mpcsh

logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Ministria e Punës dhe UNICEF grup pune për hartmin e Kodit Print E-mail
Tuesday, 13 May 2008 05:40
Barka: Ligj integral për mbrojtjen e fëmijëve

barka-auer-1-s.jpgHartimi i një legjislacioni bashkëkohor dhe që ofron mbrojtjen më të mirë për fëmijët është një nga angazhimet më të fundit të Ministrisë së Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Ministri i Punës, Kosta Barka, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të UNICEF në Shqipëri për të kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën e ekspertëve të saj për hartimin e një Kodi për Fëmijët.Që në fillim, Ministri i Punës vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Ministrisë që ai drejton dhe Organizatës së OKB për fëmijët – UNICEF, në fushën e ngritjes dhe zbatimit të politikave efikase për mbrojtjen e fëmijëve.
Barka vuri në dukje se, “edhe pse legjislacioni në fushën e mbrojtjes së fëmijëve është i mirë, vlerësojmë se ka ardhur koha për hartimin e një ligji integral që jo vetëm do të garantojë të drejtat e ligjshme të fëmijëve, por do të përcaktojë saktë edhe institucionet përgjegjëse që ngarkohen t’i garantojnë këto të drejta.”
Sipas Ministrit, është shqetësues fakti që ende sot nuk arrihet të gjendet një zgjidhje për çështje të tilla si heqja nga rruga dhe marrja në mbrojtje e fëmijë që punojnë, vecanërisht atyre që lypin dhe me të cilët përballemi çdo ditë edhe në qendër të Kryeqytetit, pasi të gjitha institucionet “justifikohen” me faktin që nuk janë të ngarkuara direkt me këtë detyrim nga ligji, duke filluar nga strukturat e pushtetit vendor, të policisë së shtetit, e duke mbërritur tek strukturat qendrore.
Po ashtu, u shpreh Barka, ende në legjislacionin aktual parashikohet që fëmijët nën 14 vjeç mund të ngrenë padi vetëm me lejen dhe nën kujdestarinë e prindërve, por nuk ka asnjë parashikim për fëmijët që janë abuzuar dhe keqtrajtuar nga vetë prindërit.
Këto dhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve duhet që sa më parë të gjejnë një zgjidhje të shprehur nga legjislacioni shqiptar. Hartimi, miratimi dhe zbatimi i një Kodi për të Drejtat e Fëmijëve, i cili do të jetë jo vetëm në përputhje me të gjitha dokumentat e rëndësishme ndërkombëtare në fushën e të drejtave, në përgjithësi, dhe ato të fëmijëve, në veçanti, do të bënte më eficente punën e institucioneve në garantimin e këtyre të drejtave.
Zonja Carry Auer, përfaqësuese e UNICEF-it në Shqipëri, shprehu kënaqësinë për sensibilitetin e shprehur nga strukturat më të larta qeverisëse në vend për të kompletuar bazën ligjore dhe për të ngritur struktura të qëndrueshme dhe eficente që do të bënin të mundur garantimin “de facto” të të drejtave të fëmijëve. Ajo theksoi se, “hartimi i një Kodi për Fëmijët në Shqipëri është edhe një nga kërkesat kryesore të shprehura nga Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në OKB dhe inisiativa e Ministrisë së Punës për rishikimin e legjislacionit në fushën e të drejtave të fëmijëve do të ketë plotësisht mbështetjen financiare dhe në ekspertizë të UNICEF.”
Në fund të takimit, Barka dhe Auer ranë dakort që menjëherë të fillojë puna për caktimin e grupit të ekspertëve që do të përcaktojnë fushat dhe agjendën e punës për hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.


Last Updated ( Tuesday, 13 May 2008 05:50 )
 

Kontakti

Tel.: +355 4 22 51 008
E-mail: kontakt@mpcs.gov.al

Poll

Jepni mendimin tuaj