- Kodi i Punës i Republikes së Shqipërise ; (neni 200)
- VKM nr.730, datë 6.11.2003 "Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe caktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë Këshill", ndryshuar me VKM nr 16. date 13.1.2006.
- VKM nr.132, date 24.02.2010 "Për caktimin e numrit të përfaqësuesve të organizatave të punëmarrësve dhe të punëdhënësve në Këshillin Kombëtar të Punës";
Neni 200 i Kodit te Punes (Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.3.1996) (Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.7.2003)
- Krijohet Këshilli Kombëtar i Punës, që përbëhet nga përfaqësues të punëdhënësve, punëmarrësve dhe Qeverisë.
- Këshilli shqyrton çështjet me interes të përbashkët për organizatat e punëdhënësve dhe të punëmarrësve, me qëllim që të arrijë zgjidhje të pranueshme për palët.
- Konsultimet bëhen veçanërisht lidhur me përgatitjet dhe zbatimin e legjislacionit të punës, ndryshimet e këtij Kodi dhe përmbajtjen e akteve nënligjore, me politikat dhe organizmat kombëtarë që kanë të bëjnë me punësimin, formimin profesional, mbrojtjen e punëmarrësve, higjienën dhe sigurimin teknik, prodhimin, mirëqenien, programet e zhvillimit ekonomik e shoqëror, si dhe me zbatimin e normave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
- Këshilli Kombëtar i Punës përbëhet nga 27 anëtarë dhe 27 kandidatë, nga 10 përfaqësues anëtarë dhe 10 përfaqësues kandidatë nga organizatat e punëdhënësve, nga 10 përfaqësues anëtarë dhe 10 përfaqësues kandidatë nga organizatat e punëmarrësve dhe nga 7 përfaqësues anëtarë dhe 7 përfaqësues kandidatë të Këshillit të Ministrave. Përfaqësuesit kandidatë marrin pjesë në seancat e këshillit, në mungesë të përfaqësuesve anëtarë.
- Në këtë Këshill marrin pjesë organizatat më të përfaqësuara të punëmarrësve dhe të punëdhënësve, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave çdo 3 vjet.
- Këshilli i Ministrave cakton komisione të specializuara tripalëshe, të përhershme, në këshillim edhe me partnerët socialë.
- Emërimi i anëtarëve dhe i kandidatëve të Këshillit Kombëtar të Punës, përfaqësues të organizatave të punëmarrësve dhe të punëdhënësve, bëhet nga Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale, sipas propozimeve të këtyre organizatave, në përputhje me pikën 5 të këtij neni.
- Këshilli Kombëtar i Punës mund të krijojë komisione të specializuara ose grupe pune të përkohshme për këshillimin dhe studimin e çështjeve të veçanta me interes të përbashkët.
- Këshilli Kombëtar i Punës ka buxhetin e vet të pavarur, që caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Rregullat e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Punës rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
|