|
Memorandum Bashkëpunimi mes Ministrisë së Punës dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi |
|
|
|
Thursday, 05 January 2012 13:39 |
Ksera: Marrëveshja në zbatim të rekomandimeve të KE për garantimin e të Drejtave të Njeriut
Sigurimi i të drejtës së çdo personi për barazi përpara ligjit, barazi shansesh dhe mundësi për të ushtruar të drejtat e për të gëzuar liritë, si dhe për mbrojtje efektive nga diskriminimi në fushën e punësimit, marrëdhëniet e punës dhe mbrojtjes shoqërore, është marrë përsipër sot nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, nëpërmjet nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi të nënshkruar nga Ministri Spiro Ksera dhe Komisionerja Irma Baraku. Ministri Ksera e konsideroi shumë të rëndësishëm nënshkrimin e Memorandumit dhe që vjen në përmbushje të angazhimeve të Qeverisë në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Europian për të avancuar në çështjet e të Drejtave të Njeriut. Sipas Ministrit të Punës, “Memorandumi përcakton bashkërendimin e planeve të veprimit në mbrojtje të grupeve të ndjeshme të shoqërisë nga sjellje diskriminuese, përfshirë edhe ndërhyrjet ligjore, fushatat informuese për mbrojtjen nga diskriminimi dhe dhuna në familje si dhe në marrëdhëniet e punës dhe shërbime për shkak të gjinisë, moshës, orientimit të ndryshëm seksual, apo përkatësisë në një minoritet të caktuar”.
Komisionerja Baraku u ndal në aktivitetin e zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjatë vitit 2011 dhe objektivat për vitin në vazhdim, duke theksuar se institucionalizmi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të kësaj Zyre me institucionet që mbulojnë fusha të caktuara është një garanci për sigurimin e një mbrojtjeje të plotë dhe të përhershme nga diskriminimi të grupeve të veçanta të shoqërisë. Sipas znj. Irma Baraku, numri i denoncimeve pranë kësaj Zyre nga individë apo grupe shoqërore ka ardhur në rritje muajt e fundit, tregues i rritjes së ndërgjegjësimit të publikut. Memorandumi i nënshkruar sot parashikon që palët – Ministria e Punës dhe Zyra e Komisionerit - do të bashkëpunojnë për marrjen e masave për mbrojtjen nga diskriminimi në fushën e punësimit, mbrojtjen nga diskriminimi e personave të huaj të punësuar/vetëpunësuar në Shqipëri si dhe mbrojtjen nga diskriminimi në fushën e mbrojtjes shoqërore. Masat konsistojnë në shkëmbimin e informacionit dhe eksperizës për përmirësimin e legjislacionit në fushat përkatëse, ndjekjen e ankesave të paraqitura përpara Komisionerit për diskriminimin në fushën e punësimit, apo për rastet që pretendohet që është kryer shqetësim seksual si dhe rastet e denoncuara të diskriminimit me bazë gjininë, orientimin seksual, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një minoritet, si dhe për mosrespektimin e të drejtave të fëmijëve. |