mpcsh

logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
VKM për dënimin e abuzuesve me skemën e ndihmës ekonomike Print E-mail
Saturday, 26 April 2008 17:23
Barka: Ndihma e kushtëzuar me punë në komunitet

Me propozim të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa dhe ndryshime në VKM të vitit 2006 “Për proceduart e kryerjes së kontrollit të ndihmës ekonomike, të pagesës së aftësisë së kufizuar dhe shërbimeve shoqërore”, të cilat synojnë rritjen e forcës goditëse të kontrollit ndaj personave dhe institucioneve që tentojnë apo nuk zbatojnë rregullat ligjore dhe nënligjore në procesin e zbatimit të programeve të mbrojtjes sociale, të përfitimit të familjeve nga programi i ndihmes ekonomike, të përfitimit të PAK, si edhe zbatimit të legjislacionit në fushën e shërbimeve që ofrohen për grupet në nevojë.
Projektvendimi ngarkon Inspektoratin e Ndihmës Ekonomike, Pagesës për Persona me Aftësi të Kufizuar dhe Shërbimeve Shoqërore, në nivel qendror dhe rajonal, të kontrollojë zbatimin e detyrimeve ligjore për dhënien e informacionit në kohë dhe cilësi në çdo bashki/komunë nga institucionet që veprojnë në nivel qendror dhe që puna e tyre lidhet me zbatimin e programeve sociale si, për punësimin nga Zyra e Punës, për veprimtarinë nga biznesi - nga Zyra e Tatim–Taksave, për pensionet - nga zyrat e Sigurimeve Shoqërore, për informalitetin - nga Inspektorati Shtetëror i Punës, për pasurinë - nga hipoteka, informacion nga Zyra e regjistrimit të automjeteve, Seksioni i urbanistikës, tregu i lirë etj.
Deri tani kontrolli lidhur me zbatimin e detyrimeve për dhënien e këtij informacioni nuk ka qenë objekt i punës së Inspektoratit apo të auditit. Kjo shpesh ka krijuar mundësinë e krijimit të hapësirave të përfitimit të padrejtë nga programet dhe skemat sociale për njerëzit në nevojë, që zbatojnë bashkitë/komunat.
Vendosja e kontrollit për cilësinë e informacionit që duhet të japin institucionet që veprojnë në nivel vendor lidhur me të dhënat e domosdoshme që vërtetojnë të ardhurat e familjeve aplikante, pritet të kufizojnë mundësinë e përfitimit abuziv të individëve dhe familjeve të ndryshme.
Projektvendimi përcakton rregullat dhe masat që do të zbatojë autoriteti kontrollues lidhur me shkeljet e rregullave, duke përcaktuar të drejtën e dhënies së: gjobës, vërejtje me shkrim, propozim për largim nga puna; propozim për fillimin e procedurave nga autoriteti kompetent, për punonjësit që kanë abuzuar me detyrën.
Këto masa do të rrisin autoritetin dhe efikasitetin e punës së organeve kontrolluese duke krijuar mundësi për parandalimin e rasteve abuzive dhe adresimin e fondeve buxhetore realisht tek njerëzit më në nevojë.

Po në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi edhe VKM “Për disa ndryshime në Vendimin “Për përcaktimin e kritereve të Procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike” të propozuar gjithashtu nga ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, e cila pasqyron politikat kryesore që burojnë nga Strategjia Sektoriale e Mbrojtjes Sociale dhe objektivat e përcaktuara në Planin e Veprimit të saj që lidhen me: (i) vlerësimin e varfërisë të familjeve që kanë më pak se 2$ në ditë shpenzime për frymë për mbulimin e nevojave jetësore të tyre; (ii) përcaktimin e informacionit dhe dokumentacionit që nevojitet për vlerësimin e nivelit të varfërisë të familjeve aplikante; (iii) informacionin që duhet të plotësojnë institucionet e administratës publike që veprojnë në nivel vendor lidhur me të ardhurat e aplikantëve nga puna, biznesi, prona, aktivitetet e tjera ekonomike si dhe informacion nga sistemi i pensioneve apo përfitimet e tjera të programeve të mbrojtjes sociale. 
Projektvendimi përmirëson nivelin tavan të masës së ndihmës ekonomike që nevojitet për mbulimin e nevojave të familjeve të varfëra nga 7 000 lekë në 7 500 lekë në muaj. Në këtë mënyrë do të përfitojnë më shumë pagesë familjet që kanë numër të madh anëtarësh në përbërjen e tyre, siç janë familjet rome dhe familjet e tjera të varfëra me shumë anëtarë.
Projektvendimi përmirëson gjithashtu në mënyrë rrënjësore kriteret dhe koefiçientët që shërbejnë për vlerësimin e të ardhurave që sigurohen nga aktivitetet bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale, nga bimët e arave, vreshtat, ullishtat, blegtoria etj.
Projektvendimi zhvillon në mënyrë të plotë kriteret dhe rregullat për kushtëzimin e përfitimit të NE me punë komunitare. Të gjitha komunat dhe bashkitë janë të detyruara që shpërndarjen e NE ta kushtëzojnë çdo muaj me pjesëmarrjen e personave të aftë për punë të familjeve aplikante në punë komunitare me kohë të pjesëshme, disa ditë në muaj. Në këtë mënyrë do të realizohet transparenca në shpërndarjen e fondeve duke realizuar edhe një kontroll me të plotë nga të gjithë pjesëmarresit lidhur me punësimin në punë informale, emigracionin etj.
Po ashtu bashkite/komunat që kanë të ardhura të mjaftueshme nga taksat vendore u rekomandohet, u krijohet mundësia të organizojnë projekte me kohë të plotë pune dhe me pagë minimale të plotë duke siguruar edhe pagesën e sigurimeve shoqërore. Në këtë rast përveç fondeve që i përkasin familjes sipas kritereve të ndihmës ekonomike, bashkia është e detyruar të plotësojë me fondet e veta pagën minimale, si dhe sigurimet shoqërore për pjesmarrësit.
Projektvendimi përcakton që familjet që nuk pranojnë të marrin pjesë në punët komunitare me kohë të pjesëshme apo dhe në projektet me kohët të plotë pune, përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike.
Për kushtëzimin e ndihmës ekonomike me punë komunitare projektvendimi vendos kriterin që familjet që nuk marrin pjesë përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike.
Projektvendimi përcakton detyrimet e bashkisë/komunës për organizimin e këtyre aktiviteteve, për caktimin e personave që do të marrin pjesë në punë komunitare, identifikimin e nevojave ku do të ndërhyhet me projekte (për ujitjen, mirëmbajtjen e rrugëve, higjenën, pastrimin nga dëbora apo nevoja të tjera), si dhe fondet e ndihmës ekonomike, që do të përdoren për familjet pjesmarrëse apo fondet që do të vihen në dispozicion nga buxheti vendor për këto projekte.
Shuma e përgjithshme e shpenzimeve do të përballohet nga buxheti i vitit 2008 ku për këtë zë për Ministrinë e Punës janë programuar 3.3 miliard lekë të cilat do ti përfitojnë rreth 93.000 familje.  

Vendimet e miratuar sot nga Këshilli i Ministrave do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
 

Kontakti

Tel.: +355 4 22 51 008
E-mail: kontakt@mpcs.gov.al

Poll

Jepni mendimin tuaj