


| Intervistë dhënë Agjensisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), tetor 2008 |
|
|
| Tuesday, 02 December 2008 19:11 |
|
Punesimi dhe objektivat per uljen e papunesise Si paraqitet pas tre vitesh niveli i papunësisë dhe cilat janë rezultatet e dikasterit të Punës në përmbushjen e objektivave në fushën e punësimit? Që në programin elektoral të mazhorancës së tanishme, i cili më pas u kthye edhe në program të Qeverisë, punësimi dhe politikat për nxitjen e tij dhe hapjen e vendeve të reja të punës kanë qenë ndër prioritet kryesore, por edhe më të vështira për t’u arritur, në kushtet e reformimit të thellë të ekonomisë, sidomos sektorëve industriale dhe prodhues. Hapja e vendeve të reja të punës është një fenomen multisektorial, që përfshin politika makroekonomike, politika të favorshme për biznesin, politika arsimore, sociale, etj., kështu që edhe masat e marra nga Qeveria kanë qenë multisektoriale. Në mbështetje të biznesit dhe zhvillimit të ekonomisë, që është indikatori kryesor në zhvillimin e tregut të punës dhe hapjen e vendeve të reja të punës, janë të hartuar dhe zbatuar politikat fiskale ndër më të favorshmet. Kështu, aktualisht barra aktuale fiskale është ndër më të ultat, ndërsa taksa e punës që përballohet nga punëdhënësi më 1 janar të vitit të ardhshëm do të zbresë me 50% në krahasim me 2005. Këto janë disa nga masat e marrë në sistemin makro. Përsa i përket masave të marra dhe politikave të hartuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, mund të them se prioritetit ynë ka qenë shndërrimi i politikave të punësimit nga politika pasive në politika aktive, pra jo thjesht mbështetja me pagesa kesh dhe rritja e nivelit të këtyre pagesave për të gjitha kategoritë, veçanërisht për ato në nevojë, por krijimi i kushteve dhe mundësive për një punësim të plotë dhe në përputhje me aftësitë profesionale të secilit. Ministria e Punes në misionin e vet harton dhe zbaton, nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit, politika aktive dhe pasive të tregut të punës, nëpërmjet të cilave synon integrimin dhe riintegrimin e të papunëve, kryesisht atyre afatgjatë në tregun e punës. Në politikat aktive përfshihen shërbimet e punësimit, programet e nxitjes së punësimit dhe formimi profesional. Gjatë këtyre tre viteve punonjësit e zyrave të punës në të gjithë vendin kanë intervistuar me mijëra punëkërkues, dhe nga keta mbi 35 mijë, nëpërmjet ndërmjetësimit, u është siguruar një punë. Përsa i përket formimit profesional, vetëm në qendrat publike numri i të trajinuarve i ka kaluar të 25 mijë. Pra, shifrat flasin për rezultate konkrete në këto fusha, por ashtu siç tha edhe Kryeministri një javë më parë, në inagurimin e Panairit të Punës në Tiranë, „këto rezultatet duhet të konsiderohen si rezultate fillestare për një politikë shumë më aktive dhe shumë më dinamike në drejtim të punësimit”. Pra, me politikat e hartuara dhe të zbatuara nga ana jonë, po ecet në rrugën e duhur, por para ka ende shumë për të bërë. Në tre vjet papunësia është ulur me 13%, pra nga 15% që ishte në 2005, sot ka arritur në 13%. Objektivi për uljen e papunësisë me 0.3% çdo vit është tejkaluar, por ne jemi të vetëdijshëm se efekti i masave të marra dhe politikave të zbatuara nuk është i menjëhershëm dhe në të ardhmen rezultatet do të jenë më domethënëse. Sa ka investuar Qeveria në këto tre vjet për politikat e punësimit? Puna jonë është përqendruar në studimin e nevojave të tregut, parashikimin e drejtë të tyre, si dhe ndërmarrjen e të gjitha hapave të nevojshme për t’u përshtatur në kushtet e një tregu në zhvillim. Ashtu siç e përmenda më lart, niveli i papunësisë në shkallë vendi sot është 13% dhe të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit në fund të 9-mujorit rezultojnë rreth 140 mijë persona. Por, kjo përqindje nuk është e njëjtë në të gjithë vendin dhe për të gjitha kategoritë. Kështu niveli i papunësisë për gratë është më i lartë dhe llogaritet rreth 16.1%, ndërsa tek burrat më e ulët, rreth 10.8%. Niveli i papunësisë po ashtu varion nga njëra zonë në tjetrën, ku bie në sy që në zonën e Tiranë niveli i papunësisë është më i ulti, 7.1 %, ndërsa në zonën veriore më i larti, 24%. Pra, bazuar në këto të dhëna, të cilat plotësohen edhe me të tjera, pasqyra bëhet më e qartë, kështu edhe hapat e ndërmarra nga ana jonë për të ndërhyrë në treg bëhen më konkrete dhe më eficente. Ndërhyrja për përmirësimin e situatës në tregun e punës në zona të veçanta dhe për kategori të veçanta bëhet nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të politikave eficente, mbështetur edhe me fondet përkatëse. Kështu është rritur fondi për programet e nxitjes së punësimit për kategori të tilla si gratë, të rinjtë dhe kategoritë në nevojë, dhe programe të tilla po zbatohen në të gjithë vendin, veçanërisht në zonën veriore. Qeveria shqiptare, duke pasur prioritet mbështetjen e politikave aktive në tregun e punës, ka rritur nga viti në vit edhe mbështetjen financiare për zbatimin e këtyre politikave. I është dhënë përparësi programeve të nxitjes së punësimit, nëpërmjet rritjes së fondit të akorduar nga buxheti i shtetit, që për vitin 2008 ishte në masën 200 milion lekë. Po ashtu, me kontributin e Qeverise suedeze, po punohet për informatizimin e sistemit të shërbimeve të punësimit. Ka përfunduar informatizimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe zyrat rajonale të punësimit në Tiranë dhe Korçë. Synojmë që me kontribute të donatoreve dhe buxhetit të shtetit të informatizohet i gjithë sistemi i shërbimeve të punësimit në vend. Nëpërmjet këtij informatizimi do të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme cilësia e shërbimeve të ofruara nga zyrat e punësimit dhe do të rritet saktësia e informacionit statistikor të tregut të punës. Nga ana tjetër, tregu i punës kërkon fuqizim të madh të trajnimit, aftësimit, riaftësimit. Kështu, në mbështetje të objektivit të zgjerimit sasior dhe cilësor të qendrave publike të formimit profesional në mbarë vendin, vazhdon puna për ndërtimin dhe rikonstruksionin e tyre në disa qytete të vendit. Po punohet në qendrat e formimit profesional publik në Elbasan, Fier, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër. Po ashtu ka filluar nga puna edhe Qendra e Formimit Profesional e Levizshme e cila do te mbuloje zonen verilindore me kualifikim profesional per kete pjese te vendit. Financimet për ndërtimin dhe rikonstruksionin e tyre kryesisht janë dhënë nga buxheti i shtetit, por edhe me fonde të BE në kuadër të Programit CARDS. Bazuar në rezultatet e arritura, çfarë masash do të merren gjatë këtij viti për nxitjen e punësimit dhe sa pritet të ulet niveli i papunësisë? Objektivat e parashikuara për t’u realizuar deri në fund të vitit 2008 në fushën e tregut të punës janë ulja e nivelit të papunësisë në masën 12.9. Përsa i përket masave të marra, përveç informatizimit të shërbimeve dhe rritjes së nivelit të tyre, për herë të parë, këtë vit ne kemi organizuar në një sërë qytetesh kryesore edhe Panairet e punës, aktivitete të rëndësishme dhe origjinale, që ofrojnë një shërbimi i ri punësimi. Kjo traditë ka pak kohë që është krijuar, por po tregon efektivitet dhe rezultate premtuese. Panaire të tilla janë organizuar para pak kohësh edhe nga Zyra Rajonale e Punësimit Durrës, Fier dhe Berat. Synohet që ky aktivitet të kthehet në një traditë pasi këto aktivitete janë shumë të rëndësishme, ku bëhet përputhja e kërkesës dhe ofertës për vendet e reja të punës. Nëpërmjet tyre u krijohet mundësia e integrimit në tregun e punës mjaft punëkërkuesve të papunë, si dhe punëdhënësve të plotësojnë vendet e lira të punës me persona të kualifikuar. Panairet janë aktivitete shumë të rëndësishme dhe efektive për uljen e nivelit të papunësisë dhe rritjen e nivelit të punësimit, pasi brenda nje afat kohor prej 2-3 ditësh mundësohet punësimi i shumë personave, që shkon deri në mbi 70% të vendeve të lira të ofruara nga ana e punëdhënësve. Si paraqitet ecuria e programeve për nxitjen e punësimit për punëkërkuesit e papunë? Ministria zbaton aktualisht politika sociale aktive, por edhe pasive. Ndër politikat sociale aktive, përveç politikave të formimit profesional, dëshiroj të përmend politikat për hapjen e vendeve të reja të punës, siç është Programi për Nxitjen e Punësimit. Nga 158 projekte që janë duke u zbatuar në kuadrin e këtij programi, pritet që deri në fund të vitit të punësohen deri rreth 2 500 punëkërkues të papunë. Programet e zbatuara për këtë vit janë ato për nxitjen e punësimit të punëkërkuesve të papunë femra, të cilat, siç e përmenda më lart, kanë edhe nivelin më të lartë të papunësisë. Aktualisht po zbatohen 15 projekte, me një fond prej rreth 49.3 milion lekë, ku janë punësuar 456 punëkërkues të papune, 353 nga të cilat janë nga grupet e veçanta. Po ashtu, po zbatohet Programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë, nga i cili po përfitojnë 1180 punekerkues. Nga Programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë në vështirësi, po përfitojnë 250 punëkërkues, në 25 projekte të zbatuara, dhe nga Programi i praktikave profesionale për punëkërkuesit e papunë që kanë mbaruar arsimin e lartë po zbatohen 69 projekte, dhe po mbështeten 302 punëkërkues të papunë. |