logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Fjala e Ministrit Spiro Ksera në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë, së datës 16 Shtator 2009, që miratoi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave Print E-mail
E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar të ftuar!


Në çdo program qeverisës aspekti social, ose prespektiva katërvjeçare e zhvillimit social të një shoqërie, zë një vend të rëndësishëm. Përsosja e profilit social të shtetit përbën një nga angazhimet më të rëndësishme dhe, njëkohësisht, me ndikim në jetën e përditshme të njerëzve. Performanca e tij matet me indikatorë konkretë dhe praktikë.

Objektivi i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është:
Hartimi dhe zbatimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe të pranueshëm të programeve të sotme sociale, me qëllim përfundimtar qëndrueshmërinë e sistemit të mbrojtjes sociale për një periudhë edhe më të gjatë kohore se sa ajo e një mandati qeverisës.
Mbivendosjet e skemave sociale do të eleminohen, përfitimet sociale sipas skemave të ndryshme do të koordinohen në një nivel optimal dhe të pranueshëm, si dhe përfitimet sociale do të ofrohen me shkallën më të lartë të efikasitetit.
Në këtë kuptim, qëllimi madhor në reformën sociale është reformimi i institucioneve ligjore dhe përmirësimi i plotë dhe i dukshëm i rregullave proceduriale dhe i standarteve  të ofrimit të shërbimeve të ndryshme në sistemin social.
Shtresat më në nevojë, personat me aftësi të kufizuar fizike, gratë, fëmijët jetimë, romët, mosha e tretë, janë dhe do të mbeten në fokusin qendror të aksionit qeverisës katërvjeçar. Vetëpërgjegjësia shoqërore dhe solidariteti do të mbeten dy kapilarët kryesorë të sistemit tonë social dhe parakushte të përhershme për të mundësuar dhe siguruar një jetë të denjë të çdo individi në shoqëri.

Shëndeti dhe siguria në punë
Fokusi kryesor i Qeverisë në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë për periudhën katërvjeçare do të jetë zbatimi i plotë dhe cilësor i legjislacionit të punës, lidhur me sigurimin dhe mbrojtjen e integruar fizike, mendore dhe sociale të punonjësve si dhe harmonizimi i legjislacionit shqiptar me atë të komunitetit evropian.

Paga Minimale dhe Niveli i Papunësisë
Paga minimale parshikohet të rritet çdo vit me ritme më të lartë se indeksi vjetor i inflacionit, duke synuar ngushtimin e diferencave midis pagave të larta dhe atyre të ulta. Indeksimi i pagave parshikohet të bëhet çdo vit në masën e indeskit vjetor të inflacionit dhe rritjet e pagave për sektorë të veçantë në zbatim të strategjive përkatëse.
Në këtë mandat do të realizojmë rritjen e nivelit të pagesës së papunësisë në masën 10-20% çdo vit, për të arritur standartet e konventës së ILO-s, nivelin 50% të pagës minimale në shkallë vendi, si dhe uljen e numrit të përfituesve të pagesës së papunësisë si rezultat i punësimit të tyre nga pjesëmarrja në programet aktive në masën 10-15% mesatarisht në vit.

Ndihma Ekonomike dhe shërbimet sociale
Do të zbutet më tej varfëria, ku parashikohet: (i) në vitin 2013 niveli i varfërisë të ulet në 10% të popullsisë nga 18% që vlerësohej në 2005 (14% më 2008); (ii) masa mesatare e ndihmës ekonomike (NE) në vitin 2013 të arrijë në 90$ për familje, nga rreth 20$ që ishte më 2005 (vlerësimi i varfërisë me indikatorët e LSMS – Niveli i matjes së nivelit të jetesës në familje).
Për personat me aftësi të kufizuar parashikohen mekanizma të rinj për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, duke adaptuar modelin social dhe sistemin ndërkombëtar të klasifikimit dhe vlerësimit të aftësisë së kufizuar, si dhe hartimin e ligjit kuadër për personat me aftësi të kufizuara mendore, fizike dhe shqisore.
Programi i Ndihmës Ekonomike do të trupëzohet më mirë në kontekstin e politikave sociale, politikave të punësimit, të përfshirjes së familjeve që janë në skemën e ndihmës ekonomike në punët komunitare. Do të shihet mundësia e kufizimit në kohë të përfitimit të ndihmës ekonomike për një periudhë jo më shumë se 10 vjet, si mjet për të motivuar e nxitur përfituesit e programit të NE për të rihyrë në tregun e punës.

Politikat e shanseve të barabarta
Qeveria angazhohet për promovimin e parimeve të barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit gjinor, nxitjen e vlerave pozitive të grave dhe vajzave, përmes sigurimit të aksesit të barabartë të të dy gjinive në të gjitha fushat, në përputhje me dokumentat ndërkombëtare dhe legjislacionin kombëtar.
Ne synojmë në katër vite parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje në të gjitha format e saj, nëpërmjet hartimit të politikave dhe kuadrit ligjor përkatës; garantimin e mbrojtjes me ligj të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar; zbatimin e programeve sociale parandaluese, edukuese dhe të masave për reduktimin e dhunës në familje.

Fëmijët
Mbrojtja dhe mirëedukimi i fëmijëve mbetet prioritet i prioriteteve për Qeverinë. Do të merren masa për të siguruar mirërritjen dhe mbrojtjen e fëmijëve në mjedis të sigurt dhe familjar, e cila do të realizohet përmes mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të fëmijëve; ngritjes së shërbimeve alternative pranë familjeve apo në komunitete për rritjen dhe mbrojtjen e fëmijëve në mjedis të sigurt dhe familjar dhe mbështetjen për fëmijët pa kujdes prindëror përmes modelit të shërbimeve “shtëpi-familje”, kujdestari për fëmijët jetimë, birësim etj., si dhe përgatitja e fëmijëve për jetesë të pavarur kur largohen nga institucionet rezidenciale.

Komuniteti rom
Përsa i përket komunitetit rom, Qeveria angazhohet për marrjen e masave për informimin dhe njohjen e të drejtave për përfitim nga programet sociale, nga skema e ndihmës ekonomike, nga pagesat për personat me aftësi të kufizuara, për barrëlindje, etj., për mbëshetjen sociale të familjeve rome, me qëllim mundësimin e shkollimit të fëmijëve; integrimin e fëmijëve romë në jetën normale, duke ngritur qendra ditore që do të shërbejnë si strehë dhe shkollë për ta dhe nxitjen e punësimit dhe formimit profesional të komunitetit rom.

Ju faleminderit
 

Kontakti

kontakt-3-2012

Klikoni për "Shërbimet Sociale Në Shqipëri"

infosherbime2-2012


Harta e "Shërbimeve Sociale në Shqipëri"

harta-sherbime2-2012


Nëse nuk e keni të instaluar programin , klikoni imazhin e mëposhtëm :google_earth




FLASH

Kerkoni ne website