logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Konferenca Kombëtare kundër dhunës ndaj grave bashkon institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, pushtetin vendor dhe shoqërinë civile Print E-mail
Friday, 09 December 2011 17:43
Ministri Ksera: Qeveria shqiptare i bashkohet vendeve europiane në këtë luftë me ratifikimin e Konventës së KE

konference-dhune-9-12-11“Gjatë vitit 2011 institucionet shqiptare janë angazhuar në hartimin dhe miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore në mbështetje të viktimave të dhunës në familje”, u shpreh Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Spiro Ksera, në Konferencën Kombëtare “Dhuna në familje është krim. Familje pa dhunë, shoqëri në paqe!”, organizua nga MPÇSShB, me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Europës dhe UN Women.

Tashmë është bërë traditë që 16 Ditët Kundër Dhunës ndaj Gruas dhe Dhunës në Familje, që çelen çdo vit në 25 nëntor në mbarë botën, në Shqipëri të finalizohen me një Konferencë Kombëtare, e cila mbledh së bashku të gjithë aktorët e angazhuar në sfidat dhe luftën e përbashkët kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje për të bërë analizën e punës, prezantuar arritjet dhe për të përcaktuar hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen.

Këtë vit Konferenca u fokusua në prezantimin e Konventës së Këshillit të Europës "Për parandalimin dhe luftën  kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje", e cila pas miratimit një muaj më parë nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë pritet të firmoset në 19 Dhjetor nga Ministri i Punës, z.Spiro Ksera, në emër të Qeverisë. Të pranishmit në Konferencë vlerësuan rëndësinë e Konventës dhe përshëndetën hapat e Qeverisë për Ratifikimin e saj, duke theksuar se kështu Shqipëria i bashkohet vendeve evropiane në luftën frontale ndaj femomenit të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, një fenomen ky mjaft shqetësues edhe për vendet e zhvilluara evropiane.
Në emër të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministri Spiro Ksera prezantoi nismat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke u ndalur në përmirësimet ligjore, ngritjen dhe fuqizimin e strukturave si dhe forcimin e bashkëpunimit mes të gjitha strukturave.

Sipas Ministrit Ksera, fushatat sensibilizuese të ndërmarra në të gjithë vendin kundër fenomentit të dhunës po japin rezultat, gjë që tregohet edhe nga të dhënat e fundit të policisë së shtetit. “Të dhënat më të fundit statistikore nga drejtoritë e policive konfirmojnë se fushatat sensibilizuese kanë patur efekt pozitiv, pasi vërejmë se edhe në 11-mujorin e viti 2011 numri i denoncimeve është rritur, duke arritur në 2029 denoncime,  nga 1998 denoncime të regjistruara një vit më parë. Po ashtu, gjeografia e denoncimeve ka përfshirë të 12 qarqet, madje nuk mungojnë edhe denoncimet nga zonat rurale, tregues ky i ndërgjegjësimit se dhuna nuk duhet toleruar, por denoncuar”, deklaroi Ministri i Punës.

Ministri Ksera prezantoi edhe nismën e Ministrisë së Punës për përfshirjen e dhunës në familje në Kodin Penal, duke e parashikuar atë si vepër penale dhe duke forcuar sanksionet për dhunuesit. “Propozimet Ministria e Punës tashmë ia ka kaluar komisioneve përkatëse në Kuvend, të cilat aktualisht ndodhen në procesin e diskutimit të ndryshimeve në Kodin Penal”, deklaroi Ksera, i cili i bëri thirrje deputetëve të të gjitha krahëve të politikës t’i mbështesin këto ndryshime që synojnë ashpërsinë e ligjit ndaj dhunuesit, pasi ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë votën e 3/5 të deputetëve të Kuvendi për t’u miratuar.

Hapat e ndërmarrë nga Qeveria shqiptare për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, Ministri Ksera i vlerësoi si tregues i angazhimit të palëkundur të Qeverisë shqiptare për ta luftuar këtë fenomen  dhe për t’iu bashkuar vendeve europiane në këtë luftë.

konference-dhune2-9-12-11Konferenca u përshëndet edhe nga Kryetarja e Kuvendit - Znj.Jozefina Topalli, Koordinatorja Rezidente e OKB-së - Zj. Zineb Touimi-Benjelloun, Shefi i zyrës së Këshillit të Europës, Shqipëri - Z. Marco Leidekker,  Shefja e Sektorit kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në Këshillin e Europës – znj. Liri Kopaçi-Di Michele.

Ekspertja e Komitetit të KE për hartimin  e  Konventes, znj. Hilary Fisher, prezantoi Konventën e KE dhe parashikimet e saj për parandalimin e fenomenit dhe mbrojtjen e viktimës, ndërsa Zv/Ministret Zajmi dhe Kasmi prezantuan arritjet e këtyre institucioneve në hartimin dhe zbatimin e legjislacionit në këtë fushë.

Në emër të shoqërisë civile, znj. Aurela Anastasi, Drejtore e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, u ndal në rolin e shoqërisë civile në luftën kundër dhunës në familje ndërsa Znj. Adelina Farrici  - Kryetare e Bashkisë Burrel, solli eksperiencën e kësaj bashkie në ngritjen dhe funksionimin e Sistemit të Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje në nivel vendor.                                      

Fjala e plotë e Ministrit Spiro Ksera:
“Në emër të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ju uroj mirëseardhjen, duke shprehur, njëkohësisht, falenderimin tim që i jeni bashkuar sot këtij aktiviteti të përvitshëm.

Si çdo vit, Konferenca mbledh së bashku të gjithë aktorët e angazhuar në sfidat dhe luftën e përbashkët kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje, jo vetëm për të bërë analizën e punës dhe prezantuar arritjet, por edhe për të diskutuar rreth problematikës dhe për të përcaktuar rekomandimet për të ardhmen.

Gjatë vitit 2011 institucionet shqiptare janë angazhuar në hartimin dhe miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore në mbështetje të viktimave të dhunës në familje – akte në përputhje me legjislacionin europian. Jemi angazhuar, gjithashtu, në hartimin e zbatimin e politikave dhe programeve konkrete, në fuqizimin e strukturave përgjegjëse dhe ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve, në sensibilizimin e vazhdueshëm në të gjitha nivelet, veçanërisht të publikut në zonat më të largëta urbane dhe rurale, me qëllim që të kuptohet se dhunës i duhet dhënë fund, pasi ajo shkatërron dinjitetin e qënies njerëzore dhe shënon regres për vlerat e qytetarisë.

Të dhënat më të fundit statistikore nga drejtoritë e policive konfirmojnë se fushatat sensibilizuese kanë patur efekt pozitiv, pasi vërejmë se edhe në 11-mujorin e viti 2011 numri i denoncimeve është rritur, duke arritur në 2029 denoncime,  nga 1998 denoncime të regjistruara një vit më parë. Po ashtu, gjeografia e denoncimeve ka përfshirë të 12 qarqet, madje nuk mungojnë edhe denoncimet nga zonat rurale, tregues ky i ndërgjegjësimit se dhuna nuk duhet toleruar, por denoncuar.

Një falenderim i veçantë shkon për Kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetaren e Parlamentit znj. Jozefina Topalli për angazhimin e tyre maksimal në këto vite për ta kthyer luftën e përbashkët kundër një fenomeni të tillë kriminal, i cili dëmton jo vetëm individin, por edhe vetë familjen dhe shoqërinë, në një fushatë frontale dhe gjithpërfshirëse.

Qendra Kombëtare për Viktimat e Dhunës në Familje funksionon dhe në të trajtohen dhe marrin shërbime viktimat e dhunës në familje nga i gjithë vendi. Kjo Qendër funksionon bazuar në Standartet e miratuara po këtë vit, të cilat synojnë përmirësimin e jetesës së viktimave të dhunës dhe familjeve të tyre. Nga prilli e deri tani Qendra ka pritur rreth 20 gra, së bashku me fëmijët e tyre, të cilëve u është ofruar ndihma mjeksore, psikologjike e juridike e nevojshme. Këto gra tashmë janë përfshirë edhe në programe të trajnimit profesional, me qëllim krijimin e kushteve për integrimin e tyre sa më të lehtë dhe të shpejtë në jetën social-ekonomike.

Gjej rastin të falenderoj organizatat e Kombeve të Bashkuara që, nëpërmjet Programit “Një OKB”, na kanë mbështetur në vazhdimësi gjatë gjithë proçesit të ngritjes e vënies në funksionim të Qendrës. Nga ana tjetër, do të kërkonim që qendra të tilla rajonale të ngrihen në të gjithë vendin me mbështetjen e donatorët që veprojnë në këtë fushë, pa harruar sigurisht edhe mbështetjen për Strehëzat e menaxhuara nga OJF-të të cilat prej kohësh japin kontribut në këtë fushë.

Në shkurt të këtij viti, me Vendim të Këshillit të Ministrave u miratua Mekanizmi i bashkërendimit të punës për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, që garanton mbrojtjen me masa ligjore të viktimave të dhunës në të gjithë vendin. Deri tani mekanizmi është ngritur në 17 bashki dhe po punojmë për shtrirjen e tij sa më shpejtë në të gjitha njësitë vendore.

Ndërkohë, vazhdojnë trajnimet e profesionistëve që merren me mbështetjen e viktimave të dhunës në familje si, punonjësve të policisë, gjyqtarëve, përmbaruesve gjyqësorë, personelit mjeksor, arsimor, specialistë të njësive vendore, etj.
Në kuadër të Mekanizmit Kombëtar të Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje, në disa bashki pilot është ngritur sistemi elektronik i mbledhjes së të dhënave për menaxhimin e rasteve të dhunës në familje. Me këtë rast, dua të tërheq vëmendjen e institucioneve në nivel qendror dhe vendor që të tregohen të përgjegjshme në zbatimin e afateve për dërgimin e të dhënave të përcaktuara në listën e indikatorëve gjinorë, sipas përcaktimeve në Udhëzimin përkatës.

Por, mbi të gjitha, ajo që dua të theksoj këtu sot është angazhimi i palëkundur i Qeverisë shqiptare për për ta konsideruar dhunën në famije krim dhe për të ndërmarrë hapa e nevojshëm për ta luftuar këtë fenomen dhe për t’iu bashkuar vendeve europiane në këtë luftë, angazhim që konfirmohet edhe nga miratimi në parim së fundi i Konventës së Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” nga Këshilli i Ministrave. Në 19 dhjetor, në emër të Qeverisë shqiptare, si Ministër i Punës do të nënshkruaj këtë Konventë të rëndësishme pranë organizmave të Këshillit të Europës. Kështu Shqipëria do t’u bashkohet 17 vendeve europiane që e kanë nënshkruar Konventën. Ratifikimi në Kuvend në 2012 do ta kthejë Konventën pjesë të legjislacionit tonë, me detyrimin për ta zbatuar në çdo pikë të saj. Po punohet për përgatitjen e akteve ligjore dhe nënligjore që e bëjnë Konventën plotësisht të përputhur me legjislacionin e brendshëm dhe mundësojnë zbatimin e saj. Konventa parashikon marrjen e masave për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e dhunuesve.
Dhuna është një fenomen mbarëbotëror, i cili diskriminon në mënyrë të veçantë gratë dhe vajzat, pasi ato janë pre e dhunës më esktreme, që shkon deri në gjymtim, humbje jete, trafikim për qëllime prostitucioni etj.

Është kjo arsyeja që Këshilli i Europës punoi tre vjet për të sjellë një dokument kaq të rëndësishëm në këtë fushë, dokument për të cilin edhe vendi ynë ka dhënë kontributin e tij. Në këtë këndvështrim, angazhimet dhe detyrimet që sjell kjo Konventë përbëjnë edhe një plan pune serioz për të ardhmen.

Në këtë frymë vijnë edhe propozimet për kriminalizmin e dhunës në familje dhe forcimin e sanksioneve për dhunuesit. Propozimet Ministria e Punës tashmë ia ka kaluar komisioneve përkatëse në Kuvend, të cilat aktualisht ndodhen në procesin e diskutimit të ndryshimeve në Kodin Penal. Shfrytëzoj rastin këtu të kërkoj nga të gjitha krahët e politikës t’i mbështesin insiativat ligjore që synojnë ashpërsinë e ligjit ndaj dhunuesit.

16 ditët e fushatës që kanë angazhuar shumë aktorë në aktivitete sensibilizuese, takime me studentë e nxënës të shkollave, publikime dhe emisione televizive, takime rajonale me përfaqësues të qeverisjes qendrore e vendore, nuk përfunojnë këtu.

Ato do të shtrihen gjatë gjithë vitit në vazhdim e më tej për të rritur ndjeshmërinë e publikut dhe shoqërisë shqiptare për të mos toleruar asnjë shfaqje dhune në familje e jashtë saj, sepse “Dhuna është krim. Një familje pa dhunë është një shoqëri në paqe!”
Faleminderit!
 

Kontakti

kontakt-3-2012

Klikoni për "Shërbimet Sociale Në Shqipëri"

infosherbime2-2012


Harta e "Shërbimeve Sociale në Shqipëri"

harta-sherbime2-2012


Nëse nuk e keni të instaluar programin , klikoni imazhin e mëposhtëm :google_earth




FLASH

Kerkoni ne website