logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Interviste dhene Gazetes Metropol Prill 2008 Print E-mail

Ministria e Punës është ndër të parat institucione shtetërore shqiptare që ka konkretizuar bashkëpunimin me Kosovën. Cila është fusha e këtij bashkëpunimi dhe ç’mund të na thoni rreth tij?

Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë ka filluar si një mundësi e krijuar tashmë nëpërmjet investimeve përkatëse në infrastrukturë, gjë që bën të mundur edhe lehtësimin e frekuentimit të aseteve të ndryshme apo mundësive përkatëse në të dyja anët e kufirit. Në këtë kuadër, bashkëpunim mes dy Ministrive të linjës e nisëm mbështetur në dy premisa konkrete: ekzistencën e një Qendre Trajinimi në Prizren dhe nevojën për trajinimin e punëkërkuesve të papunë të zonës së Kukësit. Duke i lidhur këto dy premisa filluam punën për ta realizuar këtë ide dhe, pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim mes dy Ministrave përkatës, morëm kontakt me drejtuesit e Qendrës Rajonale të Aftësimit në Prizren dhe me Fondacionin PARSH, për të bërë të mundur financimin e këtij projekti. Qendra e Trajinimit në Prizren është një qendër bashkëkohore dhe që ofron mundësinë për trajinimin e një numri të konsiderueshëm kursantësh në një larmishmëri të gjerë profesionesh. Bashkëpunimi mes Zyrës së Punës së Kukësit dhe Qendrës së Prizrenit për ofrimin e formimit profesional të punëkërkuesve të papunë, i cili filloi gjatë vitit 2007, rezultoi i sukseshëm. Kjo na shtyu që të kërkonim ta shtrimin bashkëpunimin gjatë vitit 2008 edhe ndërmjet Qendrës së Aftësimit Profesional të Gjakovës dhe Zyrës së Punës së Tropojës. Kontigjenti i parë i përfituesve nga ky program kualifikimi do të fillojnë kurset brenda këtij muaji. Në këtë pikë do të doja të falenderoja të gjithë bashkëpunëtorët tanë në Kosovë, bujtësit e qendrave të trajinimit, dhe po ashtu drejtuesit e autoriteteve lokale të Prizrenit dhe Gjakovës, të cilët kanë demonstruar një gatishmëri të madhe për të pritur punëkërkuesit shqiptarë në Qendrat e tyre. Po ashtu do të doja të falenderoja koordinatorin e Fondacionit PARSH, Sokol Avxhiu, për kontributin e veçantë në realizimin e këtij projekti.

Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova sot përballet me të njëjtat probleme, varfërinë dhe papunësinë. Mendoni se bashkëpunimi mes dy vendeve, duke e zgjeruar bashkëpunimin, përtej fushës së formimit profesional, do të ndikonte në zbutjen e këtyre fenomeneve në të dyja anët e kufirit?
Besoj se rëndësi të veçantë merr zhvillimi politik dhe ekonomik në Shqipëri dhe Kosovë. Këtu do të doja të theksoja rëndësinë që ka shpallja e Pavarësisë në kuptimin e stabilitetit politik dhe ekonomik dhe mundësive që hapen për zhvillimin e Kosovës. Po ashtu, anëtarësimi në NATO për Shqipërinë krijon një premisë shumë të madhe investimesh serioze dhe afatgjata. Janë këto tendenca, të cilat do të bëjnë të mundur uljen e nivelit të papunësisë dhe të varfërisë. Nga ana tjetër, zhvillimet politike edhe pse shumë të rëndësishme, nuk zhvillojnë ekonominë në vetvete. Reformat serioze dhe, konkretisht, investimet sidomos në infrastrukturë e zgjerojnë bashkëpunimin dhe, në këtë aspekt, një investim shumë serioz është ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë, e cila, në këndvështrimin e luftës ndaj varfërisë dhe papunësisë ka filluar të japë rezultatet e para. Kështu, duke iu rikthyer edhe një herë bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e formimit profesional, rezulton se rreth 70 përqind e kuksianëve të trajinuarve në Prizren janë të punësuar menjëherë në frontet e hapura nga punimet për autostraden ose në aktivitetet e lidhura me të. Zhvillime të kësaj natyre mund të preken direkt nëse kontakton me banorët e këtyre zonave dhe, për t’iu kthyer pyetjes suaj, mendoj se kjo zonë do të ketë zhvillime të rëndësishme ekonomike të cilave ne duhet t’i paraprijmë me përgatitje serioze të fuqisë punëtore dhe tregut të punës.

Si paraqitet gjendja e papunësisë dhe e varfërisë në zonat verilindore të vendit dhe a keni parashikuar politika të veçanta për zbutjen e këtyre fenomeneve?
Prej një periudhe të gjatë në pothuaj të gjitha vlerësimet dhe raportet vendase apo të huaja konstatohet unanimisht se verilindja e vendit është zona më e varfër. Po ashtu niveli i papunësisë rezulton shumë i lartë, ku në rrethe si Tropoja apo Kukësi arrin në dyfishin e nivelit të papunësisë në shkallë vendi.  
Nga ana tjetër niveli arsimor dhe profesional i punëkërkuesve të papunë në këtë zonë rezulton shumë i ulët. Nisur nga ky realitet vlerësuam se ndërhyrja me shërbime të formimit profesional për trajinimin e punëkërkuesve të papunë, një shërbim i munguar në këtë zonë, ishte i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Kështu ndërtuam një projekt për mbulimin e kësaj zone me këtë shërbim mjaft të domosdoshëm dhe, duke pasur parasysh karakteristikat gjeografike e demografike, na rezultoi se do të ishte me vend të ndërtonim një qendër trajinimi të lëvizëshme, e cila do të ishte fleksibël për të plotësuar nevojat e zonës për profesione të ndryshme. Me fjalë të tjera, kjo qendër do të plotësojë nevojat për trajinime të rretheve verilindore, nëpërmjet kabineteve që lëvizin nga një qendër e banuar në tjetrën, duke e çuar kështu shërbimin atje ku janë nevojat për të, nëpërmjet një sistemi rotacioni.
Natyrisht, kjo është vetëm një nga ndërhyrjet në këto zona, parë në këndvështrimin e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. E rëndësishme është të kuptohet se, në thelb, ne synojmë dhënien e një profesioni për punëkërkuesit e papunë, nëpërmjet trajinimit, për të rritur kështu mundësitë për integrim në tregun e punës, por alternativa kryesore në këtë pikë mbetet zhvillimi ekonomik i zonës ku, një premisë reale për zhvillim jep ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Çdo investim në formim profesional, trajinim apo arsimim në një zonë ku nuk ka mundësi ekonomike për zhvillim do të ishte një kosto shtesë për ekonominë. Pra, këto janë inisiativa të koordinuara.

A ka një lidhje të drejtëpërdrejtë mes formimit profesional dhe papunësisë e nivelit të punësimit? Si rezulton të jetë kjo lidhje në zonën e Kukësit, ku prej një viti ka filluar bashkëpunimi në fushën e formimit profesional me Prizrenin?
Formim profesional do të thotë investim dhe si i tillë ka premisa për të dhënë frutat e veta. Por kjo jo gjithmonë është e vërtetë. Konkretisht, ka disa profesione jo të kërkuara nga tregu i punës për shkak të aktivitetit ekonomik inekzistent, por ndoshta edhe për shkak të zhvillimit të teknologjisë. Le t’i referohemi këtu fushës së riparim-instalimeve hidraulike, të cilat në këndvështrimin e tregut vendas ka pësuar një transformim tërësor, duke kaluar nga punimet me tuba metalikë në ata me tuba plastike dhe, për rrjedhojë, në përdorimin e një tjetër teknologjie. Për t’iu përshtatur kërkesave të reja të tregut ne ndërhyjmë nëpërmjet ofrimit të kurseve profesionale që japin njohuritë e nevojshme në njohjen dhe zbatimin e teknologjisë së re dhe që ofrohen nga qendrat publike të formimit profesional. Sigurisht, parësor në uljen e nivelit të papunësisë është zhvillimi ekonomik i vendit, pa nënvlerësuar edhe rolin e faktorëve të tjerë, ku shërbimet e punësimit japin një kontribut të madh, në përputhjen e kërkesës dhe ofertës për punë në tregun e punës.
Përsa i përket zonës së Kukësit, sikurse edhe asaj të Tropojës, siç e përmenda edhe më lart, ato janë rajonet me nivelin më të lartë të papunësisë në vend dhe me nivelin më të ulët të ofertës për formim profesional deri në fund të vitit 2006. Konkretisht, papunësia në Kukës dhe Tropojë varion në kufijtë 27% dhe 34.6%.

Përmendët pak më parë inisiativën e Ministrisë së Punës për ngritjen e një qendre të lëvizshme të formimit profesional për zonën verilindore. A mund të na sqaroni më konkretish si do të funksionojë kjo qendër, cilat zona do të mbulojë konkretisht dhe kur mendoni se do të bëhet eficente?

Sikurse e përmenda më lart, zona verilindore rezulton jo vetëm më e varfër, por edhe pa një vëmendje përkatëse në fushën e formimit profesional. Qendrat me të afërta që ofronin shërbime të kualifikimit profesional për të papunët ishin ato të Tiranës, Durrësit apo të Shkodrës, pra, praktikisht të paaritshme për banorët e këtyre zonave. Nga ana tjetër, këto zona përbëhen prej qytezash të vogla dhe me një numër të kufizuar banorësh, gjë që kërkonte gjetjen e zgjidhjeve specifike, pasi investimi për ndërtimin e qendrave të trajinimit do të rezultonte me kosto shumë të lartë dhe joeficiente, veçanërisht po të mbash parasysh që pas përgatitjes profesionale të kontigjenteve të para për një profesion të caktuar, tregu do të mbingopej, le të themi me hidraulikë, parukrierë, kuzhinierë, etj. Pra, kabinetet e ngritura për këto profesione do të mbylleshin vetvetiu dhe kostoja e ngritjes së tyre nuk do të justifikonte rentabilitetin dhe eficencën. Në këto kushte, menduam se një qendër e lëvizshme e trajinimit do të mbulonte më së miri nevojat e të gjithë zonës verilindore dhe jo të një rrethi apo qyteti në veçanti.
Më konkretisht, qendra do të menaxhohet në mënyrë të tillë: laboratori i hidraulikës ngrihet në Pukë dhe, pasi realizon disa kurse për këtë rajon, paketohet dhe instalohet në Kukës, ndërkohë që laboratori i parukerisë vjen nga Burreli në Pukë; laboratori i instalimeve elektrike nga Kukësi shkon Tropojë, e kështu me radhë, duke bërë të mundur që e gjithë zona të mbulohet me aktivitete të trajinimit profesional. 
Përsa i përket kohës kur ne parashikojmë që Qendra të bëhet efiçente mund t’ju them se aktualisht ka përfunduar ngritja e administratës për Qendrën. Po ashtu, kanë filluar kurset e anglishtes, kompjuterit dhe rrobaqepësisë. Janë duke mbërritur pajisjet përkatëse të kabineteve për kurset e parukerisë dhe të riparimeve elektrike dhe, deri në fund të këtij viti, mendojmë të realizojmë kompletimin e Qendrës, duke e futur atë në eficiencë të plotë.
Duhet falenderuar këtu edhe Qeveria Zvicerane, që ka bërë të mundur realizimin e këtij projekti, nëpërmjet financimit të tij, po ashtu edhe pushteti vendor në këto zona për gatishmërinë e treguar për të vënë në dispozicion ambientet e nevojshme për realizimin e kurseve.
Qendra do të mbulojë zonat nga Burreli, Dibra, deri në Tropojë dhe Kukës.

Cilat janë kabinetet që mendohet të ngrihen në Qendrën e Lëvizshme dhe a e keni testuar paraprakisht tregun për profesionet më të kërkuara?

I gjithë ky projekt ka kaluar nëpërmjet disa fazave të bashkëpunimit me partnerët socialë, pra nëpërmjet bashkëpunimit me përfaqësuesit e punëmarrësve dhe të punëdhënësve në këto zona dhe, në fund, është realizuar edhe një studim për të qenë më pranë nevojës reale të tregut të punës në to. Nga studimi rezulton se profesionet më të kërkuara sot nga tregu i punës në zonën verilindore të vendit janë rrobaqepës, teknik elektroshtepiakesh, teknik instalimesh elektrike dhe hidraulike, paruker, etj. Pikërisht këto janë edhe laboratorët e parë që po ngrihen në kuadër të Qendrës së Lëvizshme që do të funksionojë në këtë zonë. Këto janë edhe aktivitetet e fazës së parë dhe më imediate, përveç kurseve të anglishtes dhe përdorimit të kompjuterit dhe, në një fazë të dytë, mendojmë të realizojmë edhe kurse të tjera.

Së fundi, shifrat e dhëna nga Ministria e Punës për nivelin e papunësisë në vend shpesh komentohen si të dyshimta dhe më shumë demagogjike sesa i përgjigjen realitetit. Cilat janë argumentat që sjell zv/Ministri i Punës për të “mbrojtur” këto shifra?
Që në fillim dua të theksoj se shifrat zyrtare mbi nivelin e papunësisë, të dhëna nga Ministra e Punës, por edhe nga INSTAT, bazohen në të dhënat e zyrave të punës në të gjithë vendin. Janë pikërisht këto zyra që evidentojnë numrin e punëkërkuesve të papunë, të cilët janë të aftë për punë dhe janë në kërkim të një pune që t’i përshtatet kërkesave dhe aftësive të tij profesionale.
Në të gjitha vendet e botës ekziston definicioni që përdor Ministria e Punës dhe zyrat e punës për papunësinë dhe të papunin, ku përcaktohet se i papunë konsiderohet çdo person që vetëdeklarohet i papunë, që është në kërkim të një pune dhe që është i aftë për punë. Ky definicion në Shqipëri është duke u zbatuar që prej më shumë se pesëmbëdhjetë vjetësh dhe është i njëjtë me atë që zbaton edhe Organizata Botërore e Punës (ILO).
Në shumë vende, për përcaktimin e nivelit të papunësisë, përveç raportimit të numrit të të papunëve, të cilët kërkojnë punë dhe regjistrohen pranë zyrave të punës, realizohen edhe anketime nga institucione të specializuara, anketime që në Shqipëri për momentin mungojnë. Kështu, edhe ata që japin shifra papunësie të ndryshme nga shifra zyrtare, nuk i bazojnë ato në asnjë studim apo anketim serioz apo të besueshëm.
Gjithësesi, nëpërmjet politikave që po ndërmerr Qeveria në fushën e formalizimit të ekonomisë dhe të tregut të punës, ne mendojmë se shifrat zyrtare të papunësisë apo të punësimit i përgjigjen në një masë të madhe realitetit dhe ajo që shtrohet sot përpara nesh është jo loja me shifrat, por ndërtimi i politikave eficente që do të bënin të mundur rritjen reale dhe permanente të punësimit. Dhe Ministria e Punës është duke bërë pikërisht këtë.






 

Kontakti

kontakt-3-2012

Klikoni për "Shërbimet Sociale Në Shqipëri"

infosherbime2-2012


Harta e "Shërbimeve Sociale në Shqipëri"

harta-sherbime2-2012


Nëse nuk e keni të instaluar programin , klikoni imazhin e mëposhtëm :google_earth




FLASH

Kerkoni ne website