Lëshohet duke u bazuar në nenin 37 të Ligjit nr. 8492, datë 27.5.1999 “Për të Huajt”. Ku paraqitet kërkesa e punëdhënësit
- Zyra Rajonale dhe Vendore e Punësimit, kompetente për territorin është institucioni, ku paraqitet kërkesa e punëdhënësit, kur punëmarrësit e ardhshëm kanë qëndrim. apo banim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë.
- Drejtoria e Politikave Migratore,(DPM) pranë ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (MPÇSSHB), kur punëdhënësi/it qëndrojnë në vendin e origjinës. DPM përcjell miratimin e saj, përmes ministrisë së Punëve të Jashtme tek përfaqësia diplomatike/konsullore e akredituar në atë vend për të mundësuar lëshimin e vizës së hyrjes me motive punësimi.
Karakteristikat e saj
- I lëshohet të huajve, që punësohen si punëtorë stinorë;
- kohëzgjatja e saj nuk duhet të kalojë 6-muaj;
- Zyra e Punësimit mund ta kufizojë vlefshmërinë e saj vetëm tek një punëdhënës;
- kjo “Leje Pune” nuk mund të ripërtërihet, sikurse nuk mund të lëshohet një “Leje Pune” e re, pa kaluar një vit nga data e lëshimit të lejes së parë të lëshuar. Në raste speciale mund të ripërtërihet 3-muaj pas skadimit të saj;
- punëmarrësi stinor duhet të largohet nga territori shqiptar, brenda 15 ditësh, pas përfundimit të vlefshmërisë së “Lejes së Punës”, tipi A.
Kërkesat për lëshimin e “Lejes së Punës”, tipi “A”
- Administrata e punës mund t’i kërkojë punëdhënësit të botojë vendet e lira të punës, të miratuara nga kjo administratë, e cila trajton dhe menaxhon të gjithë procesin;
- administrata e punës mund t’i propozojë punëdhënësit kandidatë, shtetas shqiptarë për ato vende pune, që kanë statusin dhe plotësojnë kërkesat, siç kërkohen për punmëmarrësin e huaj. Punëdhënësi dhe punëmarrësi i huaj duhet të përkujdesen për trajnimin e punëtorit/ëve shqiptarë, qoftë edhe në punë dhe sipër;
- “Leja e Punës” mund të mos lëshohet, nëse provohet një prej arsyeve për refuzimin e lëshimit të “Lejes së Punës”, në zbatim të nenit 43 të Ligjit nr. 8492, datë 27.5.1999 “Për të Huajt”.
Rrethanat që lehtësojnë lëshimin e “Lejes së Punës” së tipit “A” Leja e punës do të jepet pa marrë parasysh gjendjen dhe zhvillimet e tregut të punës dhe pa kufizime sipas nenit 34 të këtij ligji, nëse i huaji:
- është bashëkort/e i një shtetasi/e shqiptar, zotëron një leje qëndrimi dhe për sa kohë bashkëshorti vazhdon jetën bashkëshortore;
- ka përfunduar një shkollë të mesme profesionale shtetërore ose private, të njohur si e tillë në Republikën e Shqipërisë.
Dokumentacioni i kërkuar
- Formular tip, i cili jepet në organin kompetent, që lëshon lejen e punës.
- Kopje e kontratës së punës, të nënshkruar midis palëve të miratuar nga Zyra e Punësimit.
- Dëshmi profesionale, diploma e kualifikime të tjera, që tregojnë specializimin apo aftësitë profesionale, në përshtatje me kontratën dhe vëndin e punës.
- Vendimi i gjykatës për njohjen dhe regjistrimin si person juridik apo fizik.të subjektit (që nga viti 2008 është i vlefshëm dokumenti/ekstrakti i Regjistrit Tregtar për të dhënat e subjektit “Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar”, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, pranë ministrsë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës).
- Fotokopje e pasaportës të legalizuar dhe viza e hyrjes (datën e fundit të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë.
- Dokument të pjesëmarrjes vullnetare në skemën e sigurimeve shoqërore.
- Dëshmi penaliteti, lëshuar nga autoritetet kompetente në vëndin e origjinës. Ky dokument mund të merret edhe nga institucionet e autorizuara nga shteti shqiptar, kur i huaji banon ligjërisht në Shqipëri.
- Raport mjeko ligjor, marrë në vëndin e origjinës apo të banimit të fundit, kur i huaji nuk ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë . Ky raport mund të merret edhe nga institucionet shëndetësore të autorizuara nga shteti shqiptar, kur i huaji banon ligjërisht në Shqipëri.
- 4 copë fotografi.
|