


| POLITIKAT E PUNËSIMIT |
|
|
|
Politikat kombëtare të punësimit hartohen nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ministrinë e Financave dhe Ministri të tjera, në mbështetje të Kushtetutës, konventave ndërkombëtare të ratifikuara, Ligjit nr.7995 dt. 20.9.1995 “Për nxitjen e punësimit”, i ndryshuar, “Strategjisë Sektoriale të Punësimit dhe Formimit Profesional 2007–2013”, “Strategjisë evropiane të punësimit” dhe linjave udhëzuese për vitin 2020. Politikat e punësimit miratohen nga Këshilli i Ministrave. Synimi i zbatimit të këtyre politikave është të arrihet punësimi i plotë, përmirësimi i cilësisë dhe produktivitetit në punë dhe forcimi i kohezionit social. Drejtoria e Politikave të Punësimit ka për mision formulimin dhe zhvillimin e politikave, legjislacionit, strategjive, studimeve në fushën e tregut të punës, nxitjen e punësimit, mbrojtjen nga papunësia, zhvillimin e formimit profesional, në mbështetje të punëkërkuesve të papunë, punëdhënësve dhe grupeve dhe komuniteteve në nevojë, duke synuar krijimin e një force pune konkuruese dhe efektive. Drejtoria e Politikave të Punësimit përbëhet nga dy sektorë dhe përkatësisht Sektori i Politikave të Punësimit dhe Sektori i Formimit Profesional. Ligji bazë në fushën e punësimit është ligji Nr. 7995 datë 20.09.1995 “Për nxitjen e punësimit”, që ka për qëllim ndjekjen e politikave aktive të përgjithshme për të mbështetur punësimin e plotë, produktiv dhe të zgjedhur lirisht. Në fushën e politikës shtetërore të punësimit, Ministria vëzhgon tregun e punës, parashikon zhvillimet e punësimit dhe propozon programe e projekte për rritjen e punësimit; harton politika për zhvillimin e programeve që mbështesin kontributin për punësim, harton politika që synojnë krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e shkallës së vetëpunësimit dhe biznesit të vogël harton dhe mbështet programe për formimin dhe riaftësimin profesional, zhvillon politika për ruajtjen e vendeve egzistuese të punës, kontrollon dhe ndërhyn në punësimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë dhe mbështet punësimin e shtetasve shqiptarë jashtë shtetit. Shërbimi Kombëtar i Punësimit (SHKP) është struktura pëgjegjëse për zbatimin e politikës shtetërore në fushën e punësimit në zbatim të ligjit 1995 “Për nxitjen e punësimit”. Politikat Aktive te Punësimit Politikat aktive të punësimit janë përcaktuar në ligjin 7995/1995 dhe kanë krijuar bazat e një pakete programesh aktive të cilat zbatohen nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit. Synimi kryesor i këtyre programeve është (i) krijimi i vendeve të reja të punës dhe ulja e nivelit të papunësisë; (ii) formimi profesional i punëkërkuesve të papunë në zonat ku mungojnë kapacitet trajnuese; (iii) mbështetje financiare ndërmarrjes për të rritur aktivitetin dhe të për të bërë përzgjedhje me të mirë të fuqisë punëtore; (iv) nxitje e punësimit të një pjesë të të trajnuarve; (v) minimizimi i punës së zezë; (vi) përfshirja në programe e punëkërkuesve të papunë përfitues nga skemat e mbështetjes me të ardhura me qëllim uljen e kostos së këtyre programeve; (vii) nxitja e punësimit të të rinjve dhe grupeve të veçanta të të papunëve. Objektivat kryesore të programeve aktive janë:
Programet e nxitjes së punësimit. Programet e nxitjes së punësimit zbatohen nga zyrat e punësimit. Nëpërmjet këtyre programeve mbështeten punëdhënësit që krijojnë dhe mbajnë vende të reja punë dhe punësojnë në to kandidatë të ofruar nga zyrat e punësimit. Mbështetja shtetërore realizohet nëpërmjet subvencionimit, në përqindje të caktuar, të kostove për sigurimet e detyrueshme dhe të pagës. Aktualisht zbatohen 5 programe të nxitjes së punësimit të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërmjetësimi për punë. Ky aktivitet përfshin regjistrimin dhe intervistimin e punëkërkuesve të papunë, këshillimin për punë dhe profesion dhe vendosjen e kandidateve të mundshëm në vendet e lira të punës të deklaruara nga punëdhënësit. Shërbimi Kombëtar i Punësimit garanton, ndërmjetësim për punë për punëdhënësit dhe punëkërkuesit. Këshillimi dhe orientimi për profesion dhe punësim ka për qëllim t’i ndihmojë punëkërkuesit në zgjedhjen dhe formimin e tyre në një profesion të përshtatshëm me cilësitë individuale dhe të kërkuara në tregun e punës. Këshillimi dhe orientimi në formimin profesional u ofrohet shtetasve për tu siguruar atyre mbështetje dhe orientim të gjithanshëm mbi formimin profesional, mbi karrierën, këshillim të plotë individual, orientim në drejtoritë rajonale të formimit profesional publik dhe nxitjen e formimit profesional të nevojshëm në raste të veçanta. Formim profesional është politikë aktive e tregut të punës, e cila zbatohet nëpërmjet drejtorive rajonale të formimit profesional publik. Nëpërmjet formimit profesional synohet trajnimi i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit për t’u integruar dhe riintegruar në tregun e punës. Në këto qendra publike të formimit profesional ofrohen kurse afatshkurta 1-4.5 mujore, në profesione të kërkuara në tregun e punës. Për kategori dhe grupe të veçanta ndiqet një politikë favorizuese, konkretisht për punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit nëse dëshirojnë të ndjekin një kurs të formimit profesional. Në qendrat publike aplikohet reduktimi i tarifës së regjistrimit prej 50%, ndërsa për punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit të cilët duan të ndjekin një kurs të formimit profesional dhe i përkasin këtyre grupeve në nevojë (komuniteti rom, jetimë, përsonat me aftësi të kufizuara, vajzat dhe gratë e trafikuara, personat që kanë vuajtur dënimin me burgim) e përfitojnë këtë shërbim falas. |
| Last Updated on Friday, 25 May 2012 21:16 |