logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
ILO dhe Ministria e Punës organizojnë Konferencën “Politikat e pagave dhe diferencat gjinore në Shqipëri” Print E-mail
Thursday, 17 November 2011 14:13
Ministri Ksera: Politika e rritjes së pagave do të vazhdojë

ilo-konference2-17-11-11“Politika e pagave në Shqipëri ka synuar të rrisë sigurinë dhe mirëqënien e qytetarëve, produktivitetin e ekonomisë dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve”, deklaroi sot Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Spiro Ksera, në Konferencën Kombëtare të Punës me temë “Politikat e pagave dhe diferencat gjinore në Shqipëri”, organizuar nga Ministria e Punës dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës –ILO, me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.
Konferenca dyditore ka mbledhur në një tryezë të përbashkët përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e politikave të pagave në Shqipëri, ekspertë vendas dhe të huaj në fushën e pagave, përfaqësuesit më të lartë të punëdhësnve dhe punëmarrësve, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në vend, etj.
Dita e parë e punimeve u përshëndet nga dy nënkryetarët e këshillit Kombëtar të Punës, z.Avenir Kika dhe z.Gëzim Kalaja, si dhe nga znj. Zineb Touimi Benjellou – Përfaqësuse e Përhershme e OKB në Shqipëri dhe z. Mark Levin – Drejtor i Zyrës së ILO në Budapest për Evropën Qendrore dhe Lindore, të cilët e vunë theksin tek rëndësia që merr dialogu social në konsultimin e politikave veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me tregun e punës dhe pagat, për të patur drejtësi sociale dhe zhvillim ekonomik.
Konferenca vazhdon punimet dhe pritet që në mbyllje të saj, ditën e premte të dilet me konkluzione konkrete dhe propozime për institucionet politikëbërëse në Shqipëri për ndërmarrjen e politikave që garantojnë pagesë të drejtë për punë të barabartë, që nxisin zhvillimin ekonomik të vendit dhe, njëkohësisht, mbrojnë nivelin ekonomik të punëmarrësve.

Një ditë më parë, Ministri Ksera priti në zyrën e tij Drejtorin e ILO – Mark Levin, me të cilin diskutoi rreth bashkëpunimit me Zyrën e ILO për zbatimin e projekteve të rëndësishme që ndikojnë drejtëpërdrejtë në zhvillimin e tregut të punës në Shqipëri, të tilla si Programi i Punës së Denjë dhe Projektet për mbështetjen e grupeve vulnerabël në tregun e punës. “Projektetet e zbatuara në fushën e nxitjes së punësimit vitin e fundit dhe nisja e projekteve të reja për vitin e ardhshëm nga ana e ILO kanë qenë një mbështetje e madhe për realizimin e objektivave tona për rritjen e punësimit, duke plotësuar edhe ndonjë boshllëk të krijuar nga ulja e fondit për këtë program”, u shpreh Ministri Ksera.

Më poshtë, fjala e përshëndetëse e Ministri Spiro Ksera mbajtuar në Konferencën Kombëtare të Punës:

ilo-konference-17-11-11Konferenca mbahet në kushtet kur kriza ekonomike që ka pushtuar vendet më të zhvilluara të botës ka ndikimin e saj edhe në ekonominë shqiptare, e cila edhe në këto kushte vazhdon të mbajë ritme pozitive të rritjes ekonomike dhe aktualisht ka ritmet më të larta në Europë.
Pagat, si një element shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, por edhe si një element i rëndësishëm i marrëdhënieve të punës, janë gjithashtu burim i ndjeshëm i të ardhurave të popullsisë dhe pikërisht për këtë, Qeveria shqiptare vazhdon ta ketë rritjen e pagave prioritet ambicioz me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të jetës së shtetasve të saj.
Politika e pagave ka synuar të rrisë sigurinë dhe mirëqënien e qytetarëve, produktivitetin e ekonomisë dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.
Kombinimi i dy politikave, ajo e uljes së taksave dhe e forcimit të administrimit fiskal, ka dhënë efekt në zbatimin me sukses të programit të Qeverisë për rritjen e pagave. Krahasuar me vitin 2005 paga mesatare është rritur me 85%, ndërsa pagat në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë janë rritur më shumë se dy herë.
Sipas vlerësimeve të kryera në tregun e punës, të njëjtin trend ka ndjekur edhe rritja e pagave në sektorin privat.
Qeveria ka marrë disa masa për të ruajtur aftësinë konkuruese të biznesit, duke vendosur kompensim të pjesshëm për kostot e trajnimit, kompensim të përkohshëm për kontributet e sigurimeve shoqërore për kompanitë që punësojnë punëkërkues të papunë dhe për biznesin e fasonëve.
Aplikimi i këtyre politikave ka rritur mundësitë e biznesit për të akumuluar më shumë fitime, për rrjedhojë për të investuar më shumë në teknologji bashkëkohore, që do të thotë më shumë punësim dhe paga më të larta për të punësuarit në këtë sektor. Kështu industria përpunuese e fasonëve, përgjithësisht tekstilet dhe lëkura kanë rritur volumin e produkteve të tyre eksportuese me mesatarisht 30% në vit për dy vitet e fundit.
Në përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur shtresat me të ardhura të pakta, Qeveria ka rritur me ritme të kënaqëshme pagën minimale, e cila është rritur me rreth 70% në krahasim me vitin 2005 dhe sot ka arritur në 20.000 lekë të reja. Duke patur parasysh se kjo kategori punonjësish merr edhe shtesa të ndryshme mbi këtë pagë si vjetërsi, dëmshmëri etj. që arrijnë në rreth 50%, paga e tyre arrin në rreth 30.000 lekë në muaj.
Në politikën e pagave, sidomos në sektorin jobuxhetor dhe atë privat, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka negociuar në mënyrë permanente me punëdhënësit e punëmarrësit për të realizuar një mirëkuptimin social, me qëllim që paga të jetë një element i rëndësishëm për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe një faktor i rëndësishëm për uljen e varfërisë. Ky proces është realizuar edhe në momentet e përcaktimit të pagës minimale, duke aktivizuar për këtë Komisionin e Pagave të Këshillit Kombëtar të Punës.
Në kushtet e krizës që po kalon ekonomia botërore dhe ndikimeve që përcjell ajo në vendin tonë, në konsultimet paraprake që janë bërë me organizatat e punëdhënësve e punëmarrësve, për të përcaktuar masën e rritjes së pagës minimale, kemi treguar kujdes dhe i kemi mirëkuptuar organizatat e punëdhënësve që kanë ngritur problemin e dëmtimit të biznesit dhe sidomos atij të fasonëve.
Pikërisht për këtë Qeveria ka marrë disa masa të rëndësishme si ulja e barrës fiskale, si rrjedhojë e uljes së taksës së fitimit në 10% (nga 20%), heqja e detyrimit doganor për lëndën e parë të fasonëve, uljen ndjeshëm të normës së kontributeve për sigurimet shoqërore, etj.
Për të mbrojtur punëmarrësit nga shkeljet që mund të çojnë në një shpërblim jo të drejtë të tyre, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka ndikuar që në të gjitha kontratat kolektive të punës të përcaktohet niveli i pagës minimale, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, element i cili merr një rëndësi të veçantë në ndërmarrjet e vogla private, duke siguruar një dysheme minimale të të ardhurave bazë ekonomike.
Ecuria e pandalëshme e këtij dialogu social, forcimi i partneritetit mes shtetit, punëdhënësve e punëmarrësve, në të mirë të zbatimit me korrektësi të legjislacionit të vendit dhe akteve ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë si, zbatimi i detyrimit për mbrojtjen e pagës, detyrimit për shpërblimin e barabartë, vendimit për pagën minimale etj. janë dhe do të jenë prioritet i institucionit që unë drejtoj.
Arritjet në fushën e dialogut social janë evidentuar edhe në Raport-Progresin e fundit të BE, raport i cili evidenton si një hap pozitiv nënshkrimin e Paktit të Mirëkuptimit Social midis Këshillit të Ministrave dhe Organizatave të Punëmarrësve e Punëdhënësve, anëtarë të Këshillit Kombëtar të Punës. Ky bashkëpunim do të jetë në fokusin e punës për të nxitur dhe zhvilluar dialogun social dypalësh në nivel sektorial dhe zhvillimin e marrëveshjeve kolektive në sektorin privat.
Perspektiva e rritjes së pagave në vendin tonë, duke u mbështetur edhe në parashikimet lidhur me ecurinë e krizës ekonomike botërore është optimiste.
Rritja e pagave me prioritet ato të ulta do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, kurse paga minimale parashikohet të rritet çdo vit me ritme më të larta se indeksi vjetor i inflacionit.
 

Kontakti

kontakt-3-2012

Klikoni për "Shërbimet Sociale Në Shqipëri"

infosherbime2-2012


Harta e "Shërbimeve Sociale në Shqipëri"

harta-sherbime2-2012


Nëse nuk e keni të instaluar programin , klikoni imazhin e mëposhtëm :google_earth




FLASH

Kerkoni ne website