike, veprimet që duhen bërë në situata emergjence ose në rast rreziku të rëndë dhe të afërt, duke njoftuar në mënyrë të menjëherëshme punëdhënësin, punëmarrësin e ngarkuar për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe përfaqësuesit e punëmarrësve për çdo defekt të konstatuar në sistemin e mbrojtjes; Në Kreun IV- Kontrolli i shëndetit, përmbledh masat për të siguruar kontrollin e shëndetin të punëmarrësit në funksion të rreziqeve që kanë lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë. Çdo punëdhënës i një subjekti publik apo privat, vendas apo i huaj, fizik apo juridik është i detyruar të siguroje shërbimin mjekësor në punë, nëpërmjet mjekut të punës. Në Kapitullin V, Hetimi i aksidenteve në punë është risi klasifikimi në 4 shkallë të aksidenteve, duke u bazuar në pasojat që shkakton aksidenti dhe numrin e personave të dëmtuar. Kreu VI- parashikon grupet që janë të ndjeshme ndaj rrezikut, konkretisht mbrojtjen e veçantë të grave shtatëzëna, grave me fëmijë në gji, të miturit, si dhe personat me aftësi të kufizuar dhe masat e veçanta që duhet të marrë punëdhënësi për të përshtatur vendin e punës me këtë kategori punonjësisht me qëllim parandalimin e rreziqeve që rrjedhin nga puna. Kreu VII përcakton Autoritet shtetërore përgjegjëse duke parashikuar ngritja e një Këshilli Ndërministror për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë, i cili është organ këshillimor dhe ngrihet me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë. Gjithashtu, janë parashikuar dhe të drejtat dhe detyrimet që kanë autoritet përgjegjëse shtetërore në zbatim të këtij projekt ligji. Kreu VIII parashikon Sanksionet, ku është parashikuar që ISHP-ja, si institucion përgjegjës për kontrollin e zbatimit të këtij projekt-ligji, të vendos gjobë në përputhje me ligjin nr. 9634, datë 30.10.2006, “Për Inspektimin e Punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës”. Miratimi i ketij projekt ligji është i nevojshëm: - Për t’i dhënë fund mungesës së një vizioni në politikën e parandalimit të rreziqeve në punë, si pasojë e një mosgrupimi të normativave në fuqi, shumë prej të cilave të shpallura përpara Kodit të Punës. - Për të rregulluar me ligj problemet që kanë dalë në kushtet e reja të zhvillimit ekonomik e social. Këto nevoja, marrin rëndësi kur lidhen me mbrojtjen dhe sigurimin e shëndetit në punë të punonjësve, evoluimi i kushteve të të cilave kërkon nje aktualizim të vazhdueshëm të normativave dhe përshtatjen e tyre me transformimet e thella që kanë ndodhur. Me hyrjen në fuqi të këtij projektligji do të dalin akte nënligjore në zbatim të tij, të cilat do të detajojnë dhe konkretizojnë një sërë dispozitash të rregulluara në këtë ligj, të cilat do të pasqyrojnë direktivat e veçanta që kanë dalë në zbatim të Direktivës Kuadër 89/391/EEC. Në hartimin e projektligjit ministritë e linjes kanë patur përfaqësues, që kanë marrë pjesë në mbledhjet e grupit të punës dhe kanë rëne dakort me përmbajtjen e neneve të tij. |