mpcsh

logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Ministria e Punës analizon punën e bërë në vitin 2011 dhe prezanton objektivat për 2012 Print E-mail
Tuesday, 10 January 2012 14:20
analiza-11-objektiva-12Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Spiro Ksera, deklaroi se prioritet i këtij institucioni është ndërmarrja e inisiativave që ndikojnë në uljen e varfërisë dhe integrimin e grupeve në nevojë në tregun e punës dhe në jetën social-ekonomike të vendit.
Këtë deklaratë Ministri i Punës e bëri në konferencën e parë për shtyp për vitin 2012, në të cilën u fokusua tek arritjet dhe sfidat e Ministrisë gjatë 2011 dhe objektivat për vitin 2012.

Më poshtë, deklarata e plotë e Ministrit Ksera:

“Politikat e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në vitin 2011 dhe gjatë vitit 2012 fokusohen në uljen e varfërisë dhe rritjen e punësimit.
Ulja e Varfërisë - Ndyshimet në Ligjin për Ndihmën Ekonomike parashikojnë aplikimin e një forme të re vlerësimi që garanton përfshirjen në skemë të çdo familjeje që jeton në varfëri.
Pilotimi i skemës së re do të fillojë gjatë vitit 2012, nëpërmjet Dixhitalizimit të plotë të saj dhe ngritjes së Regjistrit Elektronik në nivel kombëtar.
Nëpërmjet reformimit të skemës synojmë arritjen e objektivit madhor të Qeverisë që deri në 2013 të ulet ndjeshëm varfëria absolute dhe të zhduket varfëria ekstreme.
Këtij qëllimi i shërben edhe krijimi i Shoqërisë “Nxitja e Biznesit Social”, përmes së cilës do të sigurohen mikrokredi për individë në nevojë, dhe hartimi i ligjit të ri “Për ndërmarrjet sociale”.
Këto dy inisiativa synojnë uljen e varfërisë dhe integrimin e grupeve në nevojë në tregun e punës dhe në jetën social-ekonomike të vendit.
Miratimi i Statusit të Punonjësit Social dhe Psikologut si dhe ndjekja në vazhdimësi e procesit të Decentralizimit dhe deinstitucionalizimit të shërbimeve do të rrisë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve sociale.
Prioritet yni gjatë vitit 2012 është afrimi i shërbimeve rezidenciale sa më pranë ambjenteve të familjes, nëpërmjet transformimit infrastrukturor të institucioneve dhe kalimit në shërbime të reja të tipit ‘casa-famiglia’.
Tregu i Punës dhe formimi profesional – Objektivi i vendosur në Programin e Qeverisë dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim për punësimin çdo vit të 14 200 punëkërkuesve çdo vit nga zyrat e punës është realizuar gjatë 2011.
Masat e marra nga Ministria e Punës, kombinuar edhe me masat e Qeverisë në mbështetje të biznesit, sollën ulje të papunësisë nga 13.7% në 2010, në 13.26% në 2011 dhe gjatë vitit 2012 synojmë uljen e papunësisë nën nivelin 13%.
Pas nënshkrimit në 2011 të Marrëveshjes me Qeverinë Suedeze për informatizimin e tregut të punës, në tremujorin e parë të 2012 do të përfundojë dixhitalizmi i sistemit, i cili do të rrisë cilësinë e shërbimeve dhe do ndikojë në rritjen e punësimit.
Sipas të dhënave të INSTAT, punësimi gjatë 2011 u rrit me 2.7% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që synojmë që gjatë vitit 2012 punësimi të rritet me 3%.
Synimi ynë është që nga shërbimet e ndërmjetësimit për punë, programet e nxitjes së punësimit dhe formimi profesional që ofrohen nga zyrat e punës të përfitojnë mbi 25 mijë punëkërkues.
Fuqizimi i rrjetit të qendrave publike të formimit profesional do të ofrojë mundësi më të mëdha për kualifikimin e krahut të punës dhe do të rrisë mundësinë e punësimit të punërkuesve të papunë.
Synimi për vitin 2012 është ofrimi i trainimit në sistemin publik të 7.000 personave dhe punësimin e 3.800 prej tyre pas përfundimit të kurseve të trainimit.
Të moshuarit - Rritja e të ardhurave të pensionistëve mbetet një nga përparësitë e politikës ekonomike të Qeverisë.
Për vitin 2011, të ardhurat minimale të pensionistëve krahasuar me një vit më parë në qytet u rritën me 4% dhe në fshat me 7% duke arritur përkatësisht në 13.267 dhe 8.358 lekë në muaj.
Nga këto rritje përfituan 386 mijë pensionistë të qytetit dhe 160 mijë pensionistë të fshatit.
Rritja e cilësisë së shërbimeve për të moshuarit që marrin shërbime rezidenciale dhe ditore vazhdon të jetë prioritet i politikave të Ministrisë. Këtë vit fillon rikonstruksioni i plotë i Shtëpisë së të moshuarve në Tiranë, i cili do të rrisë kapacitetin dhe cilësinë e shërbimit të ofruar.  
Të moshuarit e akomoduar në institucionet rezidenciale, përveç shërbimeve, tani përfitojnë 60% të pensionit personal, dhe ata që nuk përfitojnë pension, u është rritur 50% masa e përfitimit.
Aftësia e kufizuar - Gjatë vitit 2011, përveç indeksimit të pagesës për shkak të aftësisë së kufizuar, është rritur mbështetja me projekte nga ana e donatorëve.
Fondi për Personat me Aftësi të Kufizuara në vitin 2011 u dyfishua në krahasim me vitin 2005, duke arritur në 12 miliard lekë nga 6.1 në 2005.
Qeveria shqiptare ka nënshkruar Konventën e OKB për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KPDPAK) dhe po punon intensivisht për zbatimin e saj dhe, në këtë kuadër, është edhe hartimi dhe diskutimi gjatë 2012 i draftit të Ligjit Kuadër “Për Mbrojtjen e të Drejtave të PAK” me shoqerine civile.
Përmirësimi i aksesueshmërisë së mjediseve për personat me aftësi të kufizuar është prioritet i Ministrisë dhe gjatë vitit 2012 do të kryehet një studim i plotë për identifikimin e ndërtesave publike dhe nevojave për përshtatshmëri të tyre, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe pushtetin vendor.
Gratë e Trafikuara – Nëpërmjet forcimit të Mekanizmit të Referimit, në vitin 2011 u  arrit përgjysmimi i numrit të viktimave të trafikimit, nga 95 në vitin 2010 në më pak se 50.
Rikonstruksioni i Qendrës Pritëse të Viktimave të Trafikimit gjatë vitit 2012 synon rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj viktimave dhe garantimin e riintegrimit të tyre.
Tashmë, me ndryshimet në Ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, për herë të parë, viktimat e trafikut mbështeten me ndihmë ekonomike pas daljes nga institucionet e pritjes dhe rehabilitimit.
Dhuna në marrëdhëniet Familjare – Në 2011 u ngrit dhe tashmë funksionon me standarte bashkëkohore Qendra kombëtare e Pritjes së Viktimave të Dhunës në Marrëdhëniet Familjare, e cila ofron shërbime rehabilituese për viktimat.
Shqipëria është vendi i 18 që nenshkroi Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftën kundër dhunës ndaj Grave dhe dhunës në Familje, duke marrë përsipër t’u jap mbrojtje dhe garanci më të madhe viktimave në marrëdhëniet familjare dhe ashpërsuar sanksionet për dhunuesit.
Të drejtat e fëmijëve - Në zbatim të Ligjit për të Drejtat e Fëmijëve në 2011 u ngrit Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Famijëve, si institucioni përgjegjës për promovimin dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve.
Për herë të parë legjislacioni parashikon ndëshkime për shkeljen e të drejtave të fëmijëve, përfshirë edhe shfrytëzimin e fëmijëve për lypje apo punë.  
Rishikimi i skemës së mbështetjes me ndihmë ekonomike tani garanton mbrojtjen e fëmijëve nga varfëria dhe përjashtimi social, pasi përfitues janë edhe fëmijët jetimë dhe kryefamiljarë.
Aplikimi i shërbimit të Kujdestarisë për fëmijët jetimë edhe gjatë 2012 do të garantojë de-institucionalizmin e tyre dhe ofrimin e një ambienti familjar për rritje dhe edukim.
Gjatë vitit 2011 filloi rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës Zyber Hallulli, i cili përfundon gjatë këtij viti, duke bërë të mundur kalimin në shërbim të tipit “shtëpi familje”, që garanton rritje të cilësisë së shërbimit. Shërbimet bashkëkohore do të shtrihen në të gjitha qendrat sociale publike në mbarë vendin.
Antidiskriminimi - Komuniteti Rom dhe egjiptian përfiton nga skemat e mbështetjes me të ardhura dhe shërbime pa dallim nga grupet e tjera sociale.
Për kategori dhe raste të veçanta, Ministria ka ndërmarrë inisiativa për garantimin e strehimit të tyre.
Këto komunitete janë përfshirë në programe të veçanta mbështetjeje për arsimim.
Për të rinjtë rom garantohet ndjekja e arsimit të lartë nëpërmjet kuotave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe marrëveshjes për bursa me universitetet private.
Gjatë vitit 2012 do ngrihet sistemi on-line i mbledhjes së të dhenave per situaten social-ekonomike te komunitetit Rom ne te gjithe Shqiperine.
Në bashkëpunim me Entin Kombëtar të Banesave, që qytetet e mëdha do të ngrihen dhe funksionojnë qendra multidisiplinare të cilat do të sigurojnë strehim për këtë komunitet dhe do të mundësojnë akses më të mirë në arsim, shëndetësi dhe punësim.
Dialogu dhe bashkëpunimi me partnerët sociale – Gjatë vitit 2011 u arrit një nivel më i lartë bashkëpunimi me partnerët socialë në funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës -  evidentuar edhe në Raport Progresin e BE.
Qeveria nënshkroi një marrëveshje me Sindikatat në të cilën parashikohet, ndër të tjera, mosrritja e çmimit të energjisë për tre vjet dhe rritja e pagës minimale në shkallë vendi.  
Në bashkëpunim me partnerët sociale dhe ekspertët e ILO po risihikohet Kodi i Punës, me qëllim përputhjen e plotë të tij me standartet ndërkombëtare.
Emigracioni – Për herë të parë në të gjithë vendin janë ngritur dhe funksionojnë 36 sportele emigracioni, të cilat ofrojnë shërbime për emigrantët e kthyer, të cilët mbështeten me projekte të veçanta që synojnë riintegrimin.
Gjatë vitit 2012 do të hartohet Strategjia Kombëtare për Migracionin 2013 -2018, në të cilin do të parashikohen edhe plotësimi i detyrimeve që rrjedhin nga Marreveshja e Stabilizim-Asociimit, rekomandimet e Komisionit Evropian, si dhe konventat në fushën e migracionit në të cilat vendi ynë ka aderuar.
Prioritet gjatë vitit 2012 mbetet zgjerimi i rrugëve ligjore për emigracion të rregullt për punësim të shtetasve shqiptarë.
Procesi i liberalizimit krijon mundësinë që shqiptarët të hyjnë dhe qëndrojnë në territorin e shteteve anëtare për një afat të kufizuar kohor, po nuk lejon punësimin e tyre në to. Negociimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të punësimit me këto shtete do t’u japë mundësi punësimi shtetasve shqiptarë të cilët duan të punojnë në vendet e BE-së.
Në këtë kuadër, për vitin 2012 është prioritet zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Qeverinë italiane, si dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Republikën Franceze për qarkullimin e të rinjve.
Siguria dhe Shëndeti në Punë – Gjatë vitit 2012 prioritet do të jetë zbatueshmëria e Reformës në Inspektim, çertifikimi i Inspektorëve dhe trajnimi i vazhdueshëm i tyre.
Do të punohet për plotësimin e kuadrit ligjor të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë si dhe do të rishikohet Strategjia për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Në prioritetet e Ministrisë së Punës për vitin 2012 vend të rëndësishëm zë marrja e masave për plotësimin e kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian, ku një vend të rëndësishëm zë prioriteti 11, i fokusuar tek mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Në bashkëpunim me institucionet e tjera, do të fokusohemi në marrjen e masave për përmirësimin e legjislacionit dhe zbatimin efikas të tij në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi të individëve dhe grupeve për shkak të gjinisë, gjendjes social-ekonomike, përkatësisë në një grupim etnik, fetar, linguistik apo me orientim të ndryshëm seksual, duke garantuar gëzimin e të drejtave të barabarta për çdo qytetar në Shqipëri.
 

Kontakti

kontakt-mpcsshb

FLASH

Kerkoni ne website