|
Ministri i Punës, Viktor Gumi takon fëmijët e Shtëpisë “Zyber Hallulli” në Tiranë, me rastin e Ditës Kombëtare të Jetimëve |
|
|
|
Wednesday, 20 May 2009 19:19 |
Gumi: Në katër vitet e ardhshme, 20 Maji do të jetë dita në të cilën do të bëjmë vetëm bilancet pozitive të përmirësimit të jetës suaj
Me rastin e Ditës Kombëtare të Jetimëve, Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi, zhvilloi një vizitë dhe u takua me fëmijët dhe stafin e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Ministri Gumi u uroi 47 fëmijë të kësaj Shtëpie për këtë ditë dhe i garantoi për përkushtimin dhe interesimin në vazhdimësi të Qeverisë dhe veçanërisht Ministrisë së Punës, për përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së jetës së çdo fëmije.“Më lejoni t’ju uroj Ditën tuaj dhe të përulem me respekt përpara jush”, u shpreh Ministri. “Ju meritoni gjithçka, sepse jeni heronjtë e kësaj Dite dhe jo vetëm, por edhe të ditëve të tjera që do të vijnë. Sidomos, në këto kushte ku shumë të tjerë kanë probleme, edhe pse me familje normale dhe biologjike, ju keni mundur t’i tejkaloni këto probleme dhe të dilni vërtetë heronjtë e kësaj dite.”
“Unë, së pari, dua që t’ju uroj një jetë të lumtur dhe, gjithashtu, t’ju premtoj që kjo do të jetë Dita jo vetëm për të parë të kaluarën dhe për të bërë bilancet negative, por në katër vitet që do të vijnë 20 Maji do të jetë dita në të cilën ne do të bëjmë vetëm bilancet pozitive të jetës suaj. Shumë gjëra janë bërë në këto katër vite dhe besoj se të gjithë janë të vetëdijshëm dhe e kanë parë realitetin e prekshëm të përmirësimit të jetës suaj. Por, ndryshimi i madh do të vijë në katër vitet e ardhshëm ku ju do të jeni epiqendra e punës së Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Përpara jush do të jetë numri i telefonit të Ministrit të Punës, me qëllim që ta merrni atë në çdo kohë dhe në çdo moment për të bërë me dije shqetësimet, por edhe kërkesat tuaja.” Duke u ndalur në punën e edukatorëve që shërbejnë në qendrat sociale, Ministri Gumi u shpreh se në qendër të vëmendje së institucionit që drejton do të jetë vlerësimi i edukatorëve që kujdesen për fëmijët. “Ata duhet të gëzojnë dy karakteristika kryesore”, u shpreh Ministri, “të jenë nënpunës shtetëror të denjë dhe të jenë human e familjarë të mirë, me qëllim që të zëvendësojnë tek ju atë dashuri që e keni më të shtrenjtë dhe që e keni humbur”. “Në mosplotësim të këtyre kushteve, është detyrim i shtetit për t’i zëvendësuar ata dhe për të gjetur edukatorët më të mirë për ju.” Në fund, Ministri i siguroi jo vetëm fëmijët që strehohen dhe trajtohen në këtë qendër, por të gjithë ata që kanë marrë statusin e jetimit, apo përballen me probleme social-ekonomike, për përpjekjet që do të bëhen në vazhdimësi nga ana të gjitha strukturave përgjegjëse dhe i garantoj që “tek Ministria e Punës do të keni partnerin kryesor dhe përkushtimin për përmirësimin e jetës tuaj”. Me rastin e Ditës së Jetimëve, fëmijët e Qendrës “Zyber Hallulli” kishin përgatitur një koncert artistik si dhe një ekspozitë me piktura të fëmijëve me tematikë “Nuk jam vetëm”.
Ministri i Punës, Viktor Gumi, në tej vizitoi ambientet e kësaj qendre dhe bisedoi me stafin dhe fëmijët e qendrës për t’u njohur me problematikën, shqetësimet dhe kërkesat e tyre për përmirësimin më tej të kushteve dhe shërbimit që u ofrohet fëmijëve. |