


| Tri periudhat e emigrimit modern shqiptar |
|
|
|
Ky emigrim mund të ndahet në tre periudha: i) flukse emigratore, para vitit 1944; ii) një disporë më e vonshme, në përmasa të vogla, që emigroi në harkun kohor 1945-1990; iii) flukse të konsiderueshme të pas viteve 1990-të, apo rrëzimit të regjimit komunist totalitar.
Para vitit 1944, destinacionet kryesore ishin SHBA-ja dhe disa vende të Amerikës Latine. Mungojnë të dhëna të sakta të përmasave të këtyre flukseve, megjithëse janë të përmasave të vogla dhe kryesisht me motivim ekonomik, sikurse qeria e kohës thuajse ishte indiferente ndaj këtyre flukseve. Pas vitit 1945, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri u formësua një farë emigrimi me karakter politik në më të shumtën, gjithnjë i pëmasava të vogla. Qeveria shqiptare iu kundërvu me forcë dhe me të gjitha mjetet çkëshilluese dhe ndëshkuese, duke vënë në jetë masa të rrepta politke dhe ligjore, madje duke e cilësuar si krim largimin nga vendi. Kjo do të ishte edhe faza e dytë. Faza e tretë nis pas vitit 1990, duke e ndarë në disa nënfaza: i) flukse emigratore të harkut kohor 1991-92, tërësisht të pakontrolluara. Aso kohe, afërsisht 300 mijë shtetas shqiptarë u larguan nga atdheu me çdo rrugë dhe mjet; ii) flukset 1992-96, kur u larguan afërsisht po aq shtetas, shpesh në rrugë të paligjshme, pavarësisht përmirësimit të përkohshëm të ekonomisë, stabilizimit politik të vendit, kontrolleve më të mira të kufijve dhe, hera-herë, politikave më të “buta” të disa shteteve; iii) flukset e pas 1996-07, menjëherë pas kolapsit të skemave të ndryshnme piramidale dhe trazirave politike-sociale që përcollën këtë kolaps. Disa faktorë të kombinuar si, papunësia, pasiguria, varfëria, përkeqësimet e përgjithshme ekonomike bënë që afro 100 mijë njerëz të largoheshin brenda pak muajve; iv) së fundi, që nga viti 1998 ka pasur një përmirësim të dora-dorshëm të kushteve politiko-ekonomike-sociale; këto së bashku me disa politika të favorshme të kohës të dy shteteve fqinje, Itali dhe Greqi bënë që të rriteshin flukset e emigrimit të ligjshëm dhe të uleshin ato të paligjshme. Sipas regjistrimit të popullsisë kryer nga INSTAT, në vitin 2001 popullsia shqiptare është 3.07 milion banorë dhe, nëse nuk do të kishte migracion, kjo shifër do të ishte 3.78 milion. Diferenca ndërmjet këtyre dy shifrave është numri i përafërt i emigrantëve, pra 710 000 persona nga të cilët 390 000 meshkuj dhe 320 000 femra.
Emigrantët shqiptarë, në përzgjedhjen racionale të vendeve të destinacionit kanë bashkëvepruar me ndërgjegje apo jo me disa faktorë. Ato do të ishin: afërsitë gjeografike, kulturore dhe gjuhësore, mbështetur edhe nga mundësitë e qasjes ligjore në këto vende. Në kujtesën kolektive të shqiptarëve, në emigrimin në vende destinacioni të largëta, tradicionale, SHBA. Kanada, Australi, Argjentinë, Zelandë e Re, nga ku u rikthyen shumë pak shqiptarë, dukuria e “mërgimit” në kujtesën popullore, e sintetizuar me brengën dhe mallin bënë që shqiptarët të priren drejt emigrimit në vende të afërta apo fqinje. Sidoqoftë, volitë e vonshme për të gjetur punësim më të mirë, status ligjor dhe kushte socio-kulturore për vete dhe fëmijtë i shtynë shqiptarët edhe më larg se këto vende. Greqia, Italia dhe vendet e Evropës Perëndimore ishin ato kryesore të destinacioni, në harkun kohor 1992-96. Një parapëlqim më i hershëm për vende si Gjermania, Zvicra dhe vende të tjerë të Evropës Perëndimore u davarit dora-dorës, si shkak i politikave migratore të tyre, gjithnjë dhe më shtërnguese. Pas vitit 1995, morën një rëndësi në mendjet e shqiptarëve vendet tradicionale të destinacionit, veçanërisht SHBA-ja dhe Kanadaja.
Në stadin aktual ne vuajmë nga mosgrumbullimi i të dhënave statistikore për një sërë faktorësh dhe interpretimi dhe përpunim i tyre bashkëkohor, kjo për mungesë të bazës së duhur ligjore, bashkërendimit institucional dhe resurset e duhura njerëzore dhe materiale në ministritë kryesore që trajtojnë dukurinë migratore. Duke e pranuar këtë sfidë kinstitucionet kane filluar të hedhin hapat e parë për krijimin e regjistrave përkatës, si pranë Drejtorisë së Politikave, ashtu edhe në Zyrat Rajonale dhe Vendore të Punësimit Migratore. Kjo orvatje nuk është dhe nuk do të mbetet e vetmuar, në zbatim edhe të masave përkatëse për krijimin e regjistrit të emigrantëve dhe ndërhyrje të tjera në Regjistrin e Gjendjes Civile. Fillimi i zbatimit të sistemit të monitorim/bashkërendimit të Strategjisë Kombëtare të Migracionit dhe PKZSKM, përmes Njësisë në rolin drejtues të Drejtorisë së Politikave Migratore, mes tjerave do ta ketë një prej parësive, duke ushtruar trysninë pozitive, duke përfshirë të gjitha institucionet përgjegjëse, sipas detyrave. Por statistikat nuk janë qëllim në vetëvete. Ato do ta ndihmojnë në hartimin e politikave më të mira migratore, në monitorimin e tyre të vazhdueshëm, përmirësimin pasues. Po kështu, ato do të ndihmojnë të kuptojmë shpejt dhe si duhet se çfarë po ndodh, duke i ndihmuar politkëbërësit dhe vendimmarrësit të marrin qëndrime të informuara, lidhur me të gjithë aspektet e migrimit, migrimin e parregullt, migrimin për qëllime punësimi, mbrojtjen dhe integrimin e migrantëve dhe jo vetëm. Vendet e destinacionit dhe prania e emigrantëve shqiptarë Në vitin 2003 në Greqi, sipas Raportit Vjetor të Komisionit Evropian mbi Statistikat e Migrimit, Azilit dhe Kthimeve, jetonin dhe punonin 434 810 shtetas shqiptarë. Në vitin 2006 në Itali, sipas ISTAT-it dhe Zyrës Italiane të Statistikave, jetonin dhe punonin 348.813 shtetas shqiptarë. Në vitin 2005 në SHBA, sipas Regjistrimit të Përgjithshëm të Popullsisë, jetonin dhe punonin 113.661 shtetas shqiptarë. Në vitin 2005 në Mbretërinë e Bashkuar, sipas burimeve të MPÇSSHB, jetonin dhe punonin 50.000 shtetas shqiptarë. Në vitin 2001 në Kanada, sipas Regjistrimit të Përgjithshëm jetonin dhe punonin 14.935 shtetas shqiptarë. Në vitin 2002 në Gjermani, sipas Zyrës Federale të Statistikave, jetonin dhe punonin 11. 630 shtetas shqiptarë. Statistikat kanë nevojë për rifreskim në data referimi, por edhe në interpretim, sipërmarrje e vështirë, por jo e pamundur për të cilën ka nisur punën Drejtoria e Politikave Migratore. |
| Last Updated ( Sunday, 10 August 2008 03:48 ) |