logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Ngritja e vetëdijes për përfshirjen e romëve dhe egjiptianëve në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbledh në Tiranë Komisonin Europian dhe Qeverinë shqiptare Print E-mail
Thursday, 15 December 2011 19:53
15-12-2011-0Ndërmarrja e masave proaktive për mbështetjen e integrimit të komunitetit rom që jeton në Shqipëri solli së bashku përfaqësues të Qeverisë, pushtetit vendor, organizatave joqeveritare dhe aktorëve ndërkombëtarë, të cilët gjatë gjithë ditës së sotme diskutuan rreth problematikës, sfidave dhe identifikimit të zgjidhjeve të mundshme.
Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin e Komisionit Europian, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me mbështetjen e Ministrisë së Integrimit Europian, organizuan sot seminarin një-ditor “Për ngritjen e vetëdijes për përfshirjen e romëve dhe egjiptianëve në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, i cili është i fundit i një sërë aktivitetesh të organizuara në vendet e Rajonit.
“Objektivat e përcaktuara në Strategjinë për përfshirjen Rome dhe në Planin e Veprimit të Dekadës Rome janë të qarta dhe ne po punojmë seriozisht për realizmin e tyre”, u shpreh Ministri i Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Spiro Ksera, në mbyllje të seminarit.
Sipas Drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, - z.Pierre Mirel, “situata e komunitetit rom sot nuk është një çështje vetëm shqiptare, por mbarë-europiane dhe marrja e masave konkrete që garantojnë integrimin më të shpejtë të këtij komuniteti në të gjitha vendet ku ata jetojnë është prioritet i përbashkët”.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të ndjekjes së 12 prioriteteve të vendosura nga Opinioni i Komisionit Europian për aplikimin e Shqipërisë për antarësim në BE dhe para fillimit të zbatimit të Projektit që mbështet përfshirjen sociale të komuniteteve rom dhe egjiptian financuar nga Komisioni Europian.
Temat e diskutuara gjatë sesioneve mbajtuar gjatë ditës së seminarit u fokusuan në regjistrimin civil, arsimin, kujdesin social, kujdesin shëndetësor, formimin profesional dhe punësimin, strehimin dhe infrastrukturën. Seminari u fokusua edhe mbi aktivitetet e autoriteteve shqiptare në secilën prej këtyre fushave.
Në senacat e seminarit e morën fjalën edhe Ministrja e Integrimit – znj. Majlinda Bregu, Këshilltari i Lartë për Çështjet Rome dhe Sinite, pranë OSBE/ODIHR – z. Andrezej Mirga, përfaqësuesit e komunitetit rom dhe egjiptian në Komitetin Shtetëror të Minoriteteve, respektivisht zoti Refik Tare dhe Arian Lile, Komisionerja për mbrojtjen nga Diskriminimi – znj. Irma Baraku, etj., përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, organizmave ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare që veprojnë në fushën e njohjes dhe garantimit të të drejtave të minoriteve rom dhe egjiptian.
Në fund të aktivitetit pjesëmarrësit vlerësuan se hartimi dhe zbatimi i masave konkrete për regjistrimin civil, infrastrukturën, arsimin, aksesin në shërbime sociale dhe shëndetësore, mbështetjen për formim profesional dhe punësim do të ndihmojë integrimin më të shpejtë të komunitetit rom dhe përmirësimin e kushteve social-ekonomike të tij. Me qëllim që politikat që janë të fokusuara në përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom dhe egjiptian të kenë efekt sa më të madh, u theksua se procesi i hartimit dhe zbatimit të politikave duhet të  jetë gjithëpërfshirës dhe në të marrin pjesë edhe vetë anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit Spiro Ksera:

Integrimi dhe përfshirja e komunitetit rom dhe egjiptian në jetën social-ekonomike dhe kulturore të vendit përbën një nga prioritet e politikave të Qeverisë shqiptare.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatat Ndërkombëtare si, OSBE, Këshilli i Evropës etj., si dhe ratifikimi dhe firmosja e pothuaj të gjitha konventave të të drejtave të njeriut i ka dhënë trajtimit të këtij minoriteti një dimension të ri në Shqipëri.
15-12-2011-1Në zbatim të Konventës Kuadër për Respektimin e të Drejtave të Minoriteteve dhe në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen Evropiane, Qeveria shqiptare ka hartuar dhe po zbaton Strategjinë Kombëtare “Për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit Rom” dhe nga 8 Prilli i vitit 2008 Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në “Dekadën e Përfshirjes së Romëve”.
Ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” miratuar në vitin 2010 parashikon mbrojtjen nga diskriminimi në tregun e punës, arsim dhe shërbime për shkak të racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, etj., duke garantuar një mbrojtje më të madhe edhe për komunitetin rom. 
Ministria e Punës, është angazhuar që problemet ekonomike dhe social-kulturore me të cilat përballen Romët t’i trajtojë në kuadër të politikave sociale dhe, nëpërmjet zbatimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit të Dekadës, synohet reduktimi dhe parandalimi i margjinalizimit dhe përjashtimit social të komunitetit Rom, nxitja e integrimit social dhe përmirësimi i standarteve të jetesës së këtij minoriteti, ku prioritet i është dhënë arsimimit, punësimit, strehimit si dhe ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave kulturore të tij.
Implementimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit është një proces afatgjatë dhe ka për qëllim të vendosë dhe të ruajë konsensusin social, duke siguruar bashkëpunim të vazhdueshëm me pjesën tjetër të popullsisë, në funksion të integrimit social-ekonomik të Minoritetit Rom në shoqërinë shqiptare, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat e tij kulturore dhe linguistike.
Vullneti dhe angazhimi i Qeverisë shqiptare për integrimin e komunitetit Rom është reflektuar edhe në hartimin e Strategjisë së Përfshirjes Sociale, e cila artikulon synimet e politikave sociale për nxitjen e integrimit dhe përmirësimit të standarteve të jetesës së grupeve vulnerabël, pjesë e rëndësishme e të cilëve është dhe komuniteti Rom dhe Egjiptian.
Shprehje e angazhimit të Qeverisë për mbështetjen e komunitetit rom janë edhe politikat e ndërmarra për uljen e papunësisë e varfërisë si dhe rritjen e mbështetjes për kategoritë në nevojë, politika të cilat synojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë përmirësimin e jetesës së komunitetit rom, i cili përballet me probleme social-ekonomike.
Në fushën e punësimit dhe mbrojtjes sociale, MPÇSSHB zbaton politika dhe programe konkrete për nxitjen e punësimit për komunitetin rom në përgjithësi dhe për gratë rome në veçanti. Politikat e ndjekura për grupet në nevojë kanë rritur aksesin e romëve në kurset e formimit profesional.
Aktualisht, në qendrat publike zbatohen programe që ofrojnë kurse falas trajnimi për anëtarët e këtij komuniteti.
Familjet rome me probleme social-ekonomike mbështeten me ndihmë ekonomike, masa mesatare e të cilës ka ardhur në rritje vitet e fundit, si pasojë e rritjes ndjeshëm të buxhetit të shtetit për këtë zë, ku çdo vit përfitojnë pagesa nga programi i ndihmës ekonomike rreth 1 500 familje.
15-12-2011-2Komuniteti rom gëzon të drejta të barabarta edhe në fushën e mbështetjes sociale. Përhapje të madhe kanë marrë qendrat ditore të shërbimeve sociale në komunitet, të cilat ofrojnë shërbime për fëmijët, të rinjtë dhe gratë Rome. Një ndihmë të madhe në këtë fushë kanë dhënë edhe organizatat e shoqërisë civile.
Marrja e masave për përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimi i fushatave ndërgjegjësuese, hartimi i programeve speciale, ofrimi i shërbimeve të veçanta dhe eliminimi i disa pengesave ligjore kanë ndikuar në rritjen e numrit të fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor dhe nëntë-vjeçar.
Për të zbutur fenomenin e braktisjes së shkollës janë ndërmarrë iniciativa me ndikim të madh dhe të qëndrueshëm, të cilat synojnë tërheqjen e fëmijëve romë në shkollë përmes programeve speciale, ofrimit të shërbimeve të veçanta, sensibilizimit të familjeve dhe punës së veçantë me prindërit. 50 për qind e nxënësve që kanë përfituar nga projekti “Shansi i dytë” janë fëmijë rom.
Sot synimi ynë nuk është vetëm tërheqja e fëmijëve rom në arsimin parashkollor dhe nëntë-vjeçar, por mbështetja e të rinjve rom për të ndjekur arsimin profesional dhe universitar. Çdo vit Ministria e Arsimit ofron kuota të veçanta për të rinjtë rom që të ndjekin arsimin e lartë në Universitete publike. Këtë vit, për herë të parë nënshkruam edhe një një Marrëveshje me shtatë universiteteve private të cilat që nga ky vit arsimor do të ofrojnë të drejta studimi për të rinjtë Romë dhe Egjiptian.
Po ashtu, Ministria e Brendshme ka ndërmarrë fushatë për mbrojtjen e fëmijëve Rom dhe heqjen e tyre nga rruga, edhe nëpërmjet iniciativave ligjore.
Janë forcuar masat dhe kontrolli në fushën e trafikimit të fëmijëve brenda vendit dhe është bërë i mundur denoncimi i rasteve të trafikimit nëpërmjet vendosjes së linjës telefonike kombëtare pa pagesë. Krijimi këtë vit edhe i Agjensisë për të Drejtat e Fëmijëve jep më shumë garanci për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në përgjithësi dhe fëmijëve rom në veçanti. 
Në realizimin e objektivave të dokumenteve strategjike për komunitetin Rom një ndihmë të madhe po japin organizatat ndërkombëtare, nëpërmjet mbështetjes financiare të shumë projekteve të zbatuara deri tani. Projektet janë fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës së zonave në të cilat banon komuniteti rom dhe egjiptian, në regjistrimin, tërheqjen e fëmijëve në arsim, rritjen e aksesit në shërbimin parësor, në formim profesional dhe punësim për të rriturit.
Me gjithë përpjekjet që janë bërë deri tani për integrimin e këtyre minoriteteve, sfidat për të ardhmen janë të mëdha dhe objektivat e marra nga ne mmund të arrihen vetëm nëpërmjet një angazhimi më të madh të të gjithë aktorëve si dhe rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucionaltë, insitucioneve qendrore me pushtetin vendor, mediat, shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe shoqatat rome. Vetëm kështu do t’i garantojmë komunitetit rom dhe egjiptian që jeton në Shqipëri barazi të plotë me pjesën tjetër të popullsisë dhe integrim real në të gjitha fushat e zhvillimit të vendit.
Për këtë kërkoj angazhimin dhe mbështetjen e secilit prej jush, duke rikonfirmuar edhe një herë angazhimin maksimal të Qeverisë dhe Ministrisë që unë drejtoj për përmbushjen e të gjitha detyrimeve tona.
Prezenca sot këtu e zotit Pierre Mirel – Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe z. Andrezej Mirga – Këshilltar i Lartë i OSBE/ODIHR për Çështjet Rome, është garanci për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe implementimin e Strategjisë evropiane për romët edhe në Shqipëri.
 

Kontakti

kontakt-3-2012

Klikoni për "Shërbimet Sociale Në Shqipëri"

infosherbime2-2012


Harta e "Shërbimeve Sociale në Shqipëri"

harta-sherbime2-2012


Nëse nuk e keni të instaluar programin , klikoni imazhin e mëposhtëm :google_earth




FLASH

Kerkoni ne website