|
Diskutohet Rinovimi i Marrëveshjes dypalëshe për Punësim
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, ka pritur në një takim zv/Ministrin e Jashtëm Grek, Theodoros Kassimis, i cili kryeson delegacionin e ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë që po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri. Zv/Ministri i Jashtëm Grek shprehu kënaqësinë që po e hapte ditën e dytë të takimeve në zyrtare në Tiranë një takim më shumë se kortezial me Ministrin e Punës së Shqipërisë dhe mikun e tij të vjetër, zotin Barka.
Kassimis uroi edhe një herë Shqipërinë për ftesën e marrë në Samitin e NATO-s duke vënë në dukje se Greqia dhe Qeveria e saj do të inkurajojnë në vazhdimësi progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha fushat.
Numri dy i diplomacisë greke vlerësoi se Greqia tashmë është “punëdhënësi” i dytë më i madh për shqiptarët dhe se emigrantët janë ambasadorët më të mirë dhe një faktor i rëndësisshëm zhvillimi për të dy vendet, gjë që na inkurajon të bashkëpunojmë fort për të zbatuar politika të përbashkëta që lehtësojnë në integrimin e tyre në Greqi, por edhe që krijojnë kushte për kthimin dhe promovimin në vend të emigrantëve të sukseshëm.
Duke u ndalur në bashkëpunimin e institucioneve greke me Ministrinë e Punës së Shqipërisë, z. Kassimis, u shpreh i kënaqur për nivelin e këtij bashkëpunimi në fushën politikave sociale dhe atyre të punësimit dhe shprehu bindjen që ky bashkëpunim do të intensifikohet në të ardhmen.
Bashkëpunimi me Greqinë në fushën e politikave sociale dhe atë të punësimit është mjaft i rëndësishëm për ne, theksoi Barka. Tashmë kemi filluar bashkëpunimin në fushën e formimit profesional mes Shërbimit Kombëtar të Punësimit shqiptar me OEDHI (Shërbimi Kombëtar i Punësimit) të Greqisë.
Më tej, bashkëbiseduesit u përqëndruan në rinovimin e marrëveshjes dypalëshe të punësimit, e cila duhet të reflektoj situatën aktuale dhe do të shërbejë për krijimin e lehtësirave më të mëdha për qytetarët në dyja vendet, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin ndërkufitar në fushën e punësimit, që parashikon lëvizjen e lirë të shtetasve në të dy vendet në një brez prej 15 km për arsye punësimi, tregëtie, etj. Bashkëbiseduesit ranë dakort edhe për fillimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barbarta të Shqipërisë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqënies të Greqisë në fushën e politikave dhe shënrbimeve sociale. Zv/Ministri i Jashtëm grek, shoqërohej në vizitën e tij edhe nga ambasadori i Greqisë në Shqipëri, z. Kostandinos Kokosis.
Shkarko Fotografine e Takimit
|