


| Ministri i Punës mbledh përfaqësuesit vendor për decentralizimin |
|
|
| Friday, 06 June 2008 05:39 |
|
Barka: “Merrni përgjegjësitë tuaja që rritja e buxhetit për ndihmën ekonomike të reflektohet në rritjen e të ardhurave për familje” Ministri i Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, organizoi një tryezë të zgjeruar me përfaqësues të pushtetit vendor për të diskutuar rreth ecurisë së procesit të decentralizimit të ndihmës ekonomike e shërbimeve sociale dhe nevojës për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në këtë proces. Në qendër të takimit ishte shkëmbimi i mendimeve mes përfaqësuesve vendorë dhe drejtuesve të Ministrisë së Punës dhe të Shërbimit Social Shtetëror, me qëllim vlerësimin e ecurisë së procesit të decentralizimit, progresit të objektivave të reformës së programeve sociale, pagesave në kesh për familjet e varfra dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe shërbimet e përkujdesit shoqëror për grupet në nevojë. Duke iu drejtuar të zgjedhurve vendorë, Barka theksoi se e konsideron të rëndësishëm takimin me përfaqësuesit e pushtetit vendor për fazën e re të decentralizimit të përgjegjësive dhe kompetencave në drejtim të qeverisjes vendore. “Suksesi i reformës që kemi ndërrmarrë në sistemin e pagesave në kesh dhe shërbimeve shoqërore, varet shumë nga qeverisja vendore për dy arsye. Së pari, legjislacioni për programet sociale i miratuar në nivel qendror zbatohet nga strukturat vendore dhe, së dyti, këto struktura janë identifikuese të situatës dhe nevojave në terren, të individëve dhe familjeve të varfra dhe personave që kërkojnë mbështjen e shërbimeve sociale.” Barka u shpreh se, rezultatet e reformës tregojnë se decentralizimi i sistemit të pagesave dhe shërbime sociale ka qenë veprimi i duhur nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Një nga elementet më të rëndësishëm të reformës së ndihmës ekonomike është kushtëzimit i ndihmës me punë komunitare, vuri në dukje Barka, duke sjellë eksperiencën pozitive të njësisë vendore të Laprakës, në Tiranë, e cila vërtetoi drejtësinë e vendosjes së kësaj mase. Gati gjysma e familjeve që trajtoheshin me ndihmë ekonomike nuk pranuan të marrin pjesë në punë komunitare dhe u larguan vetë nga skema. Si rezultat, masa e ndihmës në këtë njësi u dyfishua menjëherë. Barka solli në vëmendje të vendorëve se në Strategjinë Sektoriale të Mbrojtjes Sociale, 2008-2013, janë përcaktuar objektiva ambiciozë për reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së grupeve në nevojë. Fondet për ndihmës ekonomike në vitin 2008 arritën në 3.3 miliard nga 2.6 që ishin një vit më parë dhe vitin e ardhshëm janë parashikuar 4.8 miliard lekë e, kështu me radhë, në vitin 2010, janë parashikuar rreth 6 miliard lekë, gjë e cila do të trefishojë sasinë e parave kesh që merret sot për familje. Por, këto objektiva nuk mund të arrihen nëse nuk ofrohet bashkëpunim dhe mirëkuptim nga ana e pushtetit vendor, pasi është pikërisht ai që evidenton familjet në nevojë dhe bën shpërndarjen e kësaj pagese. Ministri i Punës u ndal edhe në eksperiencën bashkëpunuese me njësitë vendore, për decentralizimin e shërbimeve të përkujdesit dhe transferimin e tyre në bashkitë ku ato janë të vendosura. Deri tani janë transferuar 19 institucione të përkujdesit, duke kaluar pronësinë e ambienteve, përgjegjësinë për administrimin e shërbimeve, përfituesve, stafit, etj. Procesi ka kaluar pa vështirësi dhe specialistët e nivelit qendor dhe vendor janë konsultuar dhe vazhdojnë të konsultohen për mbarëvajtjen e institucioneve të përkujdesit. Edhe fondet për këto shërbime po transferohen si grante të kushtëzuara që në fillim të vitit. Sfida për institucionet e transferuara qëndron në zhvillimin e mëtejshëm të tyre, plotësimin e standardeve të miratuara, rritjen e kapaciteteve të punonjësve, punësimin e specialistëve të fushës, etj. Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Vilma Premti u ndal në pesë paketat e standarteve për shërbimet: Standardet e përgjithshme, për shërbimet për fëmijë, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe viktimat e trafikimit, duke kërkuar nga përfaqësuesit vendorë që këto standarde të bëhen pjesë e punës së stafeve të qendrave publike dhe private të shërbimeve që standardet të mos mbeten në letër. Ministria e Punës vlerësoi rritjen e kapaciteteve të administratës vendore, trainimin dhe rifreskimin e njohurive, njohjen me legjislacionin bazë dhe dytësor dhe, për këtë qëllim, në Shërbimin Social Shtetëror është ngritur një sektor i veçantë përgjegjës për vlerësimin e nevojave dhe ofrimin e trainimeve për përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe ofruesit e shërbimeve. Diskutimet e të zgjedhurve vendorë u përqendruan në shqetësimet, problemet e zbatimit të strategjive dhe legjislacionit në nivel vendor, nevojat për ndërhyrje dhe përmirësim, mbështetjes dhe nevojave për rritje kapacitetesh, shkëmbimit të praktikave dhe eksperiencave të mira, që tashmë janë konsoliduar në disa njësi vendore, etj. Ky nuk është komunikimi i vetëm i MPCSSHB me njësitë vendore. Ministria tashmë e ka kthyer në një praktikë pune botimin dhe shpërndarjen e strategjive, legjislacionit, standardeve, udhëzimeve dhe metodologjive, në forma të aksesueshme për punonjësit zbatues të tyre, përfituesit, donatorët, partnerët e aktorë të tjerë të interesuar. Janë bërë përpjekje që këto botime të arrijnë deri në komunat e largëta, me qëllim që të njihet në detaje e gjithë filozofia e politikave sociale, decentralizimit, ligjet, vendimet dhe udhëzimet përkatëse, etj. |
| Last Updated ( Friday, 06 June 2008 05:42 ) |