


| Interviste dhene gazetes Panorama, 29-04-2006 |
|
|
|
Një nga sfidat më të mëdha jo vetëm të Qeverisë në Shqipëri, por edhe të çdo qeverie në vendet më të zhvilluara perëndimore, mbetet ulja e nivelit të papunësisë. A e ka zbërthyer Ministria e Punës në objektiva Programin ambicioz të Qeverisë në fushën e punësimit? Kjo maxhorancë erdhi në pushtet me një program të qartë qeverisës dhe problemet sociale zinin një vend të veçantë dhe të rëndësishëm në të. Që në fillim të punës së vet, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta u fokusua në zbërthimin e Programit qeverisës dhe ndërtimin e strategjive për fushat përkatëse të tilla si, tregu i punës, kualifikimi profesional, mbrojtja dhe siguria në punë, etj. Kemi përfunduar tashmë strategjinë për kualifikimin profesional, në të cilën, për herë të parë, është përfshirë edhe arsimi profesional, pra një strategji që përfshin edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. E përmend këtë pasi përmirësimi i nivelit të punëzënies apo ulja e papunësisë janë mjaft të lidhura me nivelin profesional të punonjësve dhe të tregut të punës në përgjithësi. Po ashtu, që në fillim punuam për hartimin e ligjit që rregullon dhe i jep hapësirën e nevojshme dhe të domosdoshme inspektimit në punë, pra mbrojtjes dhe sigurisë së shëndetit të punonjësve. Ky ligj i ka kaluar të gjitha fazat përpunuese dhe të marrjes së komenteve si nga aktorët e interesuar, ashtu edhe nga institucionet e tjera qendrore, dhe tani është në fazën e aprovimit nga Këshilli i Ministrave. Strategjia e punësimit, ku vendosen edhe më qartë objektivat e Qeverisë në këtë fushë, ka kërkuar më tepër kohë jo vetëm për specifikën e saj, që kërkon harmonizim me formimin profesional dhe mbrojtjen në punë, por edhe për arsye se disa studime të rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare prestigjioze, si Banka Botërore, sapo kishin përfunduar dhe ne menduam se duhet t’i merrnim në konsideratë. Tashmë kjo strategji ka përfunduar dhe, po ashtu, kanë përfunduar edhe komentet e partnerëve sociale – sindikata, organizata punëdhënësish, si dhe janë tërhequr mendime nga grupe të tjera interesi. Cilat janë hapat konkrete që po ndërmerren nga Ministria juaj në këtë fushë? Në fushën e punësimit dhe në atë të tregut të punës, në përgjithësi, jemi fokusuar kryesisht në dy drejtime kryesore. Së pari, të rrisim ndikimin sa më shumë të jetë e mundur në përmirësimin e kushteve për biznesin, duke krijuar një partneritet real me të. Një gjë e tillë realizohet nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit, nëpërmjet të cilave bizneset që ndodhen në fazën e zhvillimit dhe rritjes së tyre ndihmohen me forma të ndryshme duke subvencionuar aspekte të ndryshme të aktivitetit të tyre, që nga pagat e punonjësve që punësohen rishtas, deri në pagesën për trajinimin e punonjësve të rinj. Këto programe tashmë i kemi bërë prezente edhe nëpërmjet medias dhe do të vazhdojmë t’i lançojmë, herë pas here, kjo për dy arsye: e para, për të rritur shkallën e transparencës në aplikimin dhe zbatimin e këtyre programeve, duke bërë të qarta publikisht kriteret dhe mundësitë që këto programe i ofrojnë biznesit dhe, e dyta, duke rritur shkallën e informacionit besojmë se do të shtohet edhe trysnia në zyrat e punës nga ana e të interesuarve për të përfituar nga këto programe, qofshin këta punëdhënës apo punëmarrës. Drejtimi i dytë është përmirësimi i nivelit profesional të tregut të punës, të cilin mendojmë ta realizojmë duke rritur jo vetëm numrin e qendrave të formimit profesional, por edhe cilësinë e shërbimeve të tyre. Aktualisht jemi në proçesin e ndërtimit të një qendre formimi profesional rajonal në Gjirokastër, pasi për të gjithë zonën e jugut ekziston vetëm një qendër e tillë, e cila ndodhet në Tepelenë dhe që, për hir të së vërtetës, duhet thënë se lë shumë për të dëshiruar. Me të përfunduar proçesin e negocimit dhe caktimit të godinës me pushtetin vendor në Gjirokastër, do të fillojmë investimet përkatëse. Gjykoj se proçesi i kualifikimit dhe formimit profesional është ende larg standarteve drejt të cilave synojmë dhe, për ilustrim, po përmend nevojën për specialistë montimi dhe mirëmbajtjeje panelesh diellore, kërkesa për kurse që ofrojnë trajinime në këtë fushë është e lartë, veçanërisht në zona të tilla si Fieri, Vlora, Saranda, ku edhe përqindja e paneleve diellore të instaluara është më i madh, por që, për fat të keq, qendrat tona të formimit profesional ende nuk u përgjigjen dot. Po ashtu, mund të listoja një numër të madh profesionesh të cilat, ose duhet të ringrihen nga e para, ose duhet të ngrihen në nivelet që kërkon koha. Ç’të re sjell Strategjia e sapohartuar në fushën e punësimit, nga strategjia e mëparshme? Për herë të parë kjo strategji është e ndarë nga ajo e formimit profesional, pasi, siç e përmenda më lart, kjo e fundit është një strategji e përbashkët që kërkon angazhimin e Ministrisë së Punës dhe asaj të Arsimit. Kjo nuk do të thotë se në Strategjinë e Punësimit nuk është marrë parasysh formimi profesional, por gjithësesi tashmë ato janë të ndara. Nga ana tjeter, është e rëndësishme të përmendet se të dyja këto strategji janë të harmonizuara mjaft mirë me elemente të buxhetit, pasi, paralelisht, jemi duke punuar edhe me PBA (Projektbuxhetin afatmesëm), pra, për herë të parë, objektivat janë mëse realiste dhe të mbështetura në mundësi financiare. Në të njëjtën kohë, po punojmë edhe për përafrimin e legjislacionit tonë në fushën e punësimit dhe të formimit profesional me atë europian, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocijimit. Kemi bërë kujdes që në grupet respektive të punës të ngritura me këtë rast të jenë pothuaj të njëjtët specialistë, me qëllim që objektivat të jenë të harmonizuara më mirë me njëra-tjetrën dhe me planet që do të zbatojmë në kuadër të detyrave të lëna nga MSA. Po në fushën e formimit profesional a keni bërë një rishikim të strategjisë dhe të objektivave? E përmenda se tashmë kemi përfunduar Strategjinë në fushën e Formimit Profesional, në të cilën objektivat janë specifike dhe janë parashikuar institucionet përgjegjëse për zbatimin e monitorimin e realizimit të tyre. Me këtë kam parasysh që në Strategjinë e Arsimit dhe Formimit Profesional janë parashikuar edhe tregues monitorues për realizimin e objektivave. Po ashtu, është bërë zbërthimi në plane masash, ku janë parashikuar jo vetëm objektivat specifike, por edhe afatet kohore për realizimin e tyre. Detyrat janë specifike dhe aktorët përgjegjës janë nominativë, po ashtu, suporti, pra programi buxhetor apo fondi që do të financojë këto aktivitete. Dua të përmend që në të janë parashikuar edhe rezultatet kyç të matshme, të cilat do të tregojnë nëse janë arritur targetat apo jo dhe nëse po në ç’masë. Ja një shembull, për të qenë më konkret: një nga rezultatet e pritshme në vitin 2009 është që 4% e të regjistruarve në arsimin profesional dhe kualifikimin profesional të jenë nga grupet e konsideruara në rrezik social. Pra, objektivi është i matshëm dhe i përcaktuar në kohë. Folëm për objektiva afatgjata dhe do të duhet kohë për të vërtetuar efikasitetin e strategjive të përmendura më lart. Duke u kthyer në aktualitet, çfarë është duke bërë konkretisht Ministria e Punës në fushën e punësimit për vitin në vazhdim? Në të vërtetë jemi duke punuar jo vetëm për hartimin dhe planifikimin e objektivave afatgjata, por jemi duke rikonsideruar rrugët dhe mundësitë për uljen e papunësisë dhe rritjen e punëzënies. Sapo kemi bërë prezent dhe kemi çelur fondin për katër projektet që do të zbatohen gjatë këtij viti për nxitjen e punësimit. Fondi kap shifrën 120 milionë lekë të reja dhe projektet pritet të realizohen në të gjitha rajonet e Shqipërisë. Publiku është tashmë është njohur me këto programe, por, gjithësesi, më shumë interes ka paraqitur biznesi, përfaqësues të të cilit kanë filluar të marrin kontakt me zyrat e punës në rrethet përkatëse ku kryejnë aktivitetin e tyre. Nga këto programe është llogaritur të përfitojne dhjetëra mijë punonjës. Po ashtu në fushën e formimit profesional së shpejti do të përfundojnë investimet në dy qendra rajonale të formimit profesional, në Fier dhe Elbasan, të cilat do të mbulojnë zona të mëdha territoriale, pasi janë parashikuar që pranë tyre të funksionojnë edhe fjetore, që do të bëjnë të mundur akomodimin e kursantëve që vijnë nga zona të largëta. Si mendoni t’i bëni më efikase programet e punësimit, pra që punëzënia të jetë reale dhe që punëdhënësit të mos i largojnë nga puna punëkërkuesit përfitues menjëherë pas përfundimit të programit ? Kjo është një çështje që na ka shqetësuar që në fillim dhe e konsideroj si tepër delikate. (P.S. Ndoshta këtu do të ishte e mira të përmendej se 50% e fondit për nxitjen e punësimit do të kalojë për projektin për punësimin e grave, i cili parashikohet të zgjasë nga 1 deri në 3 vjet, dhe përfitimet e biznesit do të rriten nga viti në vit, në bazë të numrit të të punësuarave rishtas që do të mbajë në punë, vitin e dytë dhe të tretë. Pas tre vjetësh, kohë kur parashikohet të përfundojë projekti dhe kur ndërpriten përfitimet e punëdhënësit, ky i fundit nuk ka interes ta largojë të punësuarin pasi për të është investuar dhe ai (punëtore) ka fituar aftësi të mira profesionale dhe eksperiencë të konsiderueshme në punë. Po bashkangjis pjesën e programit që citova më lart (A.L.) VKM Nr. 632 date 18.09.2003 “Per programin e nxitjes se punesimit te punekerkuesve te papune femra“ Programi presupozon punesimin e kontigjentit femra me punesim qe fillon nga nje vit deri ne tre vjet, duke mbeshtetur punedhenesit per nje pjese te kontributit te tyre per sigurime te detyrueshme dhe konkretisht 75% per vitin e pare te kontrates, 85% per vitin e dyte te kontartes dhe 100 % per vitin e trete te kontrates. Ndersa per kategorite te ndryshme si: femra te trafikuara, femra rome, femrave mbi 35 vjec, femrave me aftesi te kufizuara te cilet kane veshtiresi te medha per t’u integruar ne tregun e punes eshte parashikuar dhe mbeshtetja me paga ne nivelin e pages minimale. Keshtu per keto kategori per kontraten 1 vjecare te punes mbeshteten me 75% te sigurimeve te detyrueshme dhe 4 paga. Per vitin e dyte te kontrates pervec mbeshtetjes se bere per vitin e pare mbeshteten me 85% te sigurimeve te detyrueshme dhe 6 paga. Per vitin e trete te kontrates pervec mbeshtetjes se bere per vitin e pare dhe ate te dyte mbeshteten me 100% te sigurimeve te detyrueshme dhe 8 paga. Megjithatë, besoj se, me kalimin e kohës, edhe vetë bizneset e kanë kuptuar që çdo punonjës i kualifikuar i larguar është kosto në radhë të parë për vetë ata. Nga ana tjetër, kriteret e pjesëmarrjes në këto programe janë përmirësuar, duke mbajtur parasysh edhe këtë synim, kështu bizneset joserioze në përmbushjen e detyrimeve të kontratës me punëmarrësit, do të konsiderohen si jopreferenciale për të përfituar nga këto programe, përveç penaliteteve që parashikojnë edhe vetë kontratat. Gjithësesi, vërejmë se problemet në të tilla raste, më së shumti, kanë qenë të lidhura me mungesën e seriozitetit nga ana e zyrave të punës, të cilat nuk kanë ushtruar të gjitha përgjegjësitë dhe detyrimet që iu jep kontrata. Po ashtu, jemi duke punuar për harmonizimin më të mirë të punës me Inspektoriatin e Shtetëror të Punës dhe institucione të tjera jashtë Ministrisë. Në këtë kuadër kemi nënshkruar edhe marrëveshje me Organizata Punëdhënësish për të pasur një bashkëpunim sa më efektiv në realizimin me sukses të këtyre programeve. Si një nga përfaqësuesit më të lartë të kësaj Ministrie, a e konsideroni reale papunësinë e shpallur herë pas herë në shifra zyrtare ? Në të gjithë botën ka një ndryshim midis papunësisë reale dhe asaj zyrtare dhe, për këtë arsye, vendet e zhvilluara alokojnë fonde të konsiderueshme për realizimin e anketimeve dhe sondazheve që ndihmojnë në llogaritjen e papunësisë. Megjithatë, këto raporte nuk janë shumë të mëdha po të mbahet parasysh se edhe puna informale është në të njëjtin raport. Pra, në vendet e zhvilluara edhe puna joformale ose siç njihet rëndom “puna e zezë” nuk është të njëjtit nivel me vendet më pak të zhvilluara dhe, për rrjedhojë, papunësia reale dhe papunësia zyrtare janë me pranë njëra-tjetrës, megjithëse këto nuk janë kaq të kushtëzuara nga njëra-tjetra. A mendoni se zyrat e punës janë eficente ? Zyrat e punës kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në tregun e punës, duke tentuar që të bëjnë ndërmjetësimin e punëkërkuesve me vendet e lira të punës, por jo vetëm kaq. Në këtë pikë do të bëja një koment të shkurtër përsa i përket historisë së tyre. Jo shumë kohë përpara dhe ndoshta edhe sot, ende, ka akoma njerëz që këto zyra i quajnë zyra asistence. E vërteta është se, në fillimet e veta, këto zyra mbulonin edhe këtë aktivitet dhe, mund të thuhet se, kjo ishte detyra kryesore e tyre për vetë kushtet specifike të asaj kohe, të një sistemi “tetëdhjetë përqindëshi”, pra pothuaj të një asistence në nivel kombëtar. Më vonë, funksionet u ndanë, por, gjithësesi, për të mundësuar përfitimin e ndihmës ekonomike, duhet që të ishe i regjistruar si i papunë në Zyrën e Punës, gjë që vazhdon edhe sot e kësaj dite. E përmenda këtë fakt për të theksuar se nuk ka kaluar shumë kohë, që të arrihet krijimi i një presioni të mjaftueshëm për përcaktimin e saktë të funksioneve që duhet të përmbushë zyra e punës dhe, nga ky këndvështrim, do t’i konsideroja këto zyra ende joeficiente. Po ashtu, shkalla e informatizimit të tyre lë shumë për të dëshiruar dhe kjo bën që ato ende të mos ndjehen të lehtësuara nga puna burokratike, gjë që do t’u lejonte të harxhonin më shumë kohë për të punuar me punëkërkuesin dhe punëmarrësin, duke realizuar kështu qëllimin e tyre kryesor, njohjen dhe ballafaqimin e tregut të punës për të përputhur kërkesë-ofertën në treg. Këto cilësi dhe aftësi profesionale duhet të jenë kusht dhe kriter që punonjësi i zyrës së punës jo vetëm t’i ketë, por edhe t’i vërë në zbatim, por që aktualsiht, për fat të keq, ende nuk është kështu. Për të disatën herë kam kërkuar “rritjen e të papunëve pranë zyrave të punës”, që do të përkthehej: rritja e nivelit profesional të zyrave të punës, do të sillte rritjen e kërkesave nga ana e punëmarrësve për t’u regjistruar dhe për të përfituar nga shërbimi cilësor i këtyre zyrave. Po ashtu, niveli i lartë profesional i tyre do të sillte më shumë kërkesa nga ana e punëdhënësve, të cilët do të gjenin një partner serioz për të përmbushur nevojat e tyre me punonjës sa më të kualifikuar. Së fundi, a ka ndonjë mesazh që zv/Ministri i Punës kërkon t’ia përcjellë punëkërkuesve dhe punëmarrësve shqiptarë? Prej disa javësh kemi filluar prezantimin e programeve për nxitjen e punësimit dhe, në këtë kuadër, do të doja t’u bëja thirrje të gjithë punëdhënësve që të aplikojnë në to, jo vetëm për të përfituar financiarisht dhe për fuqizuar biznesin e tyre, por edhe për ngritur ura të reja bashkëpunimi dhe partneriteti serioz me zyrat e punës dhe me vetë Ministrinë. Po ashtu, gjej rastin të ftoj çdo punëmarrës apo punëkërkues të afrohet pranë Zyrave të Punës, për të shtuar kështu mundësitë e tyre në proçesin e kërkimit të një vendi pune. |