mpcsh

logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Qeveria, angazhim maksimal për mirëqënien dhe mbrojtjen e fëmijëve Print E-mail
Thursday, 05 June 2008 05:38
Ministria e Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me mbështetjen e Save the Children, UNICEF, World Vision Albania, organizoi Konferencën Kombëtare vjetore për Fëmijët. Tashmë është bërë traditë që në çdo fillim qershori, Ministria e Punës, si institucioni lider në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, mbledh të gjitha institucionet, grupet e interesit, OJF-të vendase dhe të huaja, në tryezë të përbashkët për të raportuar, evidentuar arritjet dhe problematikën e hasur në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Fëmijët, 2005-2010.
Në Konferencën e këtij viti, titulluar “Një fëmijë i mbrojtur, një buzëqeshje më shumë”, merrnin pjesë Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Punës, Kosta Barka, ministrat Genc Pollo dhe Nard Ndoka, përfaqësues të institucioneve të tjera përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë, të OJF vendase dhe të huaj, grupe interesi, fëmijë, etj.
Ministri Kosta Barka, si përfaqësues i institucionit përgjegjës për monitorimin e Strategjisë, theksoi se “mbrojtja e fëmijëve, si një koncept multidimensional dhe multisektorial është në qendër të Programit të Qeverisë. Për Ministrinë e Punës kjo do të thotë angazhim për një reformim rrenjesor te sistemit te sherbimeve per femijet, perfundimin e procesit të decentralizimit e deinstitucionalizimit e fëmijëve dhe ngritjen e shërbimeve të reja alternative. Vetëm gjatë vitit 2007 u ngriten 12 shërbime të reja ne komunitet për fëmijët e të rinjtë, të cilat administrohen nga njësitë e qeverisjes vendore, e cila po merr përgjegjësitë reale për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.”
Kryeministri Berisha vleresoi punen e bërë dhe angazhimin në rritje të institucioneve përgjegjëse, vecanerisht të Ministrisë së Punës, në ndërtimin dhe zbatimin e politikave mbrojtëse për fëmijët. “Fëmijët, mbrojtja dhe mirëqënia e tyre mbeten prioritet i padiskutueshëm i Qeverisë dhe tregues domethënës për këtë është edhe rritja ndjeshëm e buxhetit për ta, vleresoi shefi i Qeverisë. Tregues i angazhimit është edhe rritja në 98% e vaksinimit për fëmijët gjatë kësaj periudhe, ngritja e shërbimeve të reja sociale dhe përmirësimi i kushteve në shërbimet ekzistuese”.
Megjithatë, Kryeministri theksoi se ende mbetet shumë për të bërë dhe kërkoi nga ministrat e tij angazhim maksimal për uljen në zero përqind të fëmijëve që braktisin shkollat dhe zhdukjen një herë e përgjithmonë të fenomenit të punës së fëmijëve, vecanërisht në formën e saj më të keqe, lypjen.
Ministrat Pollo dhe Ndoka raportuan për nivelin e zbatimit të Strategjisë nga Institucionet e tyre në fushën e arsimit dhe edukimit të fëmijëve si dhe në ofrimin e shërbimeve shëndetesore për ta.

Cfarë evidenton Raporti Vjetor 2007 – 2008
Strategjia ka si qëllim respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ky dokument përcakton objektivat strategjikë të politikës së qeverisë shqiptare dhe shpreh angazhimin e vendit për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, ratifikuar në 1992.

Raporti përmban një analizë të gjendjes së fëmijëve dhe do të japë rekomandime për përmirësime të mëtejshme.

Raporti thekson se fëmijët mbrohen me rregullime ligjore dhe nënligjore në fusha të veçanta si: drejtësia, marrëdhëniet e punës, sociale, arsimore, etj., por nuk ka një ligj kuadër në të cilin të parashikohen të gjitha të drejtat e fëmijëve si dhe mekanizmat institucional përgjegjës për realizimin e tyre, gjithashtu mungon koordinimi dhe zbatimi i legjislacionit nuk është në shkallën më të lartë.

Si arritje pozitive Raporti permend reformën e ndërmarrë në sistemin e mbrojtjes shoqërore, nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta, e cila synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara në insitucionet e përkujdesjes shoqërore, duke vënë në qendër nevojat e klientit, fëmijës, punën e bërë për vaksinimin e fëmijëve etj.
Gjatë vitit të fundit në 24 qendra ditore dhe 17 institucione rezidenciale publike dhe jo–publike janë trajtuar gjithsej 6354 fëmijë (270 fëmijë rezidencialë), pra rreth 90% e fëmijëve në nevojë për shërbime shoqërore trajtohen në format alternative jorezidenciale të shërbimit.

Përvoja, arritjet, por edhe problemet e derisotme ne mbrojtjen e te drejtave te femijeve, të evidentuara edhe nga Raporti e shtynë Ministrine e Punës që të ndërmarrë para pak ditësh, në bashkëpunim me UNICEF, inisiativën ligjore për hartimin e një ligji kuadër, integral dhe antidiskriminues per mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave te fëmijëve. Grupi ndërministror që do të ngrihet për draftimin e këtij dokumenti të rëndësishëm do te bashkepunoje me shoqerine civile, komunitetin e juristeve e profesionisteve te angazhuar ne fushen sociale si edhe universitetet dhe boten akademike. Synimi është për të prodhuar jo thjesht një Kod, por një ligj të zbatueshem, nxites te krijimit te standarteve me te perparuara perendimore ne fushen e te drejtave te femijeve.

Po ashtu, MPCSSHB, me Mbeshtetjen e UNICEF, Save the Children dhe World Vision, ka ndërmarrë nismën për ngritjen e 8 njësive për të drejtat e femijeve ne 8 qytete të vendit: Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Berat, Fier, Gjirokastër, Peshkopi.
Këto njësi do mbledhin të dhëna, do i përpunojnë në bazë të specifikave që ka cdo rajon, duke ndihmuar në hartimin dhe zbatimin e politikave të duhura në ndihmë të fëmijëve në nevojë.
Last Updated ( Thursday, 05 June 2008 05:48 )
 

Kontakti

Tel.: +355 4 22 51 008
E-mail: kontakt@mpcs.gov.al

Poll

Jepni mendimin tuaj