mpcsh

logo2-1.png
  • Increase font size
  • Decrease font size
  • Default font size
Ministri i Punës raporton në Komisionin parlamentar Print E-mail
Tuesday, 04 November 2008 16:06
Duro: Në 2009 fondet për ndihmën ekonomike 60% më të larta se në 2007

Ministri i Punës, Anastas Duro, raportoi në Komisionin Parlamentar të Punës, Cështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, për arritjet e këtij institucioni në tre vjet si dhe objektivat deri në fund të mandatit qeverisës, vecanërisht politikat në fushën e punësimit, mbrojtjes sociale, etj.

Ministri Duro bëri një përmbledhje të arritjeve të Ministrisë së Punës në këto tre vjet, duke theksuar se angazhimi i Qeverisë në fushën e punësimit, çështjeve sociale dhe mbrojtes dhe sigurisë në punë gjen pasqyrim më së miri në arritjen e rezultateve konkrete nga Ministria e Punës. Sipas Ministrit të Punës “periudha 2005-2008 ka qenë mjaft intensive në hartimin dhe zbatimin e politikave, strategjive, akteve ligjore e nënligjore për përmbushjen e detyrimeve madhore të shtetit ndaj qytetarëve.”

Duke u ndalur më konkretisht në arritjet për secilën fushë, Ministri i Punës theksoi se, politikat në fushën e shërbimeve sociale kanë konsistuar në reformimin e sistemit të shërbimeve shoqërore, gjë që ka sjellë rezultate konkrete dhe të prekshme si në rritjen e numrit të shërbimeve për shtresat në nevojë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit, po ashtu edhe në identifikimin më të mirë familjeve dhe individëve në nevojë dhe rritjen ndjeshëm të masës së përfitimit për ta. “Shpërndarja e ndihmës ekonomike për herë të parë u mbështetet në vlerësimin e varfërisë, sipas Anketës së Varfërisë dhe me fondet e Ministrisë së Punës, tani përfundon edhe Anketa e Varferisë për vitin 2008, në bazë të të cilës do të bëhet edhe shpërndarja e bllokgrandeve të ndihmës njësive vendore për vitin 2009. Kjo ka bërë që të kemi një identifikim më të mirë të nevojave dhe largimin nga skema të atyre që e përfitojnë këtë mbështeteje pa të drejtë. Ne parashikojmë që në fund të mandatit qeverisës numri i familjeve në nevojë që mbështeten me ndihmë ekonomike të arrijë në 85 mijë, nga 93 mijë që janë skemë aktualisht.”
“Paralelisht me identifikimin më të mirë të nevojave”, vuri në dukje ministri, “janë rritur edhe fondet e buxhetit për ndihmën ekonomike. Kështu në vitin 2008 fondet u rritën me 38%, nga 2.6 në 3.6 miliard lekë, dhe për vitin 2009 qeveria ka parashikuar që fondet të jenë 4.3 miliard, që në përqindje do të thotë një rritje rreth 60% në dy vitet e fundit.”

Ministri i Punës Anastas Duro në vazhdim iu përgjigj interesimit dhe pyetjeve të deputetëve, të cilat përqendroheshin kryesisht në politikat që po ndërmerren dhe do të ndërmerren nga Ministria e Punës dhe Qeveria për hapjen e vendeve të reja të punës, mbrojtjen e fëmijëve nga puna si dhe për mekanizmat që janë parashikuar për zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore në Shoqëri.
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, Ministri Duro përmendi nismat e ndërmarra nga Qeveria për uljen e taksës së punës për biznesin, lehtësimin e procedurave për licensim, uljen e barrës fiskale, etj. të cilat ndikojnë në rritjen dhe forcimin e biznesit, rritje që reflektohet edhe në hapjen e vendeve të reja të punës nga ana e tij (biznesit). Ministri informoi anëtarët e komisionit parlamentar se tashmë është ngritur dhe ka filluar nga puna grupi për hartimin e një ligji integral për mbrojtjen e fëmijëve, i cili do të parashikojë edhe mbrojtjen e tyre nga puna, bazuar edhe në Konvetat ndërkombëtare të ratifikuara tashmë nga Shqipëria. Përsa i përket Ligjit për Barazi Gjinore në Shoqëri, Ministri u ndal në masat që po merren për ngritjen e strukturave përkatëse në të gjitha nivelet, të parashikuara në ligj.

Në fund, Ministri Duro i siguroi deputetët se politikat e hartuara deri tani nga Qeveria dhe ato që do të hartohen më vonë, do të mundësojnë që shtetasit të kenë një stabilitet ekonomik e social si dhe të përfitojnë vazhdimisht nga rritja ekonomike.

Last Updated on Tuesday, 04 November 2008 16:09
 

Kontakti

kontakt-mpcsshb

FLASH

Kerkoni ne website